DURRËS/ Edi Rama, vizitë në doganë: Kushtet aktuale favorizojnë korrupsionin

422
Sigal

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një tjetër inspektim të palajmëruar dje, në Doganën e Durrësit. I shoqëruar nga Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali, pa nga afër kushtet e papranueshme në të cilat u shërbehet bizneseve shqiptarë dhe të huaj në dy kioska llamarine, që për më tepër edhe përmbyten në ditë me shi. Dogana e Durrësit është një prej doganave më të rëndësishme në vend edhe sa i takon peshës së të ardhurave që ajo realizon për Buxhetin e Shtetit, përbëjnë 70 për qind të të gjithë të ardhurave që mbledh gjithsej sistemi doganor. Vetë sistemi doganor mbledh 60 % të buxhetit të shtetit. Nga ana e tij, kryetari i Doganës së Durrësit, Edison Konomi theksoi shqetësimin që porta kryesore e Shqipërisë, ku përballet çdo subjekt, qoftë i huaj apo shqiptar, gjendet në këtë situatë. Për Kryeministrin Edi Rama, përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve është një domosdoshmëri edhe për shmangien e abuzimeve, ryshfetit e korrupsionit. “S’ka asnjë shans të ketë shërbim profesional në këto kushte dhe s’ka asnjë shans që ne të çlirohemi përfundimisht nga korrupsioni, nga bakshishi, nga vonesat, nga zvarritjet, nga gjithë kjo marrëdhënie skandaloze në këto kushte. Këto janë kushte që e bëjnë të pamundur që ne të kemi një sistem transparent, një sistem funksional, një sistem me normat elementare të të drejtave të njeriut, që ka nevojë për shërbim. Kjo është e pashembullt!”, theksoi Kryeministri. Dogana e Kontejnerëve, nga vetë drejtuesit e doganave, cilësohet si një pikë e rëndësishme e imazhit të vendit dhe fytyra me të cilën prezantohet vendi ynë. Kontejnerëve është shumë specifik edhe për faktin se në të kryhet pjesa më e madhe e tranziteve me vendet e rajonit, me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, etj.. Për Kryeministrin Edi Rama, “kjo gjendje turpëruese për shtetin dhe torturuese për biznesin duhet dhe do të marrë fund me projektin e ri për Doganën e Durrësit”.