Durrës, Dako: Parku Arkeologjik në shërbim të zhvillimit të turizimit

684
Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në përurimin e kompleksit monumental “Gladiatorët”, vepër e Skulptorit të Popullit Janaq Paço. Statujat e dy gladiatorëve janë krijuar nga skulptori Janaq Paço që në vitin 1974, me porosi të arkeologut të mirënjohur Vangjel Toçi.
Kryebashkiaku Dako në fjalën e tij tha se: “ne bëjmë realitet dëshirën e dy figurave të shquara të vendit tonë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe vlerësimin e veprave të tilla. Duke i ekspozuar këto statuja në parqe urbane, ne mendojmë më shumë për turizmin, pasi vizitorë vendas dhe të huaj do të gjejnë në këtë shëtitore pjesë të historisë së lashtë të vendit tonë. Ne do të shtojmë çdo vit në këtë shëtitore vepra të reja, pasi kemi artistë dhe krijues të mirë”.
Vendosja e dy statujavë të gladiatorëve ilire hap rrugën për të kthyer shëtitoren “Taulantia” në një park arkeologjik, pasi ajo do të pasurohet kohë pas kohe me vepra të reja. Në ceremoninë e përurimit të statujave kanë qenë të pranishëm zv/ministri i kulturës Zef Çuni, si dhe i biri i skulptorit, Kliton Paço. Skulpturat janë 3 metra të larta dhe u porositën që në kohën që Vangjel Toçi ishte përgjegjës për mirëmbajtjen e muzeut të vjetër arkeologjik të Durrësit. Të pranishmit kanë vizituar më pas edhe disa punime artistike në formën e guaskave gjigande të vendosura përgjatë shëtitores “Taulantia”.
Sigal