Dule i PBDNJ i vetëm në zgjedhje. Edhe Milo marrëveshje me PS

579
TIRANE – Në limitet e afatit të regjistrimit të koalicioneve në KQZ, kreu i partisë Demokracia Sociale Paskal Milo arriti marrëveshjen me Partinë Socialiste për t’iu bashkuar aleatëve të majtë në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit.
Marrëveshja u firmos këtë të martë nga kreu i PDS-së Milo dhe nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, pasi kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel.
Në një prononcim për mediat pasi la selinë rozë, Milo tha se marrëveshja vjen në vijimësi të “paktit” të nënshkruar për zgjedhjet e vitit 2013 për bashkëqeverisje, kërkesa kryesore që Milo pati në drejtim të kryeministrit Rama.
Dule del i vetem. në pritje të vendimit të Gjinushit
Partia për Bashkimin dhe të Drejtat e Njeriut merr vendimin, Dule del i vetem ne zgjedhje, duke braktisur koalicionin e majte ku ndodhet ne bashkeqeverisje. Pavarësisht tentativave të vazhdueshme nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla për të zhvilluar një takim me nënkryetarin e Kuvendit Dule, shpallja e kandidatit nga e majta për Bashkinë e Himarës i la pezull negociatat.
“Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në përfundim të komunikimit me forcat e tjera politike, aleate dhe jo vetëm, ju komunikon vendimin se në zgjedhjet administrative të 21 Qershorit do të kandidojë e vetme, jashtë koalicioneve të maxhorancës dhe opozitës.
Të shtunën në datë 25 prill, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek, OMONIA do të bëjë përzgjedhjen e kandidaturave për bashkitë ku jetojnë tradicionalisht dhe në numër të konsiderueshëm pjesëtarë të këtij minoriteti. Vendime këto që do të miratohen në mënyrë definitive nga strukturat drejtuese të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Synimi është prania elektorale e PBDNJ-se në 100% të njësive administrative të paktën në nivel këshilli.
Paralelisht, deri në përfundimin e afateve ligjore PBDNJ do të ndjekë nga afër situatat lokale në bashki të veçanta për të evidentuar mundësi të ndryshme bashkëpunimi me forca të tjera politike”, tha në një deklaratë për mediat zëdhënësja e PBDNJ-së.
Një tjetër pritshmëri në kampin rozë ka edhe për parti e aleatit historikë Gjinushi, i cili para orës 18:00 do të vendosë nëse do të vijojë të qëndrojë me PS apo do të dalë i vetëm në zgjedhjet e 21 qershorit.
Partitë politike firmosin sot deri në 18:00 për koalicionet

Mazhoranca në pritje të tre aleatëve, opozita e gjitha me 15 parti
Subjektet politike të regjistruara në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 21 qershorit, kanë afat deri në orën 18:00 të ditës së sotme për të deklaruar koalicionin në cilin do të bëjnë pjesë ose në të kundërt do të dalin të vetme në zgjedhje. Marrëveshjet e nënshkruara paraprakisht nga forcat politike, pritet të përfundojnë edhe me pozicionimin e fundit që disa parti do të bëjnë deri pasditen e sotme. Neni 65, pika 1 e kodit zgjedhor parashikon që dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen si koalicion në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Dy kampet e mëdha politike PD dhe PS thuajse kanë përfunduar marrëveshjet me partitë e vogla dhe pritet që brenda këtij afati të dorëzojnë në KQZ listat e plota të koalicioneve. Partia Socialiste dhe aleatët e saj e zgjeruan koalicionin e majtë me rreth 42 parti, jo vetëm të spektrit të majtë, por edhe të krahut të djathtë, bashkë me afrimet e djeshme të Nard Ndokës dhe Zef Bushatit. Pjesë e koalicionit të majtë është bërë edhe Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga ish-Presidenti, Bamir Topi dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit.
Të majtën do të presin sot të firmosin me aleatin e deritanishëm në qeverisje, Vangjel Dule të PBDNJ-së dhe dy aleatët historic të PS-së, Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi. Ndërkohë që marrëveshja mes partive të koalicionit opozitar pritet të nënshkruhet ditën e sotme, ku ndryshe nga koalicionet e zgjeruar që firmoste ish-kryeministri Berisha kur ishte në drejtimin e PD, këtë rradhë do të jenë vetëm 15 forca politike që do të bëjnë pjesë në koalicionin opozitar.
Mandatet
Përfundimi i afateve ligjore për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore do të pasohet nga një tjetër proces, ai i lënies së mandateve nga deputetët që do të garojnë në këto zgjedhje vendore. Do të jenë tetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, katër nga mazhoranca dhe katër nga opozita të cilët do të garojnë në këto zgjedhje vendore. Afati maksimal ligjor që ligjvënësit kanë për të lënë mandatet e tyre është data 2 maj.
Sipas procedurave, deputetët duhet të depozitojnë në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit në Kuvend kërkesën për lënien e mandatit, duke i hapur rrugën kandidimit të tyre në zgjedhjet e ardhshme. Nga mazhoranca do të largohen:Armando Subashi(PS),për kryetar bashkie në Fier, Artur Bushi(PS),për kreun e bashkisë Krujë; Majlinda Bufi (PS), për bashkinë Roskovec dhe Miranda Rira(LSI),për bashkinë e Prrenjasit.
Ndërsa nga opozita do t’i largohen jetës parlamentare:Ardian Turku (PD), i cili do të jetë kandidat për bashkinë e Elbasanit; Besnik Duzhaj për bashkinë Tropojë; Voltana Ademi për bashkinë Shkodër, si dhe Halim Kosova, kandidat i PD-së për bashkinë Tiranë. Pas miratimit të kërkesës së tyre nga Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndëprerë i kalon kandidatit vijues të listës të së njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.
Sigal