Duka: Socialistët e vërtetë nuk gjejnë veten tek Rama, pritet parti e re!

594
Deputeti i PR-së Agron Duka, ka qënë ministër i qeverisë “Nano”, por edhe ka qënë kreu i hartimit të programit të Rilindjes për Bujqësinë, por në ditët e fundit, para zgjedhjeve të 2013-s, mori divorcin nga Rama. Në intervistën për gazetën “Telegraf”, Agron Duka ka të njëjtin mendim për vdekjen e Rilindjes, sikurse u shpreh deputeti socialist Blushi, me të cilin ka qënë në të njëjtën qeveri të Nanos, sepse, siç argumenton zoti Duka, socialistët e vërtetë nuk gjejnë veten te ideja e Ramës, por edhe Rama nuk e ka mendjen te socialistët e vërtetë. Dhe kjo qeverisje e “Rilindjes”, sipas zotit Duka, duke paguar përpunësim, duke rritur çmimet e taksat, është “Rilindje” që rrëzohet dhe bie. Deputeti Duka, e pranon se Rama, ka mohuar gjithçka të mirë që ka qeverisur PS-ja në të kaluarën, sepse nuk do të pranojë që dikur kishte zhvillim. Sipas Dukës, personalitetet në PS sot janë specie në zhdukje. Por Duka shpreh se herët apo vonë, socialistët e vërtetë do të reagojnë dhe do të ndërtojnë partinë e tyre socialiste. 
-Zoti Duka, pas 18 muajsh qeverisje, a pajtoheni ju se Rilindja është në funeralin e saj politik? 
– Mendoj se Blushi ka të drejtë kur thote se Rilindja është në funeralin e saj politik për arsye se u trumpetua si një politikë me mendësi të re qe do sillte progres në Shqipëri, por në fakt e reja qe vetëm një qeverisje propogandistike e pa rezultat. Pritshmëritë qenë të mëdha edhe për shkak të premtimeve të pakursyera, por po aq i madh qe zhgënjimi për mosrealizimin e tyre, e cila solli si pasojë braktisjen masive të njerëzve të partisë së “Rilindjes”. Nga ajo që Blushi ka shkruar, një fjali doja ta veçoja për shkak edhe të mesazhit të drejtëpërdrejt që jep: “Rilindja nuk ka frymë, nuk ka organizim, nuk ka motivim, nuk ka mobilizim, nuk ka ide, nuk mbrohet, nuk mendohet, nuk pendohet, por vetëm rrëzohet dhe bie”. Të dalësh me sloganin “Rilindje” dhe të zëvendësosh specialistët dhe akademikët me militantë dhe mediokër do të thotë të pjellësh një shtresë parazitesh, të cilët sjellin regres për qytetarët e përfitime abuzive për vete dhe për ato që i kanë vënë. Sot, nëse do të ecësh përpara duhet të punësosh, jo të deklarosh si të punësuar njerëz, të cilët deri më dje ishin në punë dhe nuk paguanin sigurime shoqërore, që sot shteti absolutisht me të drejtë ia kërkon, por nuk mund të thotë që ka rritur numrin e të punësuarve, ndërkohë që realisht punësimet qëndrojnë në të njëjtën shifër. Duke paguar për punësim, duke rritur çmimet e taksat “Rilindja” rrëzohet dhe bie. 
– Sa e vërtetë është se Rilindja nuk kishte ideologji, nuk kishte parime, por kishte ambicie vetëm për pushtet? 
– Është plotësisht e vërtetë, sepse të gjitha aleancat me subjekte politike dhe individë të ndryshëm janë bërë dhe bëhen vetëm në funksion të pushtetit dhe jo në bazë të parimeve. Megjithëse politika në raste të veçanta pranon aleanca pavarësisht ideologjive të ndryshme, kur kjo bëhet vetëm për qëllime pragmatiste të ruajtjes apo marrjes së pushtetit, humb çdo princip e si pasojë është e destinuar të vdesë.
-Sa i përfaqëson dhe i mishëron kjo Rilindje, socialistët e vërtetë dhe elektoratin e Majtë?
– Nuk i përfaqëson aspak, për të demonstruar të kundërtën Rama vuri disa deputetë realisht të majtë dhe asnjë në qeverisje. Kjo për arsye se tipa të tillë nuk duan ta pranojnë kurrë që zhvillim ka pasur edhe para tyre, që Dokle, Blushi, Majko, Xhafaj, ..etj kanë ditur të qeverisin, por e fillon fjalinë gjithmonë: Ka njëzet vjet që nuk është bërë asgjë në bujqësi, në arsim, në shendetësi…etj dhe ne do rilindim fshatin, do bëjmë shëndetësi falas…etj. Paradoksi më i madh është kur nuk lë gjë pa thënë edhe për dikastere që janë drejtuar në qeverinë paraardhëse nga ministra të qeverisë aktuale. Socialistët e vërtetë nuk gjejnë veten tek idea e Ramës, por edhe Rama e ka treguar vetë që nuk e ka mendjen tek socialistët e vërtetë. Pjesa socialiste me atë të “Rilindjes” dallohet dukshëm dhe gati duken si dy parti të veçanta, ku ajo e para i shërben të dytës sa herë ka nevojë për vota dhe si këmbim nuk merr asgjë prej saj.
– Sa i drejtë ju duket përfundimi i Ben Blushit, kur thotë se “Rilindja është vetëm shi. Vetëm ndëshkim”?
– Natyrisht gjendja ekonomike, rritja e çmimeve e taksave, depresioni masiv janë ndëshkim. Unë do të shtoja që është edhe mosmirënjohës, asnjë nga anëtarët e komisionit që bëri programin e bujqësisë të kësaj Rilindjeje, nuk u punësua për realizimin e tij. Kjo për faktin se ata nuk ishin pjesë e ekipit të “Rilindjes”, por specialistë e akademikë pa parti, apo të majtë.
– Pse ndodh kjo?
– Sepse për shkak të pushtetit “Rilindja” ka humbur çdo parim.
– Sipas jush, pse janë zhgënjyer socialistët e vërtetë me këtë qeveri të Rilindjes?
– Sepse janë braktisur e ndjehen të fyer, sepse kontributi i tyre nuk po merr minimalisht as mirënjohje.
– Përse sot nuk ka personalitete me Rilindjen?
-Sepse Rama është kujdesur të mos ketë konkurentë, por të ketë njerëz që e admirojnë dhe e shohin si krijues të karrierës së tyre, por duhet të pohojmë që brenda PS-së ka akoma personalitete, të cilët rrezikojnë të jenë specie në zhdukje. 
– A mund të jetë e pranueshme, që për hir të shumës së votave, Rilindja të bëjë koalicion me FRD, PDIU, duke injoruar tërësisht partitë tradicionale që e kanë mbështetur e që janë elektorat i Majtë, si PSD e PDS? Përse ndodh kjo?
– Duke pasur qëllim kryesor pushtetin, humbet çdo parim e ideologji. Partitë tradicionale të majta, sipas meje, do të pësojnë të njëjtin fat që do kenë edhe socialistët e vërtetë.
– Nëse ju, do të duhej të mbanit një fjalim në këtë funeral të Rilindjes, cilat do të ishin fjalët tuaja?
– Zakonisht në “funeral” njerëzit rendin të zgjdhin fjalë që të mos shqetësojnë më shumë zemrën e të ‘ikurit nga bota’, por një gjë e tillë nuk mund të më kërkohet mua, sepse e kam bërë me kohë.
– Janë hedhur ide që personalitete të socialistëve, të kristalizojnë një parti të re socialiste. Sa janë kushtet politike të favorshme për këtë?
– Kushtet në politikë asnjëherë nuk janë mirë, nuk besoj se do jenë shumë miqësor “rilindasit“me një parti të re socialiste, por një gjë e them me siguri, që një gjë e tillë do të ndodhë dhe kjo ndjehet, por sa më vonë aq më keq për të gjithë.
-Faleminderit!
Sigal