Duka: Rama është në boshllëk programor

511
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ishte pjesë e takimit të kandidatit të PD për Tiranën, Adi Haxhiymeri, me votuesit e zonës së “Unazës së Re”. Gjatë këtij takimi, Duka u bëri thirrje banorëve që të mendohen mirë para kutisë së votimit, pasi vota është ardhmja e të gjithëve. Në fjalën e tij, Duka përmendi faktin e mungesës së programit nga ana e Partisë Socialiste. “Kjo punë është kthyer në estradë kur Rama nga arritjet e veta programore, besoj e keni dëgjuar, thotë: Nuk kalon më njeri me semafor të kuq. A ka ndodhur në ndonjëherë që një kryeministër në katër vjet cilëson si arritje që njerëzit nuk kalojnë më me semafor të kuq. Imagjinoni sa boshllëk programor ka. Ndërsa PD programin e ka të qartë për një ekonomi të fortë dhe një të ardhme të sigurt” tha Duka. Po ashtu, ai tha se PAA do të jetë një roje e premtimeve të që jepen dhe se PAA do të ketë në vëmendjen e saj çështjet agrare dhe ambientaliste. “Natyrisht ne jemi Partia Agrare Ambientaliste, por gjithsesi në siglën e PD. Do të mbrojmë gjithë kohës çështjet agrare dhe çështjet ambientaliste. Do të jemi gardianë të premtimeve që bëhen. Ndërmjet të tjerave është premtuar edhe subvencion direkt për bujqësinë dhe blegtorinë si dhe heqja e taksës së qarkullimit për naftën, e cila ndikon direkt në ekonominë dhe xhepat e qytetarëve. Ju bëj thirrje që të fitojmë së bashku. Të heqim përemrin “unë” apo emrat Gon, Dash, Ad, etj. S’ka unë, ka ne. Të gjithë në një vend, PAA, PD, socialistë, që të gjithë, sepse edhe socialistët janë të diskriminuar“, tha Duka. Adi Haxhiyemeri është kandidat i PAA në listat e PD për Tiranën. Ndërkohë i pranishëm në takim ishte edhe Dashamir Shehi, një tjetër kandidat i PD për Tiranën.
Sigal