Duhen gjyqtarë e prokurorë të huaj, për të luftuar korrupsionin dhe krimet e politikanëve tanë

490
Vetëm në Shqipëri, në dallim me të gjitha vendet e tjera europiane ish komuniste, gjatë këtyre 24 vjetëve askush nga politikanët dhe zyrtarët e lartë nuk është dënuar për korrupsion dhe për krime të tjera, që parashikon Kodi Penal. Përjashto vetëm dënimin me burg të liderit të PS, Fatos Nano në 1993, ku edhe ky gjyq u cilësua si një ndërhyrje brutale e politikës në vendimet e gjyqësorit. Mosdënimi i korrupsionit dhe i krimeve të tjera të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit, ka ardhur sepse politika e ka nënshtruar sistemin e drejtësisë dhe hetimet e prokurorisë tjetërsohen dhe, pastaj, vendimet e gjykatave jepen sipas interesit të politikës. Bashkimi Europian ka kushtëzuar luftën kundër korrupsionit, si një nga 5 çështjet për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim. Pikërisht, nisur nga ky kushtëzim i BE, politika ka si detyrë që të kryej sa më shpejt reformën në drejtësi. 

Kryetari Xhafa: Do krijohet gjykatë dhe prokurori special antikorrupsion

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa, dje pohoi se në kuadrin e draft strategjisë që po hartohet, në ndryshimet kushtetuese që propozohen, është hedhur ideja edhe e krijimit të një gjykate dhe prokurorie special antikorrupsion. Sipas Xhafës, Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë e përcaktuar gjithashtu nga Kushtetuta, sikundër çështjet e korrupsionit do të shqyrtohen nga një prokurori dhe gjykatë antikorrupsioni të posaçme. Janë disa nga elementët që do të përmbajë reforma, ndërkohë që Kushtetuta do të ndryshojë edhe për çështje të tjera që nuk lidhen me reformën në drejtësi.

Prokurorë e gjyqtarë të huaj në organet tona antikorrupsion

Meqë të gjithë e pranojmë që ka dështuar plotësisht lufta kundër korrupsionit, jo për faj të ligjeve, por pikërisht se prokurorët dhe gjykatësit u nënshtrohen lehtësisht ndërhyrjeve dhe presioneve të politikës, pasi politika, veç të tjerave, ka në dorë karrierën e tyre, shumë specialistë të fushës së jurispodencës, në kuadrin e reformës së drejtësisë kanë shprehur edhe idenë, që në krye të kësaj gjykate dhe prokurorie të veçantë antikorrupsion, të jenë gjyqtarë dhe prokurorë të huaj. Psh, nëse do të krijohet Byroja Kombëtare e Hetimit, shumë specialistë të saj mund të jenë të huaj. Ose, siç kemi specialsitë të huaj në shumë institucione të drejtësisë, mund të bëjmë ndryshime të tilla kushtetuese, që një numër i caktuar gjyqtarësh dhe prokurorësh të huaj, të punojnë edhe te ne. Pastaj në BE ka një ligj. Që çdo qytetar i një vandi anëtar i BE, mund të punojë në administratën publike, të kujdo vendi tjetër anëtar të BE, nëse zotëron disa kritere bazë, sikurse gjuha e vendit ku dëshiron të punojë. Kështu, një francez, nëse di gjermanisht, mund të punojë në çfarëdo posti në Gjermani, pa asnjë tjetër kufizim, si shtetas i BE. Ndaj, edhe pranimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të huaj, që të punojnë në Shqipëri, në institucionet e drejtësisë, nuk duhet parë me frikë, me spekticizëm, por duhet parë si domosdoshmëri, të rifitimit të besimit te drejtësia jonë. Sipas avokat Zaçe Islamit, sikurse specialistët e huaj japin asistencë shkencore dhe teknike në hartimin e refromës në drejtësi, duhet që të bëhen ndryshime kushtetuese që të pranohen edhe gjyqtarë e prokurorë të huaj, sepse vetëm ata do të mundësojnë rifitimin e besimit të luftës kundër korrupsionit, pasi politika do ta ketë të pamundur që këtyre gjyqtatarëve dhe prokurorëve të huaj, t’u imponojë ndërhyrje. Prof. Fehmi Abdiu, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, shprehet se duhen bërë ndryshime kushtetuese të tilla që ta lejojnë këtë mundësi, por nuk e shikon të mundshme ardhjen e të huajve në institucionet gjyqësore e të hetimit në Shqipëri. Ndërsa avokatët Sajmir Vishaj dhe Altin Goxhaj shprehen se Kushtetuta jonë e ndalon kategorikisht emërimin e gjyqtatarëve të huaj në isntitucionet e drejtësisë tonë, pasi kjo është çështje e sovranitetit të Shqipërisë. 
Flasin për “Telegraf”

Zaçe Islami, jurist: Duhen gjyqtarë e prokurorë të huaj, të luftojnë korrupsionin

Kush do gjykojë, kë? Kush do dënojë, kë? Sepse këta janë që të gjithë njëlloj. Drejtësia është instrument në dorëne politikës. Politikanë dhe gjyqtarë e prokurorë janë tulla të dala nga e njëjta presë, janë që të gjithë të korruptuar ndërmjet tyre. Nuk jepet asnjë vendim gjykate pa lekë. Duhet të bëhet një prokurori dhe gjykatë me prokurorë e gjykatë të huaj, që të luftojë korrupsionin e politikanëve e zyrtarëve të lartë, e kryesisht gjermanë, të cilët janë strik për ligjin e s’mund t’i korruptosh dot. Gjithashtu, duhet të shtohen në Kodin Penal edhe disa nene, që gjyqtari kur jep vendime në kundërshtim me ligjin, e kjo vërtetohet, të përgjigjet penalisht, sepse deri tani asnjë gjyqtar e prokuror nuk mban përgjegjësi për vendimet që merr. Politikanët tanë nuke dëshirojnë këtë, atëhere, ata do dalin me flamurin e sorvanitetit, se vendin e qeverisim vetë. Ndaj, ka pak besim se thjesht reforma do të sjellë ndryshime.

Prof. Fehmi Abdiu: Nëse ndryshojnë Kushtetutën, mund të punojnë gjykatës e prokurorë të huaj

Kushtetuta jonë e ndalon krijimin e gjykatës speciale. Nuk rekomandohet, nuk aplikohet dhe nuk këshillohet në demokraci gjykata speciale. Ndërsa për prokurorinë, nuk është njëlloj. Kushtetuta nuk ndalon të krijosh hallka prokurorie, ose sisteme të ndryshme, që mund t’i shërbejnë parandalimit të krimit. Nëse Byronë Kombëtare e Hetimit duan ta konceptojnë si një prokurori të veçantë, ndaj emri prokurori nuk ia vlen ta cilësojnë, por realisht, për këtë qëllim duhet të ndërtojnë. Për mendimin tim, është gabim të pranohet që të marrim gjyqtarë e prokurorë të huaj, sepse do dëshmojmë që jemi të paaftë që të luftojmë korrupsionin, e presim nga të huajt. Megjithatë, po të ndryshojnë Kushtetutën, çdo gjë është e mundshme që në organet e sistemit të drejtësisë të punojnë një numër i caktuar të huajsh. Është një concept që nuk besoj se mund ta mbështet njeri. 
Av. Altin Goxhaj: Korrupsioni të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda

Nuk është e mundur që gjyqtarë e prokurorë të huaj të punojnë në institucionet tona të drejtësisë, sepse është në kundërshtim me çdo lloj standarti ligjor, sepse Shqipëria është vend indipedent. Këto gjykime të korrupsionit, mund t’i kalojnë Gjykatës së Krimeve të Rënda. 

Av. Saimir Vishaj: Për mua, duhen gjyqtarë të huaj

Gjykata speciale janë të ndaluara me Kushtetutë në Shqipëri, nuk mund të ndryshohet Kushtetuta, se dikush ka dëshirë të bëjë një tjetër gjykatë. Nuk mund të strukturojmë organe të veçanta për çdo lloj natyre krimi, s’mund të krijojmë gjykatën antikorrupsionit, të doganave, të taksave, etj. S’mundet që ne të kemi një gjykatës të huaj e një prokuror shqiptar. Për mua, duhen gjyqtarë të huaj.Korrupsioni luftohet me reformism të mentalitetin të personave që do përfshihen në sistemin e drejtësisë. 
Sigal