“Duam të vijë Rama dhe ministrat, të japin llogari”

427
Gazeta “Telegraf, në kryeartikullin e djeshëm me titull “Nisin kacafytjet për kreun socialist”, shkundi edhe kupolën e PS, ndaj urgjentisht, po dje, zbarkuan në Elbasan edhe vetë nënkryetari i PS dhe kryetar i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, së bashku me kordinatorin e Qarkut, Taulant Balla. Qëllimi i zbarkimit të dy eksponentëve më të lartë të PS Ruçi dhe Balla, si më të besuarit e vetë kryetarit të PS, Edi Rama, është që të qetësojnë socialistët e Elbasanit. 

Takime me dyer të mbylluara

Ata dje paradite kanë mbledhur deputetët, dhe gjithë drejtorët dhe stafet drejtuese të bashkisë, Prefekturës, qarkut dhe ndërmarjeve të tjera nacionale, dhe kanë zhvilluar me dyer të mbyllura takim urgjent. Tema e takimit ishte “rreth afrimit të fushatës së zgjedhjeve në degët lokale, organizimi organizatave në lagje, dhe propozimet e fundit për krerët e degës”. Por duket se ardhja e Ruçi dhe Ballës nuk i ka qetësuar siç duhet “gjakrat” e socialistëve të Elbasanit. Burime tepër të besueshme nga takimi me dyer të mbyllura i thanë “Telegraf” se “pothuajse e gjithë salla, veç drejtorëve dhe zyrtarëve të lartë, kërkuan nga Ruçi dhe Balla ardhjen e Ramës dhe ministrave në Elbasan, ndryshe dega e PS këtu mbetet si ajo ndërtesa e shembur pas tërmetit”. Sipas të njëjtit burim, Ruçi dhe Balla u njohën me diskutime, propozime, akuza dhe denoncime nga mjaft të ftuar për të marrë pjesë në takimin me dyer të mbyllura, si rritja e pakënaqësive në bazë, largimi drejt LSI i qindra anëtarëve socialistë, rritja e të papunëve, mungesa e punësimit të atyre që kanë kontribute në fitoren e 23 qershorit 2013, rritja e nivelit të varfërisë, mungesa e investimeve, dhe mjaft probleme të tjera, duke cituar në fund, shkërrmoqjen e strukturave të degës lokale”. Pavarësisht formave për ta qetësuar sallën, e cila nuk pritej të kishte shpërthime të tilla, u pa qartë se Ruçi dhe Balla nuk e kishin parashikuar degradimin e saj. Kjo ndoshta ishte parashikuar nga organizatorët e takimit, që njoftuan paraprakisht edhe mbajtjen e tij me dyer të mbyllura për mediat. Shumica e diskutantëve propozuan anashkalimin e rendit të ditës, dhe ngritën si shqetësimin e tyre të vetëm humbjen e besimit tek qytetarët e Elbasanit, e ardhur kjo nga faktorë të ndryshëm. 

Ja pse socialistët janë zhgënjyer në Elbasan

Mbyllja e dyerve të ndërmarjeve, mungesa e komunikimit me bazën, mungesa e punësimit, shanseve për të hapur vende të reja pune, humbja e shpresës për ditë më të mira, emigrimi masiv i qytetarëve elbasanas dhe zonave rurale drejt vendeve të Europës, ishin disa prej pikave të diskutimeve të zjarrta, që nuk morën fatkeqsisht asnjë përgjigje nga drejtorët e pranishëm. Elbasani ka sot mbi 40 mijë të papunë, një biznes që sa vjen degradohet dhe rrënohet, një qytet që nuk ka perspektivë. Takimi i djeshëm i thirrur me urgjencë duket se i ka thelluar divergjencat mes bazës socialiste dhe elitës së drejtuesve lokalë socialistë, të cilët prej 2 vitesh kanë krijuar me dashje, ose pa dashje shanset e rritjes dhe fuqizimit të LSI në Elbasan. Pavarësisht se pas takimit u tha se “gjithçka ok, diskutuam për problemet e fushatës”, ajo e cila mbeti për t’u diskutuar sërish ishte fakti se baza e PS në Elbasan është në pritje të Ramës, pasi vetëm me atë kanë lidhur qysh para 23 qershorit 2013 “kontratën e fitores dhe premtimeve të mbajtura”. Dhe këtë duket se e mori përsipër për ta realizuar Ruçi, në rolin e negociatorit mes “rrebelëve” dhe reformatorëve socialistë që drejtojnë sot institucionet në këtë qytet, të mbrojtur shpesh edhe nga deputetët e qarkut. 
Sigal