Droga, Xhafaj raporton para ambasadorëve të BE-së

555
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj zhvilloi një takim informues, për më se 2 orë me ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë. Pas takimit të mbajtur në zyrat e delegacionit në kryeqytet, ministri Xhafaj vlerësoi bashkëpunimin me vendet e BE-së. “Takimi i dytë pas 3 muajsh me të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Informova dhe iu përgjigja interesit të tyre të veçantë për punën dhe progresin e bërë në kuadër të zbatimit të prioriteteve dhe masave për konsolidimin e shtetit ligjor”, bëri të ditur Xhafaj. Sipas ministrit, në këtë takim u fol edhe për aksionet ndaj drogës. “Prezantuam rezultate konkrete në disa fusha e veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, Antikanabisin, Menaxhimin e Kufirit, Reformën e Policimit në Komunitet, Vetting-un etj. Shprehëm mirënjohjen për bashkëpunimin e krijuar këto muaj pune të përbashkët”, nënvizoi Xhafaj. Ministri i Brendshëm e cilësoi bashkëbisedimin si tejet konstruktiv. “Jemi të emocionuar dhe të inkurajuar për vlerësimet tejet pozitive, për besimin e shprehur për Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit dhe Task Forcën Speciale si dhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Jemi në rrugën e duhur. Të vendosur të ecim përpara”, tha Xhafaj.
Sigal