Droga, Xhafa: Kanabisi problem edhe Shkodra e kthyer në Lazarat

520
Në ditën e drejtësisë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa ka pranuar publikisht se kanabisi është kthyer në problem serioz
Dy muaj më parë askush nuk dëgjonte deklarata të forta lidhur me situatën në të cilën ndodhet vendi. Mbulimi i gjithë vendit me parcela të mbjella me kanabis, tashmë duket se është pranuar edhe nga qeveria, e cila në kohën kur në drejtim të Ministrisë së Brendshme ndodhej Sajmir Tahiri, nuk donte as vetë ta besonte. Asnjë deklaratë në atë kohë për policët që bashkëpunonin me banorët, të cilët e kultivonin, asnjë lëvizje për shefat e komisariateve që heshtnin përballë një fakti të rëndë. Të kundërtën është duke bërë në këto momente Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa. Në çdo dalje publike ai flet për përgjegjësinë e policisë në kanalizimin e vendit, flet për bashkëpunimin e shefave të komisariateve me fermerët dhe për përpjekjet që ai së bashku me strukturat përkatëse është duke bërë me qëllim frenimin e këtij fenomeni të rëndë. Nga Shkodra teksa ishte me rastin e Ditës së Drejtësisë, Xhafa i ka motivuar ndryshimet e fundit në radhët drejtuese të Policisë së Shtetit me faktin që i bëjnë mirë punës dhe duke u ndalur tek prioritetet, ku një prej tyre ka nënvizuar luftën kundër kanabisit, i cili në mënyrë të veçantë në rrethin e Shkodrës ka një rëndësi të veçantë, pasi ka zona që në vite mund të krahasohen me Lazaratin. “Natyrisht që lufta ndaj kanabisit është një prioritet dhe madje edhe në rrethin e Shkodrës, ndër vite, ka pasur zona që ishin një Lazarat i dytë. Ndërkohë që thoshin të gjithë Lazarati, Lazarati, në Shkodër kishte një tjetër Lazarat. Por me masat e marra dhe punën që po bëjmë do të arrijmë që ta zhdukim këtë fenomen”, tha Xhafaj. Ai nuk i shpëtoi dot interesit të gazetarëve lidhur me procesin e zgjedhjeve në 18 qershor. “Zgjedhjet e 18 Qershorit janë absolutisht të garantuara, sepse zgjedhjet në përgjithësi i garanton Kushtetuta dhe ligji. Dhe Policia është në funksion të respektimit dhe garantimit të Kushtetutës e të Ligjit. Dhe Policia vetëm bën detyrën që i ngarkon ligji”, tha Xhafa. Por sa të lidhura janë ndryshimet drejtuese në polici me këtë proces sipas Xhafës. “Si mendoni ju, është më mirë që të ndryshojnë drejtuesit, apo të qëndrojnë në të njëjtin vend? Sepse çdo lloj rifreskimi, çdo lloj lëvizjeje, bën mirë për t’i dhënë ritëm të ri punës, ritëm të ri çështjeve e prioriteteve. Në kohë të ndryshme ka prioritete të ndryshme. Dhe natyrisht Kanabisi është një prioritet. Dhe në Shkodër, për hir të së vërtetës, është një prioritet i rëndësishëm për shkak se, në vite, zona të caktuara mund t’i konsideroj edhe si Lazarati me kanabisin. Në vite të tëra, ndërkohë që flitej për Lazaratin, shpeshherë harronim që kishim dhe një Lazarat këtu në Shkodër. Por unë besoj që me punën e bërë në gjithë këto vite, me punën që po bëhet, me ndërgjegjësimin qytetar në radhë të parë, me vullnetin që është duke treguar Qeveria dhe gjithë strukturat e saj, ky fenomen do të vijë drejt shuarjes”, tha ai. Më tej shtoi se Shqipëria për vitin 2017 nuk do të figurojë më në hartën e kultivimit të kanabisit. “Fiksojeni këtë gjë. Dhe do të jemi prapë këtu në Shkodër. Natyrisht lufta kundër trafikut të drogës dhe kundër kriminalitetit është një proces që vazhdon dhe do të vazhdojë gjatë. Është një përballje mes ligjit dhe anti-ligjit, mes Policisë dhe shkelësve të ligjit. Ajo që ne po bëjmë është që kjo strukturë e rëndësishme e shtetit që mbahet nga taksapaguesit shqiptarë, të jetë një strukturë sa më efiçente, në mënyrë që t’u sigurojë qytetarëve edhe qetësinë e nevojshme , sigurinë e nevojshme. Natyrisht më pas, të gjithë bashkë për të dhënë drejtësinë e duhur – meqenëse jemi këtu në ‘shtëpinë’ e Drejtësisë”, vazhdoi ai. Ndërkohë lidhur me faktin nëse ka policia ndonjë informacion për protestën e 13 majit, nëse shoqërohet ose jo me akte të dhunshme, Xhafa deklaroi se kjo është një çështje që mbetet për t’u parë.
Sigal