Droga, Rama: Koha për të larguar mikrobet, Basha: Do arrestosh të fortët?

494
Puna e qeverisë “Rama 2” , duket se ka nisur. Deklaratat kundër kultivimit të kanabisit në vend zunë pjesën më të madhe të fushatës. Por tashmë, Rama ka zbritur me “këmbë në tokë”. Ka mbledhur taskë forcën për drogën dhe dhënë ultimatum që deri në fund të vitit, i gjithë territori i vendit duhet të pastrohet nga e keqja, madje edhe nga mikrobet e gjalla të cilat sipas tij janë duke i marrë frymën qytetarëve. Ka urdhëruar që Policia e Shtetit të përgatitet për një mision tepër të rëndësishëm, e jo vetëm. Ky operacion sipas Ramës duhet të nis menjëherë me rënien e fluksit të turistëve. “Menjëherë me rënien e fluksit të turistëve të vihet në zbatim duke kontrolluar automjetet e këtyre personazheve. Të vihen para përgjegjësisë për të justifikuar vlerat marramendëse të automjeteve të tyre dhe aseteve të tyre që të bëhet transparencë dhe pastaj të përgjigjen aty ku duhet, para prokurorisë dhe gjykatës”, tha Rama”. Pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi i menjëhershëm i kreut të PD-së Lulzim Basha i cili me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook shkruan se ‘koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Saimir Tahiri’. Sipas tij edhe Klemend Balili nuk do të arrestohet ndonjëherë. “Me seriozitetin tragjiko-komik që e ka pushtuar, Edi Rama shpalli sot para botës një tjetër betejë historike: Luftën heroike kundër kanabisit dhe grupeve kriminale të lidhura me drogën. Por, tashmë, dihet se heroizmi i vetëm i Ramës është të arrestojë keqbërësit e vegjël, ata që nuk janë aq të mëdhenj sa të kenë lidhje me pushtetin. Koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Saimir Tahiri, aq sa edhe partnerët e huaj i vunë ultimatumin Ramës për largimin e tij, si kurrë ndonjëherë. Por ata që presin që aksioni i Ramës të prekë Tahirin do të zhgënjehen”, shkruan Basha.
Sigal