Droga, propozimet e Tahirit, flasin Eduard Halimi, Sandër Simoni, Ylli Kameri

781
Kodi Penal pritet t’i nënshtrohet sërish një arnimi nga ligjvënësit. Këtë radhë bëhet fjalë për nenin që flet për dënimin e trafikantëve të drogës
Teksa vendi është i pushtuar nga kanabisi dhe ndërkombëtarët kanë vënë alarmin për të kryer sa më shpejt ndërhyrjet e mundshme dhe zhdukjen e këtij fenomeni, duket se qeveria ka gjetur një formë për të zbutur situatën. Përmes ish-ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri është prezantuar nisma për disa ndryshime të Kodit Penal e konkretisht të neneve që flasin për dënimet e personave që akuzohen për kultivim, përdorim e trafik ndërkombëtar të drogës. Kjo është një sime e cila më herët është kërkuar nga drejtues të Gjykatës së lartë. Por askush nuk është kujdesur që në ndryshimet e bëra në vitin 2013 dhe 2014 të ndërhyhej në këto nene. Për herë të parë në ndryshimet që propozohen thuhet se nuk duhet të dënohet njësoj si ai që kapet me një gram hashash dhe ai që kapet me tonelata . Kjo është një nismë e hershme. “Kam rikujtuar për Parlamentin propozimet që kam bërë një vit më parë disa ndryshime në kodin penal lidhur me kultivimin dhe trafikimin e drogës. Unë e quaj të pashembullt, është vetëm Shqipëria vendi ku lejohet të dënohet njëlloj si ai që kapet me 1 gram hashash si ai që kapet me tonelata, si ai që kultivon 10 rrënjë hashash dhe është një qytetar i republikës në një zonë të thellë, si ai që kultivon hektarë të tëra, këta dënohen njëlloj”, shprehet Tahiri. Më tej ai theksoi se kjo deri më sot ka shërbyer për gjykatën si një mënyrë për të pasur më shumë padrejtësi dhe më shumë korrupsion duke dënuar ata që nuk kanë mundësi dhe duke lëshuar nga duart e drejtësisë ata që kanë mundësi të korruptojnë gjykatën. Lidhur me këtë nismë ne pyetëm disa juristë të njohur në vend. Ish-ministri i Brendshëm Eduard Halimi, u shpreh se nisma të tilla nuk kanë asnjë vlerë nëse qeveria nuk do të arrestojë peshqit e mëdhenj të trafikut të drogës. Ndërkohë Kryetari i Gjykatë së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, u shpreh për gazetën “Telegraf” se një kategorizim të dënimit për akuzën e trafikut të drogës e ka kërkuar më herët. Ai tha se Kodi penal aktual i fut të gjithë në një kategori dhe nuk bënë diferencime. Në të njëjtën linjë është edhe avokati Ylli Kameri, anëtar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Ne u drejtuam juristëve të njëjtën pyetje. 
Ish -ministri i brendshëm Sajmir Tahiri ka dorëzuar në Kuvend një nismë përmes së cilës kërkohet kategorizimi i masës së dënimit për personat që akuzohen për trafik droge. Është menduar që kultivuesit dhe ata që kapen me sasi të vogla të dënohen me 5 – 7 vite burg, ndërkohë ata që akuzohen për trafik ndërkombëtar të dënohen 15 deri 25 vite. Mendoni se kjo strategji do të na çojë në një drejtësi penale dhe do arrijë të kapë peshqit e mëdhenj të trafikut të drogës?
Eduard Halimi ish-Ministër i Drejtësisë
Problemi është se nuk kapen trafikantët, por kapen punëtorët e kanabisit (deklaratë e kryetarit të gjykatës). Problem është se shefat e policisë bashkëpunojnë me trafikantët dhe nuk kapen, as ata dhe, as shefat. Po nuk u kapën peshqit e mëdhenj, nuk luftohet kanabisi. Po nuk u kapën peshqit e mëdhenj nuk ka kuptim ashpërsimi i dënimeve. Që të dënohesh duhet të kapesh, arrestohesh, hetohesh e gjykohesh. Ndaj e gjithë kjo që bëhet është e pavlerë. 
Sandër Simoni Kryetar i gjykatës së Krimeve të Rënda
Pak a shumë. Ne kemi propozuar kohë më parë që masat e sanksionet të jenë proporcionale në raport me formën e kryerjes, sasinë e llojin, duke parashikuar masa më të larta për organizatorët e trafikantët e sasive të mëdha të lëndëve narkotike apo lëndëve të forta që importohen nga jashtë. Ndërsa masa më të ulëta për personat që kultivojnë sasi të vogla kanabis apo tentojnë të kalojnë jashtë territorit sasi të vogla të lëndëve burimore si kanabisi, kur kjo kryhet për nevoja jetese siç ndodh zakonisht. Kodi aktual nuk bën dallim për këtë , duke parashikuar të njëjtin minimum dënimi 7 deri në 10 vjet për të dy kategoritë. 
Ylli Kameri, anëtar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë
Si grup interesi, bashkë me shoqatën e “Avokateve Penalistë”, kemi përkrahur ndryshimin e formulimit të nenit 283 të Kodit Penal. Në mënyrën se si ka qenë formuluar kjo dispozitë, ishte pa opsione, sidomos për subjektet në politikën penale të parandalimit apo të përpjekjeve kundër trafikut të paligjshëm të drogave narkotike dhe lëndëve psikotrope. Kjo për arsye se parashikonte marzhe të larta dënimesh, pavarësisht, llojit të lëndës narkotike, sasisë, por mbi të gjitha qëndrimit rehabilitues, që, mbante subjekti i proceduar. Natyrisht edhe dispozitat e ndërvarura kishin një formulim të tillë, pra ligjvënësi e ka parandjerë shtresëzimin e klasave përdoruese të lëndës narkotike, edhe sidomos rrezikshmërinë e lartë që paraqesin grosistët. Nëse nga deputeti është mbajtur një qëndrim i tillë, ai është në raport të pranueshëm edhe të pëlqyeshëm me frymën e Ligjit nr.8723 datë 26.12.2000 Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në “Konventën e vetme mbi drogat narkotike, e ndryshuar nga Protokolli i vitit 1972 për ndryshimin e Konventës së vetme mbi drogat narkotike, 1961”. Nëse jo, atëherë mund te themi që , dënimet , 1- 3 vjet burg për sasitë e vogla , 3- 7 vjet burg për sasitë mesatare, 5- 10 vjet burg për sasitë e mëdha apo dënimet për trafikantët 1- 5 vite burg për sasitë e vogla, 10 vite burg për sasitë e mëdha do të na kthente të gjithëve në sipërmarrës e ndërtues burgjesh, gardianë të njerëzve të uritur për të fituar shpejt edhe për t’ia hedhur varfërisë me një çast.
Ja çfarë parashikon Kodi Penal aktual 
Mbajtja, shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi i substancave narkotike, psikotrope, ose i farërave të bimëve narkotike, si dhe mbajtja në një sasi më të madhe se ajo që me ligj konsiderohet për konsum vetjak, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, në varësi të llojit dhe sasisë së lëndëve narkotike të mësipërme, dënohet si më poshtë:

a)Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është deri në 100 gram, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

b)Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” si dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 100 gram deri në 1 kg, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

c)Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 1 kg deri në 10 kg, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
d)Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 10 kg, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. 
Kur vepra e mësipërme kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
Kur vepra e mësipërme kryhet në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë”, apo çdo lloj lënde narkotike e ndryshme nga “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime, dhe sasia është deri në 1 kg, dënimi me burgim në minimum shtohet me 1 vit dhe në maksimum me 3 vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.”
Sigal