Droga në kamionin e familjes Sejdini, prokuroria intensifikon hetimet

540
Ndryshoi destinacionin e kamionit me 8 ton drogë, nën hetim agjencia e bashkëshortes së Qazim Sejdinit. Merren në pyetje doganieret e arrestuar
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka intensifikuar hetimet lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës ku janë marrë në cilësinë e të pandehurve 19 doganier të Portit të Durrësit. Nën hetim sipas burimeve nga organi i hetimit është përfshirë edhe agjencia “Ujori shpk:, e cila drejtohet nga bashkëshortja e kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Sipas prokurorëve, ka qenë pikërisht kamioni i kësaj shoqërie, ai të cilit i është ndryshuar destinacioni dhe ka kaluar përmes doganës së Durrësit pa iu nënshtruar kontrollit drejtë vendit fqinj, ku edhe është pikasur. Për trafikimin e 8 tonëve hashash, Prokuroria ka përfshirë në hetime dhe agjencinë doganore “Ujori shpk”. Në materialin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se agjencia doganore, që ka kryer procedurat e tranzitimit në Shqipëri të kamionit që vinte nga Maqedonia dhe që është bllokuar me 8 ton drogë në Itali, rezulton se është në pronësi të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, Xhuljana Sejdini. Burimet e organit të hetimit bëjnë me dije se aktualisht hetimet janë intensifikuar. Vazhdon marrja në pyetje e personave nën hetim. Në këtë kontekst pritet që në prokurori të thirret për të dëshmuar edhe Xhuljana Sejdini dhe përfaqësues të tjerë të kësaj shoqërie, të cilët kanë pasur dijeni për lëvizjen e kamionit. Kjo kompani, ka si administrator Rezarta Shehun, por sipas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ajo rezulton si pronë e bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Elbasanit. Kompania “Ujori Shpk”, si përfaqësues të saj në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës kishte shtetasin Maliq Kadilli, tashmë i arrestuar nga Prokuroria për Krime të Rënda. I dyshuari Kadilli në emër të agjencisë doganore “Ujori shpk”, ka përpiluar dokumentet për hyrjen dhe tranzitimin e kamionit që drejtohej nga i arrestuari në Itali, Zoran Stanojoski. Agjencia doganore “Ujori”, fillimisht në doganën shqiptare ka deklaruar se kamioni me drejtues Stanojoskin, kishte si destinacion dalje nga Shqipëria pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Por rreth mesditës së datës 5 shkurt 2017, i arrestuari Kadilli i është drejtuar doganës shqiptare, me një kërkesë, duke kërkuar ndryshimin e destinacionit të kamionit. Sipas kërkesës, dalja e kamionit që drejtohej nga Stanojoski nuk do jetë Hani i Hotit por pika e kalimit kufitar të portit të Durrësit, pasi deklarata e parë është bërë gabimisht. Kamioni, mësohet se në portin e Durrësit nuk i është nënshtruar kontrollit të imtësishëm pavarësisht ndryshimit të destinacionit duke hipur kështu në tragetin e linjës Durrës-Ankona. Por me të mbërritur në portin e Ankonës, autoritet italiane kanë konstatuar se brenda rimorkios së kamionit ishin fshehur 8 ton hashash, të cilat u bllokuan me cilësinë e provës materiale. Ka dyshime të forta se shoqëria e bashkëshortes së kryebashkiakut të Elbasanit mund të jetë e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Kjo për faktin se përfaqësuesi i tyre në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, tashmë është arrestuar dhe dyshohet se është pjesë e rrjetit të trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për llogari të këtij hetimi, mësohet se prokuroria ka sekuestruar të dhënat e kompanisë në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe po verifikohen të gjitha praktikat dhe procedurat e ndjekur nga kjo kompani në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës dhe portit të Durrësit.
Sigal