Droga e Habilajve, Tahiri përballje politike me prokurorinë: Nuk dorëzohem

169
Kërkon të hetohet sa më shpejt dhe të lirohet nga akuzat. Prokurorinë e konsideron të paaftë. Reagon PD, i kujton Tahirit se është nën akuzë
Betejën me drejtësinë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili akuzohet për trafik droge dhe korrupsion pasiv, është duke e zhvilluar nga ambientet e kryeministrisë. Ndërsa jemi në pritje të vendimit të parlamentit, nëse do të pranoi ose jo kërkesën e akuzës për heqjen e imunitetit, Tahiri nga ana e tij është duke bërë përpjekje të shumta për të treguar se është i pafajshëm dhe nuk ka qenë në asnjë rast apo rrethanë pjesë e ndonjë grupi të strukturuar kriminal që merret me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Prokuroria e ka akuzuar drejtpërdrejtë për përfshirje në trafik droge me rrejtin e trafikantëve drejtuar nga Moisi Habilaj. Në një dosje voluminoze , të drejtësisë italiane, ndodhen edhe disa përgjime, ku përmendet emri i ish-ministrit. Por ky i fundit edhe në daljen e djeshme, u orvat të fshihej pas një kamionisti. Tha në një konferencë për shtyp nga kryeministria se ishte i pastër dhe se personi me emrin Saimir që është dëgjuar në përgjime është i një kamionisti dhe se ai asnjëherë nuk ka drejtuar kamion. Duket se në këto momente, Tahiri është duke” luajtur” me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndërsa mori krahë nga kolegët e tij deputet se nuk do të dorëzohej tek prokurorët për të dhënë më pas llogari në gjykatë, Tahiri përmes avokatëve të tij mbrojtës, iu drejtua autoriteteve të drejtësisë në Katania të Siçilisë, prej nga ku mori edhe lajmin se nuk ishte në ndjekje penale nga prokuroria e këtij vendi, e cila heton për vëllezërit Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij prej katër vitesh. Tahiri tregoi dje se është i pastër dhe nuk ka frikë të hetohet. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka bërë dje një kërkesë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku kërkon që hetimet të vijojnë pa ndërprerje. Nëpërmjet avokatëve Artan Hajdari dhe Maksim Haxhiaj kërkohet që “Të thirremi në një kohë sa më të shkurtër për të dhënë deklarime, si dhe për t’u marrë në pyetje dhe dhënë shpjegime për çdo fakt që nga ana e organit të akuzës do çmohet i vlefshëm dhe në ndihmë të hetimit”. Më tej avokatët thonë se klienti i tyre Saimir Tahiri, kërkon ti japë rrugë hetimit dhe të zbardhet e vërteta lidhur me pozicionin e tij.