Dritëroi i kujton Ilir Metës tradhtinë e Ahmet Zogut

117

Konventa  Kombëtare e LSI-së u mbyll me miratimin e ndryshimeve në statut dhe të programit të kësaj force politike

Konventa Kombëtarë e LSI-së mori një tjetër vlerë dje me përshëndetjen që i bëri shkrimtari i shquar Dritëro Agolli. I njohur jo vetëm si shkrimtar dhe poet i madh, por dhe si një ikonë politike e së majtës shqiptare, Dritëro Agolli bëri dje një akt shumë të rëndësishëm për jetën politike të vendit. Me stilin e tij karakteristik, ku përfshihen humori me seriozitetin maksimal dhe ironia me zemërimin, ai i kujtoi Ilir Metës dhe pjesëmarrësve në Konventën e LSI-së tradhtinë e Ahmet Zogut. Sepse shkrimtarit të shquar i duket paradoksal fakti që në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare të ngrihet më lart figura e Ahmet Zogut se ajo e Ismail Qemalit. Dritëroi është shprehur me indinjatë edhe herë të tjera kundër shtrembërimeve të historisë në emër të rishikimit dhe rishkrimit të saj, por këtë radhë indinjata e tij bëhet edhe me madhe kur në një vit jubilar si ky të bëhen shtrembërime dhe abuzime të tilla me historinë. Por në këtë rast ka rëndësi edhe fakti se kujt iu drejtua Dritëroi. Ai e di mjaft mirë se Meta është aleati kryesor i kësaj qeverie, por në të njëjtën kohë, LSI ndahet me këtë maxhorancë në disa pika kyçe sikurse është Lufta Antifashiste, dëshmorët asaj lufte dhe dita e Çlirimit të Shqipërisë. LSI-ja është shprehur vendosmërisht në mbrojtje të kësaj lufte dhe të datës 29 Nëntor si ditë e Çlirimit. Por kjo maxhorancë aktualisht po i bën një mbrojtje të zjarrtë figurës së ish-Mbretit Zog. Dhe, më shumë se vlerësimi për Ahmet Zogun, që iku nga Shqipëria në momentet dramatike të pushtimit të vendit nga fashistët italianë, shkrimtarin e zemëron nënvlerësimi që i bëhet Ismail Qemalit, njeriut që ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë 100 vjet më parë. Me këtë mesazh që i drejtoi dje LSI-së i tha kësaj force politike që të ndahet edhe në qëndrimin ndaj figurës së Ahmet Zogut nga maxhoranca aktuale. Qëndro i majtë dhe mbahu tek vlerat e patjetërsueshme të këtij kombi, sikur I tha dje Dritëroi Ilir Metës. Një pjesë e mirë e delegatëve të Konventës së LSI-së u kënaqën nga fjalët e Dritëroit, sepse ata e dinë fare mirë që Ahmet Zogu njihet si ekzekutor i Riza Cerovës, atdhetarit të shquar të Skraparit. Dhe Skrapari është një nga bastionet e LSI-së, Ilir Meta u bë faktor politik dhe erdhi në pushtet kryesisht me votat e skraparllinjve. Por sido që të vijë puna, skraparllinjtë do ta nderojnë siç e kanë nderuar Riza Cerovën. Ndërkaq disa anëtarë të LSI-së e dinë mirë edhe faktin se familja e kryetarit të tyre ka një adhurim të shfaqur për familjen mbretërore. Ishte zonja Kryemadhi ajo që doli dhe e priti me lule dhe dashuri ish-gruan e Ahmet Zogut, Geraldinën, kur ajo u rikthye në Shqipëri disa vjet më parë.  Kështu u lexua dhe u kuptua dje mesazhi i Dritëroit nga delegatët e Konventës së LSI-së. Sepse, në fund të fundit, ky dukej se ishte thelbi i mesazhit të shkrimtarit.

PËRSHËNDETJA E DRITËRO AGOLLIT

Të dashur miq dhe delegatë të Konventës së LSI-së, i dashur Ilir, kryetar i LSI-së. Në këtë ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për partinë tuaj por dhe për vendin e shqiponjave, unë mund t’ju isha drejtuar edhe me fjalën, të dashur shokë. Por meqë fjalën shokë, e përdorur nga rilindësit dhe parademokratikasit, ka marrë kuptim klasor, përdora, të dashur miq. Duke shkruar këto radhë të kësaj përshëndetjeje m’u kujtua një poezi e Naim Frashërit me të cilën shpreh për herë të parë, një zemërim apo revoltë ndaj shqiptarëve të ndarë nga njëri-tjetri. Dhe në mënyrë metaforike ai shkruan duke përdorur fjalën shokë: Ejani këtu o shokë, mblidhuni kokë më kokë, te unë, ja si te kjo Konventa juaj, kokë më kokë. A ka ndonjë kuptim klasor fjala shokë? Pse kujtojmë ne, që Naimi nuk mund t’i vinte fjalën Zotëri në vend të Shokë? Dhe ne të shprehemi, ejani këtu zotërinj. Plaku është një qenie e veçantë, dëshiron të flasë gjatë ose të heshtë gjatë. Dhe unë bëra një hyrje të gjatë por mendoj se mikrobi i shumëfjalësisë më ka infektuar nga ata që kanë një çerek shekulli që në fjalimet e tyre, bëjnë të njëjtën hyrje, ose arrogante ose mendjemadh. Francezët thonë: ‘ekstremet puqen’. Domethënë arroganca të shpie në mendjemadhësi dhe mendjemadhësia në arrogancë. Ju të dashur delegatë, mbrohuni nga këto dy vese që gjymtojnë kulturën e demokracisë. Sharjet, thashethemet shpifjet, ndërhyrjet në jetën intime, kërcënimet për burgosje madje edhe për vrasje që bëhen në parlament dhe që duartrokiten ose dhëmbëzbardhësohen, janë pisha të ndezura që i vënë flakën shoqërisë. Dhe nuk janë qirinj të ndezur për qetësi dhe paqe. Por unë besoj se kjo Konventë apo shqip, Kuvend të kulturuarish dhe të maturish, do të marrë vendime apo nisma për ta shuar këtë pishë antikulture pasi nuk duam që ajo të përhapet në shoqëri. Ne jemi krenar se sivjet po festojmë 100 -vjetorin e Pavarësisë të ngritjes së flamurit nga Ismail Qemali. Kur them ne, them për të gjithë shqiptarët, dhe gjitha partitë, shoqatat apo grupet e njerëzve. Por dua të them që, flamurin në Vlorë nuk e ngriti asnjë parti. Në atë kohë, në botë ishin partitë demokratike dhe komuniste. Sot festimet i kanë marrë përsipër vetëm disa njerëz dhe meqë kanë mall për Mbretin, mendojnë se Ahmet Zogu, është ai që bëri shtetin dhe bëri sakrificën që iku nga Shqipëria më 1939 me pushtimin fashist. Në këtë 100 vjetor të ngritjes së flamurit në Vlorë, i bëhen lavde Ahmet Zogut sikur ai ka ngritur flamurin në Vlorë dhe Ismail Qemali ishte një vjedhës emrash. Kështu thonë ata të quajturit çmitizues apo antiheronj, imitues të periudhës së parë të revolucionit francez. Do të kthehem te Naim Frashëri: Ejani këtu o shokë, mblidhuni kokë më kokë. Dhe unë do t’ju them: Rrofshi, nuk do t’ju them ju bekoftë Zoti. Pasi Zotin ne e kemi bërë nëpunës me rrogë. Ju përqafoj, Dritëroi!

MIRATOHEN NDRYSHIMET NË STATUT DHE PROGRAMI

Konventa  Kombëtare dy ditore e LSI është mbyllur me miratimin e ndryshimeve ne statut dhe të programit të kësaj force politike për 4-vjeçarin e ardhshëm. Kreu i LSI-së Ilir meta  në fjalën përmbyllëse të konventës ka vlerësuar ndryshimet në statut për barazinë gjinore dhe uljes së moshës së anëtarësimit në këtë forcë politike. Meta gjithashtu theksoi se situata aktuale në vend nuk përballohet duke tejkaluar realitetin po as duke e nxirë atë.

Sipas ndryshimeve në statutin e LSI, gjysma e anëtarëve te forumeve të kësaj partie do te jene gra e vajza, ndërsa anëtarësimi ne LSI  me të drejtë vote mund te behet që në moshën 16 vjeçare, nje ndryshim ky i propozuar nga LRI. Konventa Kombëtare Zgjedhore e LSI ka mbyllur po ashtu edhe votimin për forumet drejtuese të kësaj force politike përmes votimit elektronik i cili u aplikua për herë të parë në vendin tonë. Zoti Rama siguroi se procesi i votimit ka qenë tërësisht transparent ndërsa rezultatet e tij do të publikohen ditën e hënë. Konventa kombëtarë e LSI u shoqërua edhe me një konkurs në rrjetet sociale “Twitter” dhe “Facebook” për statusin më të bukur lidhur me punimet e saj,  ku u fituan dy Iphone 5.

 

MESAZHET E DELEGATËVE

Risi jo vetëm në organizim dhe konceptim, por mbi të gjitha në mesazhet që u përcollën, në përfaqësim dhe në vizion. Kështu e vlerësojnë delegatët Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Shumë prej tyre, konsiderojnë se pjesëmarrja nga të gjitha trojet kombëtare, i kanë dhënë kësaj Konvente një domethënie thellësisht shqiptare. Përfaqësimi i Lëvizjes Rinore për Integrim në strukturat më të larta vendimmarrësve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, flet qartë për orientimin e kësaj force politike drejt hapjes ndaj politikave që vetë të rinjtë ndërmarrin.