Dritan Ylli: Shqipëria evropiane, vetëm me LSI në drejtim të qeverisjes së ardhshme

791
Drejtori i Inspektoratit të Punës Dritan Ylli, kandidat I LSI për Qarkun e Shkodrës, flet për situatën politike, zgjedhjet e 18 qershorit dhe besimin se forca që ai përfaqëson do ketë shumicën në Kuvendin e ardhshëm

Alma Çuka
Dritan Ylli, i dyti në listën e kandidatëve të LSI për Qarkun e Shkodrës, zgjedhjet e 18 qershorit i konsideron të pazakonta në këto 26 vite pluralizëm. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Ylli është i bindur për situatën në të cilën partitë e regjistruara janë duke shkuar drejt këtyre zgjedhjeve, por shprehet se qytetarët do të jenë të vetëdijshëm për forcën që duhet të votojnë. Kriza politike, mungesa e dialogut mes palëve, mos toleranca e liderëve kryesor, kauza e Partisë Demokratike, roli i LSI në gjithë këtë vorbull, janë disa nga pikat të cilave u jep përgjigje në këtë intervistë, Drejtori i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli. Është i sigurt se në këto zgjedhje LSI do të jetë forcë e parë në të gjithë vendin. Rinia, sipas Yllit, është forca e cila i duhet më shumë se kurrë Kuvendit të ardhshëm. “LSI me liderin e saj në krye të shtetit, do të dije të jetë forcë e parë dhe të punojë për Shqipërinë Evropiane”, – thotë Dritan Ylli.
Kandidoni për herë të parë për të qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën e ardhshme. Çdo të thotë për ju kjo garë ?
Në fakt është hera e dytë që kandidoj për të qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Përpara 4 vitesh, kam qenë pjesë e listës përfaqësuese të LSI për qarkun e Tiranës. Në këto zgjedhje Lideri i LSI, z.Meta dhe Kryesia e saj vendosën që unë të isha pjesë e listës përfaqësuese të qarkut Shkodër, duke më plotësuar dhe një dëshirë që ka bashkëjetuar me mua që nga momentet e para që kam nisur rrugëtimin tim në politikë. Si gjithë shkodranët, që jetojnë në Tiranë, apo kudo tjetër brenda apo jashtë Shqipërisë, unë nuk i kam shkëputur asnjëherë lidhjet e mia shpirtërore, familjare, fisnore apo dhe miqësore me Shkodrën. I jam shumë mirënjohës Kryetarit të LSI, Ilir Meta që më dha mundësinë të jem pjesë e listës prej 11 kandidaturave me shumë vlera, që do përfaqësojnë nesër në Kuvendin e Shqipërisë qytetarët e Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Fushë Arrësit dhe të Vaut të Dejës. E shoh veten krejtësisht të gatshëm për të qenë një kontribuues në fitoren e LSI në qarkun e Shkodrës sot dhe i palodhur dhe vullnet plotë, që së bashku me deputetin më të përkushtuar dhe popullor Agron Çela dhe deputetët e tjerë të LSI që do dalin në këtë qark, të punojmë fort për të bërë punë të mira në shërbim të bashkëqytetarëve tanë. 
Jemi në një moment kur në zgjedhje duket se do të shkojnë vetëm partitë e dala nga koalicioni i majtë. Si vjen kjo situatë nga këndvështrimi juaj?
Unë e kam shprehur dhe herë të tjera, që nuk është aspak një situatë normale. Vendi duhet të shkonte dhe të shkojë në zgjedhje me standarde demokratike, me pjesëmarrjen e opozitës, pavarësisht se kush e përfaqëson sot atë dhe sa e fortë apo e dobët është forca që e përfaqëson. Është një fushatë jonormale, që pas 27 vitesh pluralizëm të shkojmë në zgjedhje pa opozitën dhe alternativën e saj. Megjithatë LSI konkurron me dinjitet dhe ballin lart përpara qytetarëve në këto zgjedhje, si forcë alternative me programin e saj, filozofinë dhe lidershipin e saj.
Zyrtarisht fushata ka nisur. Por, nga ana tjetër lidershipi i PD deklaron çdo ditë nga çadra se nuk do të ketë zgjedhje. A mund të gjendet një zgjidhje ?
Besoj se ka akoma vend dhe hapësirë për dialog, për zgjidhje dhe për një kompromis për të arritur tek një proces zgjedhor të qetë, të lirë dhe demokratik. 
Sipas mendimit tuaj, kush duhet të lëshojë më shumë terren në këto momente ?
Kërkesat e opozitës parimisht dhe në tërësinë e tyre janë të drejta dhe krijimi i një mjedisi të sigurtë për zgjedhje të lira dhe demokratike, duhet të ishte një prioritet për të gjithë forcat politike të përgjegjshme dhe sidomos për opozitën. Por unë mendoj, se lidershipi i PD ka qenë i paqartë dhe i pavendosur në hezitimin e tij për të bërë një reformë zgjedhore gjithpërfshirëse, me ato standarde që duhet për t’ju dhënë qytetarëve mundësinë për të votuar të qetë dhe zgjedhur forcën politike që ata besojnë më shumë. LSI në mënyrë të vazhdueshme ka apeluar për Reformën zgjedhore, dhe sot jemi shumë vonë, ndaj dhe nisur nga kërkesat disi të ekzagjeruar tashmë të zotit Basha, është shumë e vështirë të thuhet se kush duhet të lëshojë më shumë terren. Për më tepër që ka informacione që mazhoranca ka lëshuar terren, duke mos u pranuar nga opozita që është e vendosur mesa duket për qeverinë teknike. Mendoj që akoma ka mundësi nga të dy palët, jo thjesht për të lëshuar terren, por për të kontribuuar në gjetjen e një kompromisi për zgjidhje.
Pse PD dhe PS nuk gjejnë një gjuhë të përbashkët ?
Këtë absurditet dhe papërgjegjshmëri që e krijuan të dy forcat në kurriz të stabilitetit të vendit dhe shkaktarë të një stresi të pamerituar për qytetarët, frikës dhe tkurrjes së sipërmarrjes private, mund ta lexoj, veçse në dy drejtime; frikë nga rritja e LSI dhe ndoshta frikë nga vota e lirë. Të dy faktorët po kontribuojnë që të mos ketë proces normal zgjedhor në Shqipëri. 
A do të kishim një Kuvend jetëgjatë me rezultatet e dala në zgjedhjet e 18 qershorit?
Ne sot përjetojmë një situatë absurdi politik dhe në të tilla situata nuk mund të bëhen parashikime aspak të sakta. Vendi ka nevojë për një Kuvend ndryshe nga ai çka kemi parë gjatë katër viteve të kaluara, ku të ketë dialog dhe debat konstruktiv dhe me energji pozitive për të miratuar ligje dhe reforma në shërbim të stabilitetit, zhvillimit, një edukimi më cilësor për brezin e ri, punësimit të denjë dhe të mirëpaguar dhe rritjen së mirëqenies së qytetarëve. 
LSI është një nga forcat e cila deri tani duket se ka bërë përpjekjet më të mëdha për të zgjidhur ngërçin. Mes një klime të pafavorshme për dy forcat e mëdha politike, kush mendon se përfiton më shumë dhe humbet më shumë ?
Mendoj që fiton, ashtu siç e thoni dhe ju, ajo forcë politike që përpiqet dhe ofron vullnet për dialog dhe zgjidhje në funksion të qëndrueshmërisë dhe zhvillimit. Padyshim që qytetarët e dallojnë mirë , cila është kjo forca që është investuar gjithnjë dhe pa u lodhur, me thjeshtësi dhe jo arrogancë , që mendon gjithnjë për interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo për interesat meskine politike apo klano-politike. Kjo forcë , është padyshim Lëvizja Socialiste për Integrim. 
LSI forcë e parë…sa e sheh Dritan Ylli në terren këtë ?
LSI forcë e parë nuk është slogan elektoral, LSI një shans për të gjithë, po. LSI forcë e parë është tashmë një realitet në shumë zona të vendit. LSI është forcë e parë në Pukë, Fushë Arrëz, Malësi të Madhe, në disa zona të qytetit të Shkodrës, që është forcë e dytë pas PD, si dhe është forcë e parë në disa zona në Tiranë , Gjirokastër dhe në shumë qarqe të vendit. Po them se nuk është slogan elektoral, pasi çdo ditë jemi në terren, komunikojmë me qytetarët, kemi sondazhet tona dhe natyrisht e ndjejmë dhe e prekim çdo ditë sa e mirë organizuar është LSI dhe sa hapa para me motivim dhe energji jemi në raport me forcat e tjera politike. Shkurt , jemi të gatshëm për të qenë realisht forcë e parë në këto zgjedhje. Po jua them me bindje, që në qarkun e Shkodrës, ku unë po punoj tashmë çdo ditë, LSI është forca më e mirë organizuar dhe më e motivuar se çdo forcë tjetër politike në Shqipëri. 
Si do të jetë LSI, pa Kryetarin e saj Ilir Meta?
LSI me Ilir Metën Kryetar Shteti dhe duke dalë fituese në këto zgjedhje, do jetë forca që do të drejtojë dhe ofrojë një qeverisje më të mirë për shqiptarët, stabilitet dhe gjithë përfshirje, reforma dhe zhvillim më të qëndrueshëm në shërbim të rritjes së mirëqenies së familjeve. Por, mbi të gjitha do të sjellë një tjetër perspektivë evropiane për të rinjtë që të jetojnë dhe zhvillojnë aspiratat e tyre në këtë vend kaq të bukur dhe me kaq shumë potenciale për zhvillim. 
A janë të rinjtë shpresa për dyfishim e votave të LSI ?
Të rinjtë do të garantojnë një fitore të madhe të LSI, duke dalë forcë e parë dhe do të jenë padyshim një shpresë dhe mundësi të jashtëzakonshme për të bërë një Shqipëri më të mirë dhe më të dashur për të jetuar për çdo përfaqësues të brezit të tyre dhe për të gjithë ne. Jo më kot LSI ka investuar gjithnjë te të rinjtë, duke i dhënë një hapësirë siç nuk e ka asnjë forcë tjetër politike, sepse rinia do të bëjë diferencën e një drejtimi ndryshe të vendit. Më shumë të rinj të LSI në Kuvend dhe në qeverisje, do të jetë patjetër një energji, përkushtim dhe klimë më e favorshme për ta çuar Shqipërinë drejt atyre standardeve që kërkohen për të qenë në ditën më të afërt, pjesëtarë me dinjitet në familjen e BE-së. Dhe, duke menduar dhe punuar më shumë për Shqipërinë, rrjedhimisht të rinjtë do të kontribuojnë gjithnjë për rritjen e pandalshme të LSI, siç ka ndodhur që nga krijimi i saj e deri më sot.
Jeni i dyti në listë për qarkun e Shkodrës. Çfarë duhet të presin qytetarët nga ju ?
Jo vetëm unë, por i gjithë ekipi fitues i 11-shes së LSI në qarkun e Shkodrës, të drejtuar nga një kapiten i suksesshëm siç është deputeti Agron Çela, do të jetë i palodhur, i përkushtuar dhe me vizionin dhe qartësinë e duhur për të bërë punë të mira në zhvillim të Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Fushë Arrësit, Vaut të Dejës dhe bashkëqytetarëve tanë. Ne kemi evidentuar të gjithë prioritetet ku duhet të ndërhyjmë, veçanërisht duke shfrytëzuar potencialet e mrekullueshme që ka ky qark për një turizëm të strukturuar në shërbim të punësimit me dinjitet të të rinjve, të bujqësisë dhe agrobiznesit, infrastrukturës zhvillimore , etj. Jemi të bindur që do të kemi mbështetje të pakursyer nga qeverisja e ardhshme e drejtuar nga LSI, për investime më të mëdha për zhvillimin e këtij qarku, siç ka bërë Ilir Meta gjatë kohës së tij si kryeministër, vepra madhore në infrastrukturë dhe jo vetëm, për Shkodrën dhe gjithë qarkun. 
Keni qenë në krye të një drejtorie të rëndësishme në vend… Ka Dritan Ylli një mesazh se çfarë mund të ishte bërë më mirë ?
Nëse do të nisja rishtas nesër, detyrën në krye të Inspektoratit të Punës, do të punoja fort bashkë me stafin për të njëjtat prioritete, që kanë rezultuar të suksesshme dhe të vlerësuara gjatë këtyre 4 viteve. Njohjen dhe rritjen e besueshmërisë së institucionit, vendosjen e një bashkëpunimi dhe komunikimi të pandalshëm me përfaqësuesit e biznesit, luftën kundër punës në të zezë, që sot rezulton në nivele shumë të reduktuara dhe minimale. Natyrisht që mund të ishte bërë më shumë dhe ka vend për të punuar fort në vijim për rritjen e një cilësie të marrëdhënies në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe një investim dhe kujdes më të shtuar nga të gjithë për të krijuar një mjedis për një punë të denjë dhe të mirë paguar. 
Sigal