Dritan Prifti:Vendimin për videon e mora i dehur

563
Sigal

Dritan Prifti: Ju rrëfej takimet e mia me Ramën, Gramoz Ruçin, Tom Doshin, darkat që kemi ngrënë  dhe pirë

Në një intervistë për TemA-n, dhënë gazetares  Lindita Çela, Dritan Prifti rrëfen takimet e fshehta me liderin socialist që në vitin 2011 kërkonte të denigronte me çdo çmim Ilir Metën. Prifti rrëfen qëndrimin e tij  për koalicionin e së majtës si dhe fatin e qeverisë së ardhshme, flet për koalicionet e pozicionin e tij në zgjedhjet e 23 Qershorit. Sa i përket Metës? Për Priftin nuk ka asnjë çudi nëse ai do i rikthehet miqësisë së vjetër me Sali Berishën….

Z. Prifti, tashmë që kanë kaluar më shumë se një javë nga koalicioni Rama- Meta, a ka kaluar në gojën tuaj shija e baltës për të përtypur një marrëveshje të tillë?

S’besoj se do më kalojë kjo shije për shumë kohë. Përpara se të shfaqja në emision “Fiks Fare” videon e Metës, Rama më ftonte çdo natë për të më mbushur mendjen ta shfaqja atë. Në fillim më kërkoi takim të fshehte tek hoteli i Tan Lepurit në plazh në Durrës. Ishte dhe Gramoz Ruçi e Tom Doshi në atë takim. Pastaj jam takuar fshehurazi tek zyra e Fidelit në Tiranë. Pastaj dhjetëra herë në Pezë. Pastaj tek hoteli i Dash Pezës. Pastaj tek shtëpia e Tom Doshit disa herë. Kemi ngrënë e pirë nëpër lokale të ndryshme. Më ka premtuar qiellin, vetëm tek shfaqja atë video kundër Metës. Donte ta shfaqte një ditë dhe më parë.

Ju lut vetë Top -Channel që ta shfaqte?

 Unë nuk pranoja ta shfaqja në dhjetor, sepse kishte përmbytje të mëdha në Shkodër dhe më dukej shumë cinike dhe mungesë respekti për ata njerëz që vuanin në Shkodër. Gjithë shteti ishte përqendruar për të ndihmuar të përmbyturit. Rama ngulte këmbë të nxirrnim videon, por unë pranova vetëm kur ikën përmbytjet. Kur botoi “Kurbanin”, Rama më telefonoi dhe më pyeti nëse më pëlqen përshkrimi që i ka bërë Metës. Pyeste dhe qeshte. Kur kujtoj ato kohë, më vjen ndot nga hipokrizia që shoh sot. Mbas denoncimit tim me video, por edhe në Prokurori e gjykatë të Ilir Metës, mbas shembujve të pafund të korrupsionit të zyrtarëve tëLSI-së në qeverisje 4- vjeçare me Berishën, partia e Metës ishte e sakatuar në sytë e elektoratit. Nuk e kuptoj arsyen pse Rama po e ringjall këtë forcë politike.LSIsot është me pak se 2% në sondazhe dhe nuk do merrte pothuaj asnjë deputetë në këto zgjedhje. Nuk e kuptoj çfarë e shtyu Ramën që t’i ofrojë Metës 4 vende deputetësh brenda listave të PS-së. Nuk e kuptoj pse duhej Rama t’i hiqte gjithë kartën morale opozitës për këto zgjedhje, duke e bërë veten thellësisht pis. Rama e pastroi Berishën nga pjesa më e përfolur e qeverisjes 4- vjeçare. Rama ka shokuar në maksimum elektoratin e majtë me këtë lëvizje, aq sa një pjesë e madhe e tij nuk shohin më arsye për të votuar. Në sytë e socialistëve të thjeshtë, Berisha, Meta dhe Rama tani janë prej një brumi dhe nuk motivojnë, nuk japin shpresë, nuk ofrojnë ndryshim.

Aktualisht në opinionin publik duket se janë të shumtë zërat që po kërkojnë ta justifikojnë këtë koalicion me qëllimin e vetëm  të largimit të Sali Berishës nga pushteti, ju i qëndroni kësaj teze?

Kjo lëvizje i ka dhënë shpresë Berishës për të rifituar zgjedhjet. Aleati i tij,LSI-ja nuk kishte asnjë shpresë të merrte ndonjë mandat në koalicion me Berishën. Duke kaluar majtas me PS-në, LSI-ja ka arsye të rimashtrojë të majtët, të marrë ndonjë votë më shumë. Unë jam i bindur, si drita e diellit, se Meta është akoma në marrëveshje të fshehtë me Berishën. Votat që do marrë majtas, ai përsëri do t’i çojë tek Berisha. Jam i sigurt që pas zgjedhjeve, Meta do t’i kërkojë Ramës të bëhet Kryeministër. Pas refuzimit nga PS-ja dhe Rama, kjo do t’i japë Metës motivin e duhur të shkojë përsëri tek Berisha. LSI-ja është si Kali i Trojës brenda koalicionit të majtë, është aty për ta shkatërruar të majtën, për të asgjësuar pjesën e shëndoshë të PS-së dhe për t’i shërbyer vetëm vetes në këtë histori.