Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë mbron mashtruesit e benzinatave, për vite me radhë

49

Ligji nuk e pengon publikimin e kompanive që na vjedhin‏ konsumatorët me karburante

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, pasi ka fjetur për një kohë të gjatë, apo nuk ka dashur të zbatojë ligjin, publikoi këto ditë një listë për pikat e shitjes të karburantit që vjedhin konsumatorët, duke u shitur atyre sasi më të vogël, pasi kishin manipuluar matësit.

Vërtetohet vjedhja e karburanteve, por nuk …ndalohet

Mirëpo, DPM-ja, nuk publikoi asnjë emër, nuk dha asnjë adresë se cilat ishin pikat e shitjes të karburanteve, ose e thënë ndryshe, benzinatat, që mashtronin klientët, duke u shitur faktikisht sasi më të vogël nga ajo që paguanin.

Mbrohen hajdutët e mashtruesit, në emër të…ligjit

 Kështu, klientët nuk kanë ide, se cilat benzinata i vjedhin, dhe DPM-ja, edhe pse ka konstatuar vjedhje dhe mashtrime, nuk u pret rrugën këtyre abuzimeve dhe u jep mundësinë që vjedhësit të vazhdojnë, me bekimin e DPM-së, vjedhjen sistematike në dëm të klientëve. DPM-ja, justifikohet se publikimin e emrave dhe adresave të benzinatave që vjedhin qytetarët, ia ndalon …ligji. Publikimi i emrave dhe i adresave të benzinatave që vjedhin karburant, nëpërmjet matësve, do të bënte të mundur edhe dënimin e tyre nga vetë klientët, duke i falimentuar, nga mosblerja dhe kështu, do t’i hapej rrugë e lirë edhe konkurrencës së ndershme.

Përgënjeshtrimi ndaj DPM-së, e cila bëhet palë me vjedhësit e karburanteve

Akti normativ që kërkoi të miratohet me urgjencë kryeministri Berisha pak ditë më parë, për të hequr barrierat ligjore që pengojnë publikimin e emrit të kompanive të karburanteve që mashtrojnë konsumatorët, nuk ka qenë i nevojshëm. Edhe pse një akt i tillë është përgatitur, zëvendës ministri i Ekonomisë Eno Bozdo, thotë se, ligji nuk e pengon një gjë të tillë. “Projekt-akti është përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, pas konsultimeve juridike. MegjithatëMETEmendon se kuadri ligjor në fuqi, ligji për metrologjinë dhe inspektimit, ka hapësirat e nevojshme, madje mban detyrimin ligjor që rezultatet të bëhen publike në të mirë të interesave të konsumatorit”,- deklaroi Bozdo.

Neni 5 i Metrologjisë, lejon publikimin e emrave dhe adresave të vjedhësve të karburanteve

Zëvendës ministri i Ekonomisë Eno Bozdo thotë se, në nenin pesë të ligjit për metrologjinë parashikohet publikimi i rezultateve të kontrollit, kur nuk cenohen të dhëna që konsiderohen konfidenciale, sikundër pretendon drejtoria e Metrologjisë. “Neni pesë i ligjit të metrologjisë shpreh detyrimin e DPM-së për publikimin e rezultatit, aty ku nuk cenohen të dhëna që konsiderohen konfidenciale dhe këto rezultate nuk cenojnë as të dhënat personale për subjektet, as ndonjë çështje që ka lidhje me sekretin tregtare”,- tha zëvendës ministri i Ekonomisë. Pak ditë më parë, Drejtoria e Metrologjisë tha se ka zbuluar 14 subjekte tregtare të karburanteve që mashtronin konsumatorët, duke vjedhur në sasi, pasi kishin manipuluar pompat dhe pajisjet matëse.  Por me gjithë këmbënguljen që u kërkua nga opinioni për të publikuar emrat e kompanive mashtruese, në mënyrë që konsumatorët të dinë dhe të mos i frekuentojnë, Metrologjia tha se kjo cenon të dhënat personale të tyre dhe u rrezikon biznesin. Në fakt deklarimet e Bozdos tregojnë se, ky ka qenë vetëm një interpretim i ligjit nga specialistet e metrologjisë, sipas interesave të tregtarëve dhe jo siç duhet. Pra më shumë se për të drejtat e konsumatorëve ky ent shtetëror është i interesuar për të drejtat e sipërmarrësve edhe kur ata e ngrenë  biznesin mbi vjedhjen dhe mashtrimin.

 “Kallëzim penal për shpërdorim detyre për zyrtarët që mbronin vjedhësit e karburantit”

 Altin Goxhaj, drejtori ekzekutiv i ZMK-së

 Altin Goxhaj, drejtori ekzekutiv i ZMK-së, ka reaguar ndaj pohimeve të zv/ministrit tëMETE, Enno Bozgo, se nuk ka nevojë për Akt Normativ, që të lejojë publikimin e vjedhësve të karburantit, pasi ligji aktual e lejon. Zoti Goxhaj, duke pohuar se këta vite të tëra mbrojnë spekulantët dhe vjedhësit e karburantit, në emër të …ligjit, duhet të kallëzohen penalisht, për shpërdorim detyre.  “Prej shumë vitesh këta maskarenjtë, me Eno Bozdon në krye, kanë fshehur të dhënat e hajdutëve të karburanteve dhe në çdo fushatë tjetër kontrollesh në emër të ligjit! Tani na del që ligji nuk i pengon!!! Kur Kryeministri u kërkoi të nxirrnin një Akt Normativ, që njerëzit të mësojnë se kush i vjedh, se sipas këtij Enos dhe ushtarëve të tij në institucionet e mbikëqyrjes së tregut nuk lejohej publikimi i të dhënave personale të biznesit, tani ndryshojnë versionin e justifikimit që nuk i pengoka ligji! Po nëse deri më sot ky Enoja i ka fshehur të dhënat, duke u fshehur pas ligjit, kush mban përgjegjësi për fshehjen e hajdutëve për vite të tëra me radhë??? Ju kam thënë gjithmonë, që ky tipi, Eno Bozdo, që e ka bërë emrin amerikan, me 2 “N” ka blloku çdo politikë konsumatore në Shqipëri, duke rrënuar në çdo projekt çdo rezultat të pritshëm të miliona eurove të sjella në Shqipëri për politikat e konsumatorëve! Këtij i vumë dhe njollën më të madhe të turpit në 14 Mars 2013 në mes të Bulevardit Dëshmorët e Kombit, si një ndër shkatërruesit e politikave konsumatore në Shqipëri. Ky, në bashkëpunim me “konsulent” të huaj, kanë 8 vjet që e kanë bërë të gjithë legjislacionin e konsumatorëve krejtësisht impotent, për t’i dhënë mundësi konsumatorëve të mbrohen!!! Ky meriton kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe është bashkëfajtor me hajdutët e konsumatorëve!!!”, – shkruan Altin Goxhaj.