Drejtori i shitjes në rafinerinë e Fierit. Kodra denoncon skandalin: Punonjësit e tatimeve i kërcënojnë me punën

577
Sigal

Bllokimi i rafinerive behet pa asnjë dokument ligjor

Të dërguarit e strukturave të caktuara të shtetit vijnë me qëllimin për të ndaluar aktivitetin e kompanisë ARMO, “sepse në të kundërt i heqin nga puna”. Ermir Kodra,  Drejtor i Shitjeve në rafinerinë  Fierit shpjegon publikisht represionin e deritanishëm ndaj kompanisë, por edhe rrezikun për banorët që jetojnë në zonën përreth saj. Një tjetër alarm ngrihet edhe për botet e mbushura me bitum, që janë bllokuar në doganë. Sipas Kodrës, ato nuk duhet të qëndrojnë më gjatë se 24 orë të ngarkuara, pasi kanë rrezik shpërthimi. “Në datën 3.7.2013 ka ardhur një urdhër shërbimi nga Task-Forca e Tatimeve të Tiranës. Sipas ligjit në qoftë se ke një objekt në kontroll duhet të caktosh emrin e objektit. Emri i subjektit ARMO nuk është shënuar në asnjë vend. Shkresa thotë “kontroll për pajisjen e udhëtarëve me bileta për transport”. Pra, që nga data 3.07.2013 deri më sot, në ditën e dytë të protestës nuk është asnjë urdhër me shkrim nga organet tatimore për kontrollin e dokumentacionit të automjeteve kur dalin me produkt. Për të bërë një sqarim tjetër, nga zoti Ardian Godo, përgjegjës i sektorit të zbatimit të Task-Force, është bërë një takim në zyrat e rafinerisë së Fierit. Është kërkuar nga ana e tij që në momentin para se të kërkohet të dalë automjeti të shikojë dokumentacionin, përkatësisht faturë TVSH dhe DSHA. DSHA është dokumenti i shoqëruar administrativ që në datën 1 tetor 2012 kompania jonë e parapaguan me ligjin e ri. Na lejoi shumë lirshëm që në të fusim automjetet. Janë ngarkuar autobotët, kemi futur zotërinë brenda, i kemi treguar dokumentacionin, e ka parë, është bindur që është në rregull dhe më ka thënë shprehimisht- “në qoftë se unë lejoj autobotin të dal, unë jam i hequr nga puna”. I thashë të më jep shkresën ligjore ku më pengon. “Nuk ka shkresë ligjore, ka vetëm një urdhër, që ti nuk do të nxjerrësh autobotet”. Ne kemi vazhduar sipas procedurave tona. Kemi lejuar automjetet. Në këtë moment kemi bërë kallëzim, kemi dërguar juristin tonë sepse nga ana e hetimit tatimor është bllokuar hyrja e rafinerisë dhe uzurpimi i pronës private. Kemi dërguar juristin tonë për kallëzim penal dhe jo që nuk është marrë kallëzim penal, por aktualisht për juristin tonë është prerë fletëarresti. Nuk ka asnjë lloj ligji që ne të na pengojë të shesim. Arsyet janë shumë të qarta, presion i hapur ndaj presidentit të kompanisë për marrjen e aksioneve. Kërkojnë ta marrin sot kur janë duke lënë pushtetin. Pse është ky presion, ku janë urdhrat? Pardje kemi shitur për eksport dhe nga ana e administratës doganore janë bërë tërë praktikat doganore. Janë lejuar automjetet, ka ardhur urdhër verbal nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që thotë se automjetet janë të bllokuara. Ju bëj thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ministrit të Financave dhe kryeministrit që të marrin masa për zhbllokimin e këtyre boteve për arsye se ato janë bote me rrezikshmëri të lartë. Janë bote me bitum që nuk mund të rrinë më shumë se 24 orë mallin në autobote. Për të shmangur çdo lloj katastrofe për mallin dhe për njerëzit lutemi që të na japë sqarime e të na lejojë të punojmë. Rafineria e Fierit e çdo rafineri tjetër ka disa norma teknologjike, ka disa rregulla të forta të kartës teknologjike që janë kundërvajtje penale në qoftë se nuk zbatohen. Kërkojmë që në momentin kur ata kërkojnë një ndalesë tek ne te jetë të paktën 72 orë para. Aktualisht ne jemi në punë dhe rrezikohen jo vetëm punëtorët, por edhe tërë banesat rreth e rrotull”,- thotë Kodra. Ai thekson se, protesta do të vazhdojë deri në momentin e plotësimit të të gjitha kushteve dhe dhënies së të drejtës së kërkuar.

Dita e dytë e protestës, punëtorët e ARMO-s, kundër arbitraritetit

Në ditën e dytë të protestës punonjësit e kompanisë ARMO kërkojnë të drejtën e tyre për zhbllokimin e punës nga veprimet abuzive dhe arbitrare të segmenteve të caktuara shtetërore, të cilët prej kohësh pengojnë daljen e autoboteve nga rafineria madje kërcënojnë me rrëmbim të aksioneve të kompanisë. Ata u grumbulluan në ambientet e brendshme të rafinerisë duke kërkuar që grupet e tatimorëve të largohen nga ambientet e uzinës.  “Për zhbllokimin e financave tona dhe që të ecë puna normalisht, i lutemi shtetit ta zhbllokojë situatën një orë e më parë që ne të punojmë”, deklaroi një punonjës.  “Mbas protestave do të mblidhet sindikata dhe do merren masa të mëtejshme, ndoshta edhe një grevë urie, për zgjidhjen e problemit në favor të punës dhe financave të punonjësve”, tha një tjetër. Përfaqësuesit e kompanisë ARMO reaguan për këtë veprim të tatimorëve. “Nuk ka asnjë ligj që të na pengojë të shesim. Këto janë presione të hapura ndaj presidentit të kompanisë për të marrë aksione. Përse i kërkojnë tani që janë në fund të pushtetit? Automjetet tona janë të bllokuara”, deklaroi Armir Kodra, përfaqësues ligjor i ARMO. Tatimorët prej dy ditësh ndalojnë çdo mjet që del me naftë nga rafineria, duke kërkuar dokumentacionin dhe thonë jashtë kamerave se kompania ARMO ka detyrime të pashlyera ndaj organeve shtetërore. Puna e rafinerisë se Fierit dhe Ballshit vazhdon të mbetet e bllokuar përmes një urdhri verbal dhe krejtësisht antiligjor. Këto veprime arbitrare nuk mbështeten në asnjë germë të ligjit për procedurat tatimore madje as në urdhrin e shërbimit që paraqitet si shkresa e vetme në përligjje të abuzivizmit të këtyre segmenteve keqdashëse Të irrituar nga këto qëndrime provokative punëtorët e rafinerisë kërkojnë zhbllokimin e punës dhe të llogarive të tyre bankare si të vetmen mundësi jetese për 3 mijë familje. Kompania ARMO është vënë prej kohësh në një gjendje represioni të pashembullt nga një pjesë e strukturave të shtetit. Qëllimi i vetëm i këtij represioni është grabitja e aksioneve të kësaj kompanie. Ky rrëmbim është qëllimi final dhe për këtë dëshmon e gjithë sjellja dhe gjuha e kësaj pjese të strukturave të shtetit që rrethojnë rafineritë, bllokojnë daljen e mallit, të bitumit, solarit, nënprodukteve të naftës etj. Kjo sjellje është rënduar muajt e fundit, por ajo ka qenë e pranishme gjatë të paktën katër viteve kur kërcënimi dhe gjobat u shndërruan në rutinë dhe kur kërkesa për rrëmbimin e aksioneve u bë e qartë. Nga ana tjetër ekipi i shtetarëve të porositur me misionin e bllokimit antiligjor nuk është në gjendje të japë shpjegim për arsyet e këtij akti dhe nuk mund te paraqesë asnjë shkresë apo urdhër.