Drejtori i liruar i Postës: Gjueti shtrigash! Vendim politik

487
Majlind Lazimi, drejtori i Postës Shqiptare, i shkarkuar nga Ministrja Milva Ekonomi doli para mediave, ku e quajti të paligjshëm urdhrin e ministres.
“E vetmja gjë që kam është një urdhër me katër pika që më duhet ta them që nga baza ligjore është nul”, nisi fjalën e tij Lazimi.
Ai tha se Posta Shqiptare është shoqëri “SH.A” dhe si e tillë shkarkimi dhe emërimi i Administratorit të saj vendoset nga Këshilli Mbikëqyrës i Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare.
“Ka një procedurë ligjore për këtë dhe deri në këto momente nuk ka një vendim të tillë të Këshillit Mbikëqyrës”, shtoi ai.
Lazimi tha se rastet e 2013 dhe të 2014 tregojnë se është Këshilli Mbikëqyrës që vendos për fatin e Administratorit të Postës. 
“Është krijuar një amulli e panevojshme në media. Unë sot, deri në këto momente, nuk kam asnjë shkresë zyrtare për motivacionin e lirimit tim, për më tepër urdhri i dalë nga ministrja Ekonomi është i pavlefshëm”, tha ai.
Lazimi e cilësoi këtë një “gjueti shtrigash dhe inskenim politik” për angazhimin e tij tek LSI dhe shprehu gatishmërinë që të përballet me të gjitha akuzat që aludohen, apo mund të ngrihen ndaj tij.
“Unë do ta ndjek në rrugë ligjore këtë çështje. Unë do të hap një çështje gjyqësore për këtë urdhër të paligjshëm të ministres Ekonomi”, vijoi ai.
Lazmi thotë se kontaktoi me ministren Ekonomi dhe sipas tij, nuk ka marrë asnjë motivacion për lirimin nga detyra nga ana e saj. Ai thotë se ka kontaktuar edhe me zv.kryeministren Mandija, që i tha se nuk ka asnjë rol në këtë vendim.
“Për fat të keq, LSI po shihet si delja e zezë nëpër institucionet që me të drejtë i drejton”, deklaroi ai.
Sigal