Drejtorët që nuk dinë selinë e PS-së!

455
Sigal

Letra në Redaksi: Postet drejtuese të pushtetit lokal po i zënë ata që erdhën nga jashtë me xhepa të fryrë

Botimi i dy lerave të para që kanë mbërritur në redaksinë tonë nga qytetarë të Korçës dhe Devollit, duket se i ka dhënë një hov ngjarjeve në këtë qark. Me sa duket, kjo gjë u ka shërbyer qytetarëve të këtij qarku, konkretisht militantëve dhe përkrahësve të Partisë Socialiste, të ngrenë zërin për padrejtësitë që mendojnë se po ju bëhet. Ata vazhdojnë të përforcojnë rastet e botuara në gazetë dhe të sjellin sërish raste të reja. Një tjetër letër nga qytetarët e Korçës ka mbërritur në redaksinë e gazetës “Telegraf”, ku denoncojnë emërimet nepotike që janë bërë në këtë qytet në postet më të larta, siç janë drejtoritë, inspektoratet, arsimi, kopshte, tregti, tatime, prefekturë, bashki. Ata theksojnë faktin që, në këto poste, drejtuesit kanë punësuar të afërmit e tyre. Akuza vijnë dhe në emrin e ish-kryetarit të Bashkisë Korçë, z.Niko Peleshi, i cili sipas tyre ka favorizuar persona të paaftë për interesa vetjake. Baza socialiste shprehet e rebeluar dhe e zhgënjyer për emërimet që janë bërë, duke u ndier të shfrytëzuar. Nga verifikimi që bëmë herën e kaluar në rekomandimet e KLSH-së, vërejtëm se, rekomandimet përputheshin me rastet e ardhura në redaksi. Më poshtë mund të lexoni letrën e përkrahësve socialist drejtuar qeverisë. “Dua t’ju tregoj për atë çka e shqetëson bazën e Partisë Socialiste në Korçë, të vërtetat janë këto; Drejtuesit dhe Kryesia e Partisë Socialiste e Korçës uzurpoi vendet më të mira dhe që kanë interesa ekonomike, pasi janë të lidhur drejtpërdrejtë me ish-Kryetarin e Bashkisë z.Niko Peleshi. Këta funksionarë u shpërblyen me karrige megjithëse për paaftësi humbën të gjitha komunat, përveç komunës Libonik,Voskopojë. Dhe si shpërblim, Partia Socialiste e Korçës, e mbledhur në fshehtësi dhe në lokale nate me dyer të mbyllura bëri emërimet e klaneve për të zaptuar dhe shfrytëzuar Korçën dhe korçarët. Tek Peshëmatja fjala bie, si kryeinspektor u punësua ish-kryetari i komunës Moglicë, të cilën e humbi në 2011-n, A. Matraku; Inspektor u punësua një person pa arsim përkatës D.Musliu, i cili si kuzhinier me përvojë nuk kurseu të hapte dhe depot e armëve në vitin 1997 në fshatin Mborje, ku dhe makinën e institucionit e mban përpara shtëpisë dhe jashtë orarit zyrtar. Por skandali më i madh është se, shumica e drejtuesve të socialistëve të Korçës dhe kryesisë së saj, kanë punësuar në vende të ndryshme si arsim, kopshte, tregti, tatime, prefekturë, bashki, njerëzit e afërm të familjes. Ky skandal është parë si një mashtrim nga elektorati i majtë i Korçës, rilindësit e së cilës shprehen se, nuk do e votojnë këtë forcë politike, pasi me sa duket, Partia Socialiste paska si parim këmbëngulës punësimin familjar. Së dyti, një rast tjetër që ju në artikullin e parë e kaluat cekët është dhe drejtorja e Institutit të Formimit Profesional  A.Taho, e cila mori dhe ajo shpërblimin për votat e blera më 3 Nëntor 2013. Së treti, rast tjetër është dhe punësimi që prefekti i Korçës i dhe bashkëshortes së tij, në pozicionin e inspektores në Drejtorinë Arsimore për ciklin e ulët parashkollor dhe ky është person që erdhi në Partinë Socialiste nga një telefonatë, që e solli me vrap nga Afrika dhe që e gjeti Partinë Socialiste me të pyetur, ku i ka kontributet apo pranoi të jetë në grupin e punës për punësimin në Partinë Socialiste për të punësuar bashkëshorten? Në mbyllje dua të them se, këtë e bëj që ky popull dhe elektorati të mos i humbë shpresa për ditë të tjera ndryshe dhe që të mos përzihen me këtë llum që është”.