Drejtoresha e DAP-it, Blerta Selenica kërkon të sfidojë kompetencat e Gjykatës Administrative

774
Sigal

Tiranë/ Kundërshtohet  nga maxhoranca në Komisionin e Ligjeve p/ligji “Për nëpunësin civil”

Dje në Komisionin e Ligjeve, në praninë vetëm të deputetëve të PD-së, pasi socialistët e bojkotuan, vazhdoi për të dytën ditë diskutimi nen për ne i p/ligjit ” Për nëpunësin civil”, të paraqitur nga drejtoresha e DAP-it, Blerta Selenica. Të martën, relatori i Komisionit të Ligjeve për këtë p/ligj, deputeti i PD-së, Viktor Domi parashtroi mbi 11 pyetje që kishin të bënin me kundërshti kushtetuese të neneve të këtij p/ligji, sidomos me kompetencat e emërimeve në institucione të veçanta dhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ditën e martë, drejtoresha e DAP-it, nuk mundi të përgjigjej, ndaj edhe kërkoi kohë. Ndërsa dje, seanca e shqyrtimit nen për nen të p.ligjit ” Për nëpunësin civil”, në Komisionin e Ligjeve vazhdoi me përgjigjet e drejtoreshës së DAP-it, Blerta Selenica ndaj pyetjeve të parashtruara nga relatori, Viktor Dumi. Pika më e nxehtë  ishte te nenet që kanë të bëjnë me ankimin,  mbikëqyrjen, me emërimin në shërbimin civil, pranimet, etj.. Sipas p/ligjit të paraqitur nga DAP-i, drejtoresha Blerta Selenica parashtroi se mosmarrëveshjet që mund të lindin,  të zgjidhen vetëm në KSHC, gjë që, u kundërshtua me të madhe nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Ilir Rusmajli. Zoti Rusmajli, si një nga juristët më të mirë, një njohës i thellë i jurisprudencës, duke kundërshtuar nenet e këtij p/ligji, i cili mënjanon kompetencat e Gjykatës Administrative, i drejtohet zonjës Selenica, me një dozë të hollë ironie, nëse ajo dhe DAP-i a kanë dijeni për funksionimin e Gjykatës Administrative, e cila parashikohet në 1 janar 2013, dhe a mundet DAP-i me këtë p/ligj të marrë kompetencat e shqyrtimit të ankimimeve,  të mosmarrëveshjeve që lindin midis subjekteve me DAP-in, Gjykatës Administrative, dhe t’i jepen KSHC-së? Zoti Rusmajli, iu drejtua drejtoreshës së DAP-it,  zonjës Blerta Selenica: ” Mundeni ju të merrni kompetencat kushtetuese që sovrani, parlamenti me miratimin e 3/5 të votave ia ka dhënë Gjykatës Administrative, dhe t’ja kaloni KSHC-së? Mund të dilni ju mbi vullnetin e sovranit?”.  Zonja Selenica, për të justifikuar mosnjohjen e realitetit, ndoshta të kompetencave të Gjykatës Administrative, u mundua të shfajësohej, se duhet një periudhë kohe 3 mujore, që të përshtatet deri në funksionimin e Gjykatës Administrative, ndaj, vazhdoi argumentin zonja Selenica, është e nevojshme ky nen. Edhe ky argument i  drejtoreshës së DAP-it, iu rrëzua nga zoti Rusmajli. Një pikë tjetër e nxehtë ishin edhe të drejtat e grevës dhe e drejta e anëtarësimit në sindikata dhe në parti. DAP-i, sipas raportimit të p/ligjit nga zonja Selenica, e kufizon në mënyrë absolute të drejtën e grevës në DAP, por edhe të drejtën e qenies partiake të të gjithë punonjësve, pa përjashtim. Edhe ky kufizim, u kundërshtua me argumente bindës nga zoti Rusmajli dhe relatori Viktor Domi dhe sipas tyre, jo të gjithë nëpunësve civilë mund t’u mohohet e drejta partiake. Duke qënë se gati shumë nene u rrëzuan, dhe p/ligji duhet të sillet i përmirësuar në Komisionin e Ligjeve për t’u rishqyrtuar me korrigjimet e shumta, që u bënë nga vetë deputetët e PD-së, u mor vendimi që të hënën që vjen, të rikalojë në Komisionin e Ligjeve. Papërshtatshmëria kushtetuese e p/ligjit “Për nëpunësin civil” i paraqitur nga drejtoresha e DAP-it, Blerta Selenica , bëri që ky p/ligj të mos shqyrtohet dot në seancën plenare të Kuvendit sot, siç ishte parashikuar. Pikëpyetja më e madhe mbetet, nëse ky projektligj, kështu siç ishte hartuar dhe u paraqit në Komisionin e Ligjeve, ishte bërë në tërë iniciativën e drejtoreshës se DAP-it, duke u përpjekur që me ligj të tillë të përqendrojë në duart e saj gjithë kompetencat kushtetuese e ligjore të  Gjykatës Administrative, për sa i përket zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, apo tërë këto orvatje antikushtetuese ishin bërë edhe me dijeninë e eprorëve të zonjës Selenica në ministrinë e brendshme? Paaftësia profesionale që dëshmoi drejtoresha e DAP-it në debatin për të argumentuar në Komisionin e Ligjeve p/ligjin “Për nëpunësin civil” dëfton që drejtoresha e DAP-it është një kjo drejtoreshë e DAP-it  nuk mund të drejtojë një institucion kaq të rëndësishëm.  Përgjegjësia për paaftësinë e saj profesionale, ndoshta nuk ngarkon edhe kaq vetë zonjën Selenica, por drejtuesit e saj politikë, që akoma nuk e largojnë nga ky post drejtoreshën e paaftë. Vetë raporti i OSBE-së për administratën publike. Në këtë raport, ndër të tjerash thuhet: “Në lidhje me reformën e administratës publike, është vënë re një nivel i kufizuar progresi. Administrata publike ende vuan nga mungesa e profesionalizmit, si dhe nga korrupsioni gjerësisht i përhapur dhe i shoqëruar me klientelizëm. Është për t’u theksuar se një pjesë e madhe e vendeve të punës ende nuk caktohen përmes një procesi përzgjedhjeje në bazë merite. Kombinuar me zëvendësimet e shpeshta të stafit, ky qëndrim paraqet pengesa serioze për ruajtjen e njohurive institucionale dhe për zhvillimin e një sistemi profesional të administratës publike.” Lind pyetja: A është ballafaquar përgjegjësia e drejtoreshës së DAP-it, Blerta Selenica me këto kritika të OSBE-së për DAP-in? Mungesa e profesionalizmit është karakteristikë e vetë drejtoreshës së DAP-it Selenica, a mundet kjo drejtoreshë e paaftë të vlerësojë nëpunësit civilë? Ky projektligj nuk jep përgjigje as në luftën kundër korrupsionit, përkundrazi, drejtoresha e DAP-it mundohet të përqendrojë masat e dënimit në duart e saj, për të ndëshkuar, sipas kritereve të saj, nëpunësit e pabindur ndaj saj. Një pyetje për drejtuesit politike të DAP-it: Në reflektim të kritikave të OSBE-së ndaj administratës publike, a nuk është vonë që të hiqni nga drejtoria e DAP-it drejtoreshën e paaftë, të pazonjën, Blerta Selenica? Çfarë duhet pritur që të nxjerrin përgjegjësinë nga analiza e kritikës së OSBE-së për DAP-in? Derisa edhe një p/ligj, që zonja Selenica paraqet në Komisionin e Ligjeve rrëzohet nga vetë deputetët e PD-së, a nuk është ky një argument bindës i paaftësisë dhe kërkesë imediate largimi urgjent nga posti drejtues i DAP-it i zonjës Blerta Selenica? Mosreagimi nga drejtuesit politikë të DAP-it, do të thotë, që këta politikanë janë bashkëfajtorë me Blerta Selenicën për katandinë e mjerueshme profesionale e korrupsionin në DAP!