Drejtorë të paligjshëm, që  kanë konflikt interesash, do të drejtojnë fushatën e 21 qershorit

427
Sigal

Mbi 90 %  e drejtorëve në Durrës janë të emëruar nga deputetët dhe janë me firma e biznese private

Afrimi i fushatës elektorale e ka gjetur qytetin e Durrësit me drejtorë të paligjshëm, të cilët kanë shfaqur hapur konflikt interesash, në raport me detyrat e tyre funksionale e shtetërore.

 Posti i drejtorit jepet si shpërblim kontributi elektoral

Mbi 90 për qind e drejtorëve të emëruar direkt nga deputetët dhe kryesia  socialiste në këtë qytet, kanë bizneset dhe firmat e tyre private duke punuar 2 orë në zyrat e shtetit dhe 16 orë pranë pronave të tyre. Këta drejtorë u emëruan nga deputetët dhe kryesia e PS-së, larg dhe pa  proceduarat e të ashtuquajturës, “meritokraci”, d.m.th., të konkurseve, por secili prej tyre, pas zgjedhjeve, ose dorëzoi pranë PS-së, ose te sajti, që hapi kryetari i PS-së, cv-të e tyre, duke renditur “meritat” dhe kontributin elektoral, në mbushjen e thesit të votave për PS-në. Është e paimagjinueshme këto skandale të emërimeve, që bien ndesh jo vetëm me ligjin, por edhe me moralin shoqëror. Si mundet që partia opozitare, që tashmë është në pushtet, të flakë meritokracinë dhe barazinë, për të cilën (gjoja) luftoi 8 vjet ne opozitë dhe të sillet njësoj si pushtetarët që populli i zbriti nga kali me votën e protestës? Cila është qeverisja ndryshe dhe modeli i ri, që do të sillnin nëse popullit do ti votonte, ashtu siç predikonin socialistët, kur ishin në opozitë? Kjo sjellje ndryshe nga ato që premtuan, është jo thjesht arrogancë e pushtetit, ( ku u bë vetëm rokadë karrigesh dhe personash dhe jo rotacion politike, dëshpëron vetë elektoratin dhe humbet shpresën se socialistët në qeverisje do të zgjidhin hallet dhe shqetësimet e tyre, dhe do të ketë progres për vendin.

Ofiqi i postit shtetëror në konflikt të  hapur interesi

Shumica e këtyre drejtorëve të emëruar për kontribute partiake në shërbim të PS-së, janë, njëkohësisht, edhe pronarë të bizneseve dhe firmave private. Hyzmetin lokaleve, firmave dhe objekteve, ku sigurojnë të ardhurat, drejtorët socialistë, ja bëjnë duke angazhuar edhe mjetet dhe gjithë potencialin e ndërmarrjeve të shtetit, duke pasur si qëllim të vetëm “ecurinë e bizneseve private, por edhe ndihmën tek partia”. Afrimi i fushatës elektorale për zgjedhjet e pushtetit lokal më 21 qershor,  qytetin e Durrësit e ka gjetur me drejtorë-biznesmenë, madje të suksesshëm në fushat e tyre si në arsim shëndetësi, ndërtim, rrobaqepësi, prodhim, eksport-import, e shumë zëra të tjera, ku fitimi mbetet i kënaqshëm. Drejtorët socialistë (biznesmenë) nuk pyesin shumë për konfliktin e interesave, madje shprehen se “dikush do ta bënte këtë punë, e bëjmë ne, bile më mirë”. Ata do t’i takosh në zyra dhe institucione të ndryshme, jo për t’u angazhuar dhe interesuar për punën e ndërmarrjeve, por për tenderët dhe bizneset e tyre private, dhe mirë e bëjnë. Drejtorët socialistë (biznesmenë) do t’i takosh edhe në aktivitete të ndryshme, si spektakle apo partiake, pasi ata janë dhe mbeten sponsorizuesit kryesorë, dhe kjo me urdhër partie. Kriza dhe korrupsioni në shumë institucione të Durrësit padyshim lidhet edhe me drejtorët socialistë dhe konfliktin e interesave, që ata kanë me detyrën. Nuk mund të punosh dhe të ecësh përkrah ligjit, duke punuar edhe drejtor edhe pronar fabrike, edhe drejtor edhe pronar firme ndërtimi, edhe drejtor edhe pronar rrobaqepësie, edhe drejtor edhe pronar pike karburanti, edhe  drejtor edhe pronar i dy autoshkollave, edhe drejtor edhe administrator pallatesh etj. Ata janë shumë, dhe pa përjashtim të gjithë “ushtarë të bindur” të selisë rozë në Durrës.

Këtyre drejtorëve, po u pjell edhe gjeli

Padyshim, drejtorëve socialistë (ndoshta edhe të tillë nuk janë) sot u ka “pjellë edhe gjeli”. Ata me mjetet e shtetit mbulojnë shumë punime dhe procese pune të firmave të tyre, ndërkohë, që trokitja  e fushatës elektorale të 21 qershorit  ka rritur tek ata ndjenjën e “përgjegjësisë dhe detyra të reja”. Drejtorët,  qysh tani, janë anëtarët më aktivë të shtabit elektorale, dhe shumë shpejt do të jenë në ballë të fushatës me mjetet dhe paratë e shtetit, dhe ky është urdhër i prerë. Kush nuk e zbaton duhet ta deklarojë tani, por sipas burimeve, të gjithë, për hir të bizneseve të tyre, janë të gatshëm të japin “edhe gjithë ndërmarrjen” për të fituar  kandidati i tyre.

ARTUR  AJAZI