“Drejtësia”, vjen misioni monitorues. Nis punën të mërkurën

547
Procesi i “vetting”-ut të gjyqtarëve është ndërtuar duke pasur garant për paanësi politike dhe vendimarrje të drejtë, vëzhguesit ndërkombëtarë. Dhe në prag të nisjes së punës për ngritjen e institucioneve të reja të “vetting”-ut, vëzhguesit ndërkombëtarë janë vendosur në Tiranë, më sakte 4 prej tyre që do të drejtojnë Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.
Shefja e tyre është drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Gjenovefa Ruiz Kalavera, e cila do të mbajë të mërkurën një deklaratë publike, bashkë me 3 të dërguar të tjerë të Brukselit, që do të qëndrojnë në Shqipëri derisa Parlamenti të zgjedhë se kush do të jenë 27 personat që do të bëjnë procesin e “vetting”-ut.
Burime jozyrtare konfimuan se, vëzhguesit ndërkombëtarë, që janë me detyrë prokruorë dhe gjyqtarë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, do të jenë kryesisht nga Gjermania, Austria dhe Italia dhe do të vijnë në Shqipëri sapo të nisë procesi i “vetting”-ut.
Ndërkohë, në grupin drejtues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është edhe gjermani Reinhard Pribe, një njohës i mirë i Shqipërisë, dikur drejtor i Ballkanit Perëndimor, ndërsa sot një nga njerëzit e angazhuar për ekspertizën e ligjit të “vetting”-ut.
Puna e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nis plotësisht më 16 shkurt, kur, me të drejtën që u jep ligji, vëzhguesit ndërkombëtarë të shqyrtojnë listat e Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesin Kuvendit deri më 1 mars “listën e tyre të zezë”, që do të përbëhet nga ata kandidatë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit gjykon se nuk duhet të jenë anëtarë të organeve të reja të “vetting”-ut.
Sigal