Drejtësia të hapë dosjet e 1760 tenderave të “Albpetrol”

1018
Fakti/ 80% e tenderëve bëhen me garë false, me firma pa ofertë e dosje teknike sa për numër ligjor, skenari me 10 pazare në projekt-kontratën “TIP” të shitjes së kompanisë
Drejtësia ta hapë “kolektorin” e 1760 tenderëve dhe kontratave në “Albpetrol” para privatizimit, qeveria të bëj transparencën e shitjes 
Përparim Halili
Një raport sekret abuzimesh me tenderët dhe shpenzimet operative, i dalë nga sirtari i drejtorit Puka, përmban “lemerinë” ekonomike-financiare që është bërë dhe vazhdon të bëhet nëpërmjet tenderëve e kontratave që firmosen me urdhra e porosi qokash dhe pazaresh
Përpjekjet e drejtuesve të “Albpetrol” për të mos lejuar kontrollin e veprimtarisë ekonomike-financiare, kanë lidhje me skenarin që kjo kompani e “çapëlyer” nga korrupsioni 25 vjeçar, të shitet “me copë” dhe për “1 copë bukë” pa bilanc, pa kontroll ekonomik-financiar, pa procedurë ligjore likujiditeti, pa zbardhje të llogarive bankare…
Vetëm në Shqipëri ndodh, që drejtësia ndalon kontrollin e lartë ekonomik-financiar shtetëror, duke mos lejuar të kontrolloj një shoqëri të madhe ekonomike kombëtare si “Albpetrol”, paçka se është “kokë e këmbë” objekt i ndërhyrjes, hetimit dhe ndëshkimit urgjent edhe prej drejtësisë, për shkak se ka fakte të rënda e të shumta krimesh ekonomike-financiare, që “i kanë bërë naftën” sektorit të naftës shqiptare, duke e plaçkitur deri edhe tek leckat dhe fshesat e pastrueseve. Nuk e kemi fjalën për koncesionet në hidrokarbure, ku ka futur “sondën” edhe “Soros” dhe që po shkatërrojnë e po plaçkitin me shpejtësi bazën pasurore mbi e nëntokësore të industrisë dhe rezervës së naftës shqiptare. Është një skandal më vete, fakti, që kupola e “Albpetrol” dhe kupola qeveritare që e menaxhon këtë kupolë, i merr në mbrojtje këto koncesione me raporte teknike false, me fshehje të ardhurash e fitimesh, detyrimesh fiskale e lejim të krimit shkatërrues teknologjik, që sipas “zërave” nga brenda “Albpetrol” e ministrisë së linjës, u konvertohen në “dhurata” të llojit auto-vetura luksoze, apartamente, pushime sheikësh në plazhet e botës, karta krediti, bursa universitare personale e familjarësh, suita e vila banimi për çdo stinë e në çdo zonë. Sot e kemi fjalën, për informacione dokumentare, të nxjerra nga brenda “pusit” të abuzimeve të kësaj kompanie “hambar” qokash e vjedhjesh, që bëhen nga kupola partiake-familjare-dashurore, që e ka tjetërsuar “Albpetrol”-in, në “PUB KORRUPSIONI” të shfrenuar, për të cilat drejtori i saj Endri Puka u bë “mehit” kur KLSH i “trokiti në derë”. Bllokimi i kontrollit, nuk u bë për shkak të “zemrës së dobët” të drejtorit Puka (se ai ka dalë në rregull nga Check-up”), mbasi është e “stërvitur” gjatë shkatërrimit të biznesit të Koço Kokëdhimës, i cili 4 vite më parë e “gradoi” në atë detyrë për “rimbursim dëmesh”. Paniku i drejtorit të “Albpetrol” nga KLSH, ka lidhje me “llumin” e korrupsionit që ka mbytur këtë kompani shtetërore edhe me firmat e tij mbi tendera e kontrata, të fshehur me raporte auditi false të Auditit të Brendshëm, kryetari i të cilit është miku dhe ortaku i tij në disa biznese ilegale, të hapur vitet e fundit. Po kështu, “llumi” ekonomik-financiar që ka mbytur “Albpetrol”-in është “lustruar” nga raportet e ekspertëve kontabël, të përzgjedhur e rekrutuar po prej drejtorit Puka, gjoja të miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, i cili përbëhet nga zyrtarë të lartë ministror të “Rilindjes” dhe nga “shoqe” të shefave të tyre. Ka një absurd: Drejtësia ka detyrë ligjore të “kyç” portën e “Albpetrol” dhe të hap letrat e saj për hetim, por nuk mund t’i mbyll derën kontrollit shtetëror, i cili në rastin konkret, po bënë punën e pa bërë prej drejtësisë e cila, ka në sirtar mijëra denoncime me prova konkrete korrupsioni dhe nuk futet në “Albpetrol”! Nuk e dimë, nëse drejtori Puka e ka deklaruar apo jo pasurinë e tij, por dimë faktin që një raport sekret abuzimesh me tenderët dhe shpenzimet operative, që ka dalë nga sirtari i drejtorit Endri Puka, me “PUK”-un e “kartës” së tij, përmban “lemerinë” ekonomike-financiare që është bërë e vazhdon të bëhet me pasuritë dhe llogaritë e kësaj kompanie, që po rripet egërsisht edhe nga “banda e kaçakëve” të emëruar në krye të saj, nga “banda politike” që ka pushtetin e radhës në Shqipëri! Raporti ekonomik-financiar, i përgatitur nga një zyrtar i “Albpetrol” ende në detyrë, zbulon pisllëkun anti-ligjor e korruptiv të 1763 tenderimeve të bërë 4 vitet e fundit në “Albpetrol”, shumica me procedura false edhe për shërbime e blerje, që nuk janë kryer faktikisht! Nuk e kemi fjalën, për dosjen e apartamenteve të strehimit me kredi për punonjësit e naftës, që nuk dihet se ku është hedhur. As për pagat e zhdukura të punonjësve të larguar nga puna, as për milionat e “Check-up”-it fiktiv e paralel të punonjësve. As për individë që nuk kanë hyrë në Shqipëri prej 10 vitesh dhe paguhen si specialistë, mjedisorë e naftëtarë, mekanikë, teknikë e shoferë, kolaudatorë, magazinierë, saldatorë e ekonomistë, menaxherë e këshilltarë! Nuk e kemi fjalën, as për sasinë e çizmeve, kominosheve, kapelave, maskave e dorezave mbrojtëse të punonjësve që blihen me tender. As për sasitë e çakullit e kushinetave, as për milionat e harxhuara për gjoja monitorimin dhe remontin teknik të puseve. As për vlerat limit të tenderimit të tyre. As për taksat dhe përqindjet e fitimit e të ardhurave që kanë detyrim koncesionarët me në krye “Bankers”-in dhe shumë shpenzime të tjera. Fjala është për një “lum” tenderësh, të cilët vazhdojnë të bëhen edhe pas urdhrit të datës 5 korrik 2017, dhënë prej kryeministrit Rama, për bllokimin e tyre pa afat! Shpallja “top sekret” e veprimtarisë ekonomike-financiare të “Albpetrol”, nuk ka lidhje me merakun se “tremben blerësit” e kësaj kompanie, siç thotë “trimi” që po (ç)drejton kompaninë “Albpetrol”, mbasi ata janë paracaktuar, kanë “kaparosur” pazarin me shefat e qeverisë dhe kanë ngrenë shumë “dreka e darka pune” brenda e jashtë Shqipërisë edhe me drejtorin Puka. Çështja ka lidhje, me skenarin që “Albpetrol të shitet “me copë” dhe për “1 copë bukë”, pa bilanc, pa kontroll ekonomik-financiar, pa procedurë ligjore të likuiditetit, pa zbardhje të llogarive bankare, me zhdukje të dokumentacionit, siç u veprua edhe në vitin 2013, procedurë dhe fakte, për të cilën në vijim do t’i drejtojmë 25 pyetje drejtorit Puka! Do të publikojmë denoncimet që kanë ardhur lidhur me 1763 tenderime për blerje, shitje, qira-marrje e qira-dhënie, investime, shpenzime, shërbime, udhëtime, trajtime-ushqimore, për kushte pune me kushte sigurie, kualifikime, transportime, importe-eksporte, kontraktime, n/kontraktime të çdo lloj procedure e veprimi që ka të bëjë “me lekë e mall”, 80% e të cilave janë zhvilluar me klientelizëm, duke pranuar qëllimisht në konkurrim, firma pa ofertë e pa dosje teknike (sipas sektorëve), për të krijuar garë fiktive, me skenar shpalljen fituese të firmave të paracaktuara! Sot po publikojmë disa raste tenderësh të “freskët”, me “damkë” antiligjore e korruptive, të cilëve u duhen hapur dosjet…
—————————————- 
Ja 10 pazare, që parashikohen në projekt-kontratën “TIP” të shitjes së “Albpetrol” 
1. Pagat kalimtare të punonjësve që do të dalin të papunë pas privatizimit, sigurimet shoqërore e shëndetësore të tyre, do të paguhen nga vlera e shitjes, kur sipas ligjit duhet të paguhen nga firma që do të blejë kompaninë, kur kjo kosto parshikohet të jetë afro 30% e vlerës së shitjes. 
2. Përveç pasurive nëntokësore e mbitokësore si objekte shërbimi e prodhimi, zyra, makineri, pajisje, lëndë të para e ndihmëse gjendje, investime në proces e gjithçka që e ka emrin “Albpterol”, do të dhurohen edhe llogaritë bankare, të cilat nuk do llogariten mbi vlerën e blerjes! 
3. Përveç pasurive e llogarive bankare, po mendohet që “Albptrol” të shitet bashkë me prodhimin neto e bruto që ka depozitë në treg e magazinim, vlera e të cilit në tregun aktual botëror e vendas, kap shumën afro 112 milionë dollarë. 
4. Deri në fund të vitit kalendarik të privatizmit, shteti do të financoj pagat e punonjësve të kompanisë
5. Firma që do të blejë “Albpetrol”-in, do të ketë të drejtën të menaxhoj dhe përfitoj në masën 100%, gjithë borxhet që entet private e shtëtërore i kanë kompanisë “Albpetrol”, vlerë e cila aktualisht, thuhet se kalon shifrën mbi 80 milionë euro.
6. Firma blerëse, do të ketë të drejtën të zgjerojë pa asnjë kufizim ”hartën” e shpim-kërkim-nxjerrjes së naftës e gazit pa shpërblim fizik të tokës pronë publike ose private që uzurpon aktiviteti i saj, por vetëm të banesave që do përfshijë ky zaptim territoresh.
7. Firma blerëse, do të përfitoj falas, të gjitha makineritë, pajisjet dhe lëndët e para të porositura si importe me fondet e buxhetit të shtetit dhe “Albpetrol”, por që do të vijnë pas privatizimit.
8. Në kontratë mendohet të ligjësohet e drejta e blerësit, që të rrafshojë mbi 2000 banesa e objekte sociale-tregtare ku jetojnë e punojnë mbi 12 mijë banorë, të ndërtuara në 25 vitet e fundit brenda territorit të “Albpterol”, 90% e të cilëve janë në proces legalizimi! 
9. Blerësi, parashikohet të konsiderohet pronar ligjor i sipërfaqes së truallit ku shtrihet kompania “Albpetrol”, ndërkohë që kjo sipërfaqe truall e tokë bujqësore figuron ligjërisht pronë e njohur dhe e kthyer e 853 ish-pronarëve në 9 zona e 4 rrethe ku shtrihet “Albpetrol”. 
10. Parashikohet të shiten 100% të aksioneve të “Albpetrol, ndërkohë që sipas ligjit të privatizimit të sektorëve strategjik të ekonomisë kombëtare sidomos energjia dhe burimet minerare, shteti duhet të mbajë në pronësi jo më pak se 49% të tyre. 
—————————
Tender 64 milionë lekë, për matjet në mjedis, kur këto i ka matur 43 herë ISHP dhe Agjencia e Mjedisit
Kontrata nr. 1
1. Njoftimi: Data 01.08.2017 
2. Përshkrim i shkurtër i kontratës: “Shërbim për kryerjen e monitorimit të mjedisit në QPN Ballsh (vendburimi Ballsh-Hekal)“ Kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj nga data e lidhjes së kontratës 
3. Fondi limit: 2 217 000 (dy milionë e dyqind e shtatëmbëdhjetë mijë) lekë, pa TVSH. 
4. Publikime të mëparshme (nëse zbatohet): Buletini i Njoftimeve Publike nr. 19, data 20 Maj 2017
5. Njoftimi i Klasifikimit është bërë në datë 03.07.2017. 
Kontrata nr. 2
1. Njoftimi: Data 01.08.2017 
2. Procedura e prokurimit : (Procedure e hapur me Mjete Elektronike) 
3. Përshkrim i shkurtër i kontratës: “Shërbim për kryerjen e monitorimit teë mjedisit në QPN Patos, vendburimi Patos-Marinëz, 
4. Fondi limit: 3 105 000 (tre milionë e njëqind e pesëmijë) lekë pa TVSH. 
4. Publikime të mëparshme (nëse zbatohet): Buletini i Njoftimeve Publike nr. 19, data 20 Maj 2017
—————————————-
Tender 611 milionë lekë për lyerjen e fasadës së zyrave, me afat pas privatizimit
1. Autoriteti Kontraktor: Albpetrol sh.a. Patos 
2. Objekt i prokurimit: “Rikonstruksion pjesor i godinës së administratës, fasada… 
3. Fondi limit: 51 086 942 (pesëdhjetë e një milionë e tetëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e dyzetë e dy) lekë, pa TVSH. 
4. Kohëzgjatja e kontratës, ose afati kohor për ekzekutimin: 8 muaj. 
5. Afati kohor për dorëzimin dhe hapjen e ofertave ose kërkesave: Data 23.08.2017, ora 10:00. 
————————————
Pazari me “Kurum”, shiten për skrap 2.5 milionë kilogramë makineri e pajisje çeliku
1. Autoriteti shitës: Albpetrol sha Patos
2. Përshkrim i shkurtër: “Shitje skrapi çelik në QAR Patos, “Albpetrol” sha, me vendndodhje Patos” në sasi totale 2,484,580 kg. 
3. Vlera fillestare: 35,628,877 (tridhjetë e pesë milionë e gjashtëqind e njëzetë e tetë mije e tetëqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë, pa TVSH 
4. Vendi i zhvillimit të ankandit: Albpetrol Sha Patos, Salla e mbledhjeve, kati i II-të 
8. Afati i fundit kohor për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje: date 28.08.2017 ora 14:00 
—————————————————–
Para privatizimit, drejtori firmos 71 milionë lekë për mobilje zyrash 
1. Përshkrim i shkurtër i kontratës: “Blerje pajisje orendi mobilje zyrash”. 
2. Kohëzgjatja e kontratës: 30 ditë nga data e lidhjes së kontratës 
3. Fondi limit: 6 900 000 (gjashtë milion e nëntëqind mijë) lekë, pa TVSH. 
4. Publikime të mëparshme (nëse zbatohet): Buletini i Njoftimeve Publike nr. 20, datë 22 Maj 2017
5. Duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë “Riap-05” shpk me NUIS L62913401H, Fier se oferta e paraqitur, me një vlerë të përgjithshme prej 5 762 486 (pesë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e katërqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekë, pa TVSH, është identifikuar si oferta e suksesshme.
6. Njoftimi i Klasifikimit është bërë në datë 25.07.2017.
——————————-
A është “qokë deputeti”, ky tender fiktiv me vlerë 168 milionë lekë? 
1. Autoriteti Kontraktor, Albpetrol sha Patos, Rruga Fier-Patos, Tel.03813662, e-mail: [email protected] 
2. Lloji i procedurës së prokurimit: Kërkesë për propozim me mjete elektronike
3. Objekti i kontratës: Blerje çakëll dhe stabilizant 
4. Fondi limit: 14 812 500 (katërmbëdhjetë milionë e tetëqind e dymbëdhjetë mijë e pesëqind) lekë, pa TVSH 
5. Vlera totale përfundimtare e kontratës: 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë, me TVSH 
6. Data e lidhjes së kontratës: 31/ 07/ 2017. 
———————— 
Çfarë fshihet pas tenderit 55 milionë lekë, për blerje bateri dhe vula?
Tenderi i vulave
1. Autoriteti Kontraktor, Albpetrol sha Patos, Rruga Fier-Patos, Tel.03813662, e-mail: [email protected] 
2. Lloji i procedurës së prokurimit: Kërkesë për propozim me mjete elektronike 
3. Objekti i kontratës: Blerje vula sigurie 
4. Fondi limit: 2 401 373 (dy milionë e katërqind e një mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre) lekë ,pa TVSH
5. Vlera totale përfundimtare e kontratës: 2 783 760 (dy milionë e shtatëqind e tetedhjetë e tre mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë) lekë, me TVSH 
6. Data e lidhjes sq kontratës: 27/ 07/ 2017. 
Tenderi i baterive
1. Autoriteti Kontraktor, Albpetrol sha Patos, Rruga Fier-Patos, Tel.03813662, e-mail: [email protected] 
2. Lloji Lloji i procedurës së prokurimit: Kërkesë për propozim me mjete elektronike 
3. Objekti i kontratës: Blerje bateri auto 
4. Fondi limit: 2 362 000 (dy milionë e treqind e gjashtëdhjetë e dy mijë) lekë, pa TVSH 
5. Vlera totale përfundimtare e kontratës: 2 705 400 (dy milionë e shtatëqind e pesë mijë e katërqind) lekë, me TVSH 
6. Data e lidhjes së kontratës: 27/ 07/ 2017. 
Sigal