Drejtësia për Tahirin, çështje kohe, nëse prokuroria nuk do të merret nga Edi Rama!

507
Partia Demokratike ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për bllokimin e pasaportës dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Ish-ministri i Drejtësisë i PD, Enkelejt Alibeaj deklaroi nga selia blu se ” drejtësia për Saimir Tahirin është çështje kohe, nëse Prokuroria nuk do të merret nën kontroll nga Edi Rama!”
“Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda dhanë një provë tjetër sot për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës, – deklaroi Alibeaj. – Ndalimi i Saimir Tahirit për të dalë jashtë vendit është vendim i drejtë, që tregon se rrethi për Saimir Tahirin dhe shefin e tij, Edi Rama, po ngushtohet.
Çdo ditë që kalon provon se Saimir Tahiri është pjesë e rëndësishme e dosjes së prokurorisë Antimafia të Katanias; se Saimir Tahiri ka vendosur policinë në shërbim të trafikut ndërkombëtar të drogës; se Saimir Tahiri ishte mbrojtja politike e Habiljave në Tiranë; se Saimir Tahiri ishte vetë i mbrojtur nga Edi Rama, që përfitoi nga kanabizimi i vendit miliona euro për blerjen e pushtetit të tij politik. 
Siç tregojnë dokumentat e publikuara në media, dhe siç ka deklaruar opozita prej më shumë se 2 vjetësh, Shërbimi Informativ Shtetëror e ka vënë në dijeni Edi Ramën dhe Saimir Tahirin për përfshirjen e 127 drejtuesve të lartë të policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, të paktën që nga marsi i 2016-ës deri në prill të 2017-ës. 
Edi Rama jo vetëm që e mohoi aktivitetin kriminal të mbjelljes së kanabisit nën mbrojtjen e policisë dhe Saimir Tahirit, por shpalli opozitën si pjesë e Frontit të së Keqes, që po hidhte baltë mbi vendin, mbi Edi Ramën dhe mbi Saimir Tahirin, ministrin e tij model të suksesit. 
Tani, drejtësia po provon që Saimir Tahiri ka bërë levizje të shpeshta me grupin e tij kriminal të Habilajve, që trafikonin kanabisin nga Shqipëria në Itali. 
Drejtësia po provon që edhe 863 mijë eurot e gjendura në makinën e Orest Sotës, i përkasin Saimir Tahirit. Drejtësia është çështje kohe, nëse prokuroria nuk do të merret nën kontroll nga Edi Rama!” përfundoi deputeti i PD-së.
Sigal