DREJTËSIA NË KOLAPS NGA TENTAKULAT E POLITIKËS

55
Subashi: Drejtësia në kolaps, politika ka shtrirë tentakulat kudo dhe reforma është në rrezik
Ish-nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi, një nga juristet e njohura në vend e ka cilësuar zhurmën që po bëhet për Prokurorin të Përgjithshëm një tërheqje vëmendjeje nga realiteti në të cilin ndodhet drejtësia
Dëshira Subashi, ish-nënkryetarja e KQZ-së dhe një nga ish-gjyqtaret me përvojë të gjatë, ka dhënë mendimin e saj lidhur me situatën në të cilën ndodhet procesi i reformës në drejtësi dhe konkretisht, ngritja e institucioneve të reja të Drejtësisë. Debatin për zëvendësimin e Adriatik Llallës e konsideron të tepërt, në një kohë që sipas saj, sistemi i drejtësisë është duke lënguar plagët e marra prej vitesh nga ndërhyrja e politikës. Bën fajtore politikën për gjithë sa janë duke kaluar qytetarët shqiptar. Thotë se sistemi i drejtësisë është në kolaps total dhe se reforma në Drejtësi është shumë e largët, pavarësisht se ka të paktën pesë vite që kanë filluar diskutimet për të. Për Subashin çështja e mbarimit ose jo të mandatit të Adriatik Llallës nuk duhet diskutuar, pasi atë e ka përcaktuar qartë Kushtetuta. Ajo shprehet se për aq kohë se KLP nuk është ngritur, dhe për këtë fajëson politikën, është gjetur një zgjidhje. Por Subashi e konsideron këtë zgjidhje thjeshtë një dalje të politikës atje ku ajo dëshiron dhe asgjë më shumë. 
Zonja Subashi, si e konsideroni zhurmën e krijuar prej kohësh lidhur me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm?
Pesë vite plot në politikën shqiptare mbeti fjala e zhurmshme “Reformë në Drejtësi” , e cila me shumë vështirësi, duke ecur e duke ngecur, arriti ta shkruaj historinë e saj në Kushtetutë e në ligje. Tek u arrit deri këtu u duk se “kaloi e keqja” dhe unë, por unë besoj edhe si specialiste e së drejtës, se po zbatohet tashmë kjo reformë që do të ishte shpëtimi nga “padrejtësitë e drejtësisë”edhe për arsye të zhurmës së madhe të politikës dhe ndërkombëtarëve të përfshirë në proces. Koha që kalon prej gati dy vitesh nuk solli ndryshimin. Ky me sa duket është edhe testi, se padrejtësia fillon tek politika dhe pasqyrohet tek drejtësia.
Pesë vite kanë kaluar duke folur për Reformën në Drejtësi. Ende larg pritshmërive të mia për rezultatin e dëshiruar. U miratuan ligjet e kësaj reforme dhe u duk se “kaloi e keqja”. Por jo! Koha është treguesi i së vërtetës. 

Çfarë ka sjellë kjo situatë e krijuar për pasojë?
Kanë mbaruar disa mandate të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese. Ka vakanca jo të pakta në të gjitha nivelet e tjera të gjykatave..
Ka mbaruar edhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm.

Kjo është edhe ajo për të cilën po debatohet dhe duket se maxhoranca ka gjetur një zgjidhje, e cila kontestohet nga opozita. Ju si e mendoni?
Këtu me sa duket është “sikleti” më shumë se sa për gjykatat. E kam ndjekur me vëmendje ecurinë e këtij procesi, debatet e shumta pro dhe kundër si për mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu edhe për zëvendësimin e këtij posti të rëndësishëm të shtetit. Zhurmë, shumë zhurmë e rrafshit politik, kamufluar gjoja me shkelje të neneve të ligjit, nga mazhoranca-etiketon opozita. Ky është perceptimi im dhe në lidhje me këtë çështje ndaj opinionin tim të ligjit, me lexuesin për caktimin përkohësisht të një prokurori që të kryej funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm.

Mbarimi i një mandati të përcaktuar në Kushtetutën e Shqipërisë, ka kuptim të plotë – fillon në datën e emërimit dhe mbaron në datën e plotësimit të kohës së mandatit . Ish-Prokurori i Përgjithshëm, me ligjin e mëparshëm, ka një mandat 5–vjeçar që fillon në datën e emërimit dhe përfundon në datën kur është plotësuar afati 5 –vjeçar. Fare e thjeshtë dhe sipas meje pa asnjë ekuivok diskutimi.

Opozita ka deklaruar se maxhoranca është në shkelje të ligjit. Sipas saj, përfundimi i mandatit, deklarohet i mbaruar nga KLP, një institucion që ende nuk është ngritur. Ju si e shihni?
Edhe për këtë detaj tepër të thjeshtë është kontestuar, se me që ligjet e reformës kanë përcaktuar që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet i mbaruar nga KLP, Prokurorit të Përgjithshëm nuk i ka mbaruar mandati. Jo, absolutisht jo, nuk është e drejta kjo! Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ka mbaruar në kohën normale që ka parashikuar Kushtetuta e Shqipërisë. KLP është institucion që nuk është ngritur ende, edhe pse ligji kohë më parë ka hyrë në fuqi. Kur institucioni nuk ekziston realisht, është sens jo logjik të mendohet se nuk mbaron mandati funksionarit, sepse nuk ka vendosur institucioni që nuk ekziston! Kaq e thjeshtë është për ta kuptuar debatin e bërë nga gjithkush që ka mundësinë mediatike. Në fakt këto janë çështje thellësisht teknike të zbatueshmërisë së ligjit. Nuk ekziston në këtë rast asnjë shkelje që të cenojë integritetin e Prokurorit të Përgjithshëm, apo të drejtave të tij, në këtë proces.

Tani jemi në fazën e zëvendësimit të Prokurorit të Përgjithshëm me një Prokuror të përkohshëm. Si e shihni procesin që po zhvillohet?
Prokurorit të Përgjithshëm që i ka përfunduar mandati nuk mund të qëndrojë asnjë ditë në detyrë, sepse përbën shkelje të ligjit. Ai nuk mund të prodhojë akte apo të kryejë funksione të postit, sepse i mungon tagri. Dhe me sa duket së fundmi duket se ka kaluar ky diskutim. Problemi tashmë është tek zëvendësimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Ligjvënësi e ka dhënë zgjidhjen normale, në tërësinë e ligjit; Ka rakorduar afate të zbatimit dhe funksionimit të ndryshimit që duhet të sjellë reforma. Por afatet kurrë nuk u respektuan; nuk u ngritën strukturat në afat që të mund të funksiononin zinxhir edhe vlerësimet e punonjësve në detyrë, apo emërime të tjera. Është pikërisht rasti që tregon parregullsitë dhe shkeljet e ligjit nga vetë politika dhe duhet të jenë këta të fundit që të zgjidhin çështjen dhe jo të bëjnë investimin e kundërt; të ndikohet negativisht në rritjen e besimit tek drejtësia, që ishte edhe qëllimi i kësaj reforme në drejtësi . 

Atëherë si i bëhet, do të qëndrojë institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm bosh, sepse nuk është ngritur një strukturë? Kurrsesi nuk mund të ndodhë, sepse do të rrezikohej seriozisht siguria e shtetit , nga kjo mungesë. Ka qenë vlerësimi edhe i ligjit që ka parashikuar posaçërisht zëvendësimin e menjëhershëm, qoftë edhe të përkohshëm, të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, duke i dhënë qartësisht disa detyrime Kuvendit në përzgjedhje. Kjo zgjidhje nuk është parashikuar për asnjë pozicion tjetër në piramidën e drejtësisë. Është e veçanta vetëm për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm. 

Kjo është fryma e ligjit, ky është qëllimi i ligjvënësit. Ligji qartësisht kërkon funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë. Debati nuk po zhvillohet si të zgjidhet problemi teknik, por se nuk mund të zgjidhet nga Kuvendi me dispozitën kalimtare.

Çfarë thotë kjo dispozitë për ta ditur lexuesi?
Dispozitat kalimtare të ligjit kanë përcaktuar se: “ Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm mbaron përpara kohe, përpara krijimit të KLP, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e ligjit”. Problemi është se ekziston një zgjidhje e posaçme, e përkohshme, si më sipër për zgjidhje. Në fakt në gjykimin tim thelbësore e kësaj dispozite për t’u zbatuar është e lidhur me ngritjen e institucionit të KLP-së, e cila ende nuk është në funksion. Shprehja –se mbarimi para kohe i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, mendoj se mbarimi i mandatit të parakohshëm apo në kohë , në thelb është mbarim mandati dhe nuk krijon asnjë fakt apo arsye penguese. Arsye determinante është në këtë rast mungesa e krijimit të funksionimit të KLP-së, që i jep logjikën e emërimit të përkohshëm të një prokurori në detyrë që ka moshën më të madhe, ka eksperiencën më të madhe në detyrë, por plotëson edhe kushtet e ligjit për ta kryer këtë detyrë. Në fakt ligji ka kufizuar vendimin e Kuvendit në caktimin e këtij funksioni, ndaj është caktim i përkohshëm dhe është në dispozitat kalimtare, deri në shqyrtimin dhe vendimin përfundimtar për këtë post. Nuk duhet harruar se në thelb, në fund të fundit Kuvendi i Shqipërisë është institucioni i emërtesës për këtë funksion. 

Ky është debat që bëhet sot për Prokurorin e Përgjithshëm, që në vlerësimin tim është i majisur pa një shkak të qenësishëm ligjor. E rëndësishme është të kthejmë sytë nga i gjithë sistemi i drejtësisë në vend.

Si do ta përkufizoje sistemin e drejtësisë në kushtet e sotme?
Sot sistemi i drejtësisë është pothuaj në kolaps. Strukturat e niveleve të ndryshme të drejtësisë shkelin të drejtat e njeriut, kryejnë procese të parregullta ligjore për shkak se nuk respektojnë ligjet në gjykimin dhe shpalljen e vendimeve gjyqësore në kohë. Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese me kapacitete të munguara, për shkak të mbarimit të mandateve. Zëvendësimi i tyre lidhet pikërisht me disa klauzola dhe struktura të reformës në drejtësi, të penguara apo të parealizuara nga politika, në kohën që përcaktojnë ligjet. Zoti e ruajt Shqipërinë nga anarkia institucionale e drejtësisë, e udhëhequr totalisht në këtë gjendje nga politika. Ndonëse për gjykatat që shkelin të drejtat e njeriut me procese të parregullta ligjore po heshtet, sikur janë në harresën apo zbehjen e pasqyrës se çfarë dëmi sjellin, prej muajsh shqetësimi i politikës është mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe zgjedhja e zëvendësuesit. Nga çdo njeri kuptohet që ky pozicion është ndjeshmëria police, ndaj edhe qasja e politikës me vakancat e tjera të institucioneve të tjera të larta të drejtësisë është e ndryshme.

Ndjeshmëria e mbarimit të mandateve të gjyqtarëve të lartë nuk është e tillë si për Prokurorin e Përgjithshëm. Debate të forta teknike, të bërë nga politika në lidhje me mbarimin e mandatit! Detajet teknike nuk ishin në të vërtetë qëllimi. Politika në Shqipëri fatkeqësisht është dominante kudo, në të gjitha pushtetet. Nën petkun e merakut të zbatimit të reformës në drejtësi është zhurmuar për qëllime politike në çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Si në çdo hap, si për çdo institucion tjetër të drejtësisë ligjet e miratuara janë shkelur, institucionet e reja nuk janë ngritur dhe në këtë mënyrë zinxhiri i shkeljeve të ligjit është pa fund. Ende nuk po vjen drejtësia e vërtetë për të bërë përgjegjës të gjithë shkelësit e ligjit në mënyrë të barabartë.
Zgjedhja e paracaktuar e Prokurorit të Përkohshëm, emrat që kaluan testin e socialistëve 
Komisioni i Ligjeve bëri mesditën e djeshme vlerësimet për shtatë kandidatët që ishin futur në garë për të ushtruar detyrën e Prokurorit të Përkohshëm. Nga ato që u lexuan u pa qartë se gjithçka ishte parapërgatitur. Të majtët larguan nga gara katër kandidat me përvojë shumë të gjatë pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Krimeve të Rënda, ndërsa rreshtuan si favorit, tre kandidaturat e ardhura nga Shkodra, Elbasani dhe Durrësi. Raportin e lexoi Bledi Çuçi prezantoi, duke informuar se vetëm tre kandidatë i plotësojnë kushtet. Më konkretisht ai tha se Ferdinand Elezi, Ermira Tafani dhe Arta Marku, janë tre kandidatët që përmbushin kriteret. Ndërsa ata që nuk e kaluan provën janë, Besnik Muçi, Artur Selmani, Granit Shahu dhe Arqile Koça. Sipas anëtarëve të komisionit të ligjeve, këta kandidat, nuk plotësojnë disa nga kushtet e përcaktuara në ligj. Komisioni parlamentar miratoi raportin, i cili do të dërgohet në Kuvend dhe të hënën do të votohet për Prokurorin e Përkohshëm. 
U skualifikua si kryeprokuror, Besnik Muçi sfidon Hysin dhe Shametin
Besnik Muçi ka reaguar pas skualifikimit nga gara për postin e Kryeprokurorit të Përkohshëm nga Komisioni i Ligjeve, me arsyen se nuk plotësonte kushtin për 15 vite punë si prokuror. Në një dalje për media, Muçi deklaroi se i mungojnë vetëm 15 ditë për të mbushur 15 vite si prokuror. Duke cituar Kushtetutën, ai iu drejtua dy deputetëve socialistë, Vasilika Hysi dhe Adnor Shameti, duke iu kërkuar t’i tregojnë se ku e gjetëm kushtin për 15 vite eksperiencë, duke i sfiduar se, nëse e gjejnë ai do të tërhiqet dhe do të kërkojë ndjesë. “Mbush 15 vite pas 15 ditësh prokuror, në të cilat, rreth 10 vjet jam prokuror te Krimet e Rënda. Përmbush kriteret. Kushtet ligjore: Ja çfarë parashikon Kushtetuta, neni 148 paragrafi 1: Prokurori i përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vite punë, që kanë mbaruar shkollën e magjistraturës. Unë jam duke përfunduar doktoraturën. Kam mbaruar shkollën e magjistraturës, në 2001 jam emëruar prokuror, kam qenë drejtor në Drejtorinë e Krimit Ekonomik-Financiar. Unë sot plotësoj rreth 15 vjet si prokuror. Në vlerësimin tim plotësoj kushtet e një juristi të spikatur. I kërkoj Hysit dhe Shametit, ku e gjetën kushtin e 15 viteve prokuror? Nëse i gjejnë unë tërhiqem dhe kërkoj ndjesë”, tha Muçi.