Drejtësia e pashpresë, politika e përçarë dhe faktori ndërkombëtar arbitër i njëanshëm

538
Shtatë kandidatët zyrtarë për postin e kryeprokurorit, emrat e tyre dhe reagimet pro dhe kundër të politikës për mënyrën sesi është duke ecur procesi i reformimit
Zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm të vendit deri në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, kandidatura e të cilit do të zgjidhet nga KLP, ka futur në një spirale debatesh, jo vetëm politikën, por edhe ndërkombëtarët. Këta të fundit, janë investuar së tepërmi në reformën në drejtësi, madje në disa raste kanë dalë hapur pro vendimeve të marra nga maxhoranca, duke kundërshtuar me forcë pretendimet e opozitës. Debati më i fundit është ai për moskrijimin në kohë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, gjë që ka çuar automatikisht në ngërç institucionin e akuzës. Adriatik Llallës i ka përfunduar mandati që në datë 7 dhjetor. Pas kësaj date, Prokuroria e Përgjithshme në bazë të ligjit të ri dhe ndryshimeve të fundit kushtetuese, është pa drejtues. Por për të zgjidhur këtë situatë, rolin e KLP duket se e ka marrë Komisioni i Ligjeve, i cili ka propozuar vendosjen e një prokurori të përkohshëm, deri sa të ngrihen organet e reja të drejtësisë, që do të bëjnë përzgjedhjen e kandidaturës për prokurorin e ri. Pro kësaj zgjedhje është i gjithë spektri i majtë në vend. Këta të fundit janë mbështetur edhe nga ndërkombëtarët. OSBE dhe ambasada amerikane kanë dalë hapur pro maxhorancës, madje i kanë bërë ftesë edhe opozitës që të bashkëpunojë me qëllim, zgjedhjen e një prokurori me dialog. Donald Lu deklaroi dje, se klasa politike duhet të bashkohet. Sipas tij reforma në drejtësi nuk ka kthim pas dhe se ka disa politikanë, të cilët mendojnë se ajo ka vdekur. Reagimet ishin të menjëhershme. Fill pas kësaj deklarate, reagoi kryeministri i vendit, i cili ripërsëriti ftesën e tij për kryedemokratin Lulzim Basha. Ndërsa ky i fundit, tha se zgjedhja e kryeprokurorit nga politika, është dhunim i Kushtetutës. Reagime erdhën edhe nga juristë të njohur, të cilët e kanë kundërshtuar me forcë, vendimin e maxhorancës për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë. 
Lista e kandidatëve për kreun e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm

Ferdinand Elezi
Prokuror i Apelit të Durrësit. I përfolur nga opozita për lidhjet e tij me politikën. Dorëzoi i pari kërkesën për të qenë Prokuror i Përkohshëm në vend të Adriatik Llallës.
Arta Marku
Prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ishte kandidatura e dytë për këtë post. Marku nuk spikat shumë në radhët e prokurorëve, megjithatë kërkesa e saj është pranuar.
Arqile Koça
Nga Korca ku punoi disa vite erdhi në Prokurorinë e Përgjithshme. Ka qenë për tre vite anëtarë i Këshillit të Prokurorisë. Ka hetuar çështjen Gërdeci dhe atë për vrasjen e Azem Hajdarit
Besnik Muçi
Aktualisht zv/prokuror pranë Prokurorisë së krimeve të rënda. Fillimisht ka qenë prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Ka hetuar shumë dosje të rëndësishme, përshi dhe ato të grupeve kriminale
Ermira Tafani
Prokurore në rrethin gjyqësor Elbasan. Nuk njihet për dosje të bujshme. Emri i saj është lakuar në një emision investigativ, nga një gjyqtare, pasi kishte marrë ryshfet nga një i dënuar
Granit Shahu
Prokuror në Prokurorinë e Shkodrës. Ka punuar për disa vite në Prokurorinë e Tiranës dhe me vendim të Prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla ai u transferua në Shkodër së bashku me Anton Martinin.
Artur Selmani
Artur Selmani ka hetuar për disa muaj me radhë sherret në Kuvendin e Shqipërisë, fillimisht kallëzimin e PD-së për deputetin Amarildo Prenga dhe më vonë deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.
Sigal