‘Drejtësia’, Basha: Nëse kalon reforma, vendi rrezikon destabilitet politik

428
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, shefi i opozitës, Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se Edi Rama ka marrë përsipër dështimin e reformës në drejtësi. Edhe njëherë, kreu i PD theksoi se reforma të bëhet vetëm sipas rekomandimeve të Venecias.
“Futja në mënyrë të njëanshme e draftit të reformës është antikushtetuese dhe në kundërshtim me rregulloren. Nuk mund të ketë reformë në drejtësi me këtë standard. Rama me ‘Vetingun’ kërkon që të kapë politikisht drejtësinë. Ai dërgoi në mënyrë të njëanshme draftin në Kuvend. Kërkojmë të përfundojmë procesin, për t’u dhënë shqiptarëve drejtësinë që kërkojnë, por jo për t’i dhënë një peshqesh Edi Ramës. Duam zbatimin e plotë të rekomandimit të pikës 88, – tha Basha. – Sot dua t’u bëjë thirrje deputetëve të mazhorancës që të mos përdoren politikisht si mburojë nga njeriu që ka tmerr drejtësinë e pavarur. PD ka bërë përpjekjet për drejtësi që lufton korrupsionin dhe krimin”.
Basha vazhdoi, se me futjen në mënyrë të njëanshme të draftit në Kuvend, “Rama u vetëdenoncua si armiku i reformës, duke rrezikuar shtyrjen me një vit të këtij procesi dhe nga ana tjetër duke rrezikuar destabilizimin politik të Shqipërisë”.
Sipas Bashës, “çështja që më ndan sot me Edi Ramën, ka të bëjë me moskapjen e reformës në drejtësi. Kjo do të bëhet sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Rruga e reformës në drejtësi është zbatimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias Parlamenti shqiptar, nuk do e ratifikojë kurrë projektin e kapjes së drejtësisë nga Edi Rama”, tha Basha.
Sigal