Drafti i PS, Presidenti i Republikës nuk do të jetë pjesë e KLD

52
Partia Socialiste ka depozituar pranë Komisionit të posacëm për Reformën në Drejtësi draftin e saj. Referuar dokumentit, një rëndësi e vecantë i kushtohet institucioneve të pavarura si Prokurori i Përgjithshëm,Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, ndërsa përsa i takon zgjedhjes së Kreut të Shtetit formula nuk ndryshon. Por sipas propozimeve të PS-së, zgjedhja e Presidentit edhe me shumicë në thjeshtë në raundet e fundit, mund të bëjë që ai të jetë i njëanshëm dhe nuk mund ta kryejë më funksionin e Kryetarit të KLD. Gjithashtu ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë anëtar i KLD-së, por ai mund të ndjekë mbledhjet e Këshillit me statusin e vëzhguesit.
Në draftin e PS-së, propozohet që Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë deri në emërimin e Prokurorit të ri. Gjithashtu përcaktohet se Kryeprokurori në detyrë emërohet gjyqtar në gjykatën e apelit të Tiranës brenda 3 muajve nga data e mbarimit të mandatit. Në amendimet kushtetuese të PS-së propozohet që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të përfundojnë veprimtarine e tyre, si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë 3 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor bëhet brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë gjyqtarë dhe 2 jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, do të emërohen fillimisht për një mandat 3 vjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Gjithashtu drafti i PS-së ndalet edhe në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, referuar përplasjeve që kanë ndodhur mes Institucionit të Presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka refuzuar pothuajse të gjithë kandidatët e propozuar nga Kreu i Shtetit për vendet vakante.