Drafti i PS për Kushtetuesen /Vasili: Rilindja turpërisht në krah të betimit të Lanës!

454
Sigal

Nënkryetari i LSI-së, Petit Vasili ka akuzuar Qeverinë se po synon kapje e Gjykatës Kushtetuese, me draftin e propozuar nga maxhoranca për disa ndryshime ligjore për betimin e anëtarëve të organeve të gjyqësorit.

Në rrjetet sociale, ndërsa poston shkrimin e aktivistit Edison Balla, Vasili shkruan se “për Rilindjen, Reforma në Drejtësi është një rreckë pa vlerë”.

Me ndryshimet e propozuara nga PS, Presidentit i vihet një afat prej 10 ditësh për të ftuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që të betohen në presidencë dhe nëse kjo nuk ndodh, anëtari betohet diku tjetër dhe ia dërgon me shkrim Presidentit.

Postimi i plotë i Petrit Vasilit:

Rilindja turpërisht në krah të betimit të Lanës!

Ndryshimet e propozuara nga Rilindja, në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, për të legalizuar betimin e Lanës dhe që dhunojnë hapur Kushtetutën e ndryshuar me 140 vota, janë dëshmi e qartë e skenarit të saj kriminal për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

Rilindja kërkon të legjitimojë betimin e Lanës dhe jo betimin kushtetues të Gjyqtarëve Kushtetues te Presidentit.

Për Rilindjen ujërat e qelbura dhe bretkosat hetimore të Lanës dhe jo ujërat e pastra të Reformës në Drejtësi të votuar me 140 vota janë mënyra e saj moçalore e jetesës.

Për Rilindjen Reforma në Drejtësi është një rreckë pa vlerë.

Për Rilindjen Reforma në Drejtësi është thjesht një demagogji e shpenzuar me tonelata për t’u hedhur hi syve shqiptarëve.

Për Rilindjen Reforma në Drejtësi është thjesht mjet për kapjen e drejtësisë, që ajo të mos ndëshkojë rilindjen, por vetëm qytetarët e thjeshtë.

Për Rilindjen Reforma në Drejtësi është instrument për të ndenjur në pushtet.

Për Rilindjen Reforma në Drejtësi është krijimi i drejtësisë që mbron të korruptuarit, kriminelët dhe trafikantët, klientët dhe telekomanduesit e deklaruar të qeverisë.

Lexojeni miq komentin e mëposhtëm dhe argumentimin e tij shterues:

“Pse Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, depozituar në parlament bie në kundërshtim me Kushtetutën”.

Nga Edison Balla

Në kohën kur debati mbi mungesën e Gjykatës Kushtetuese në vend “gëlon” në çdo studio dhe hapësirë publike, deputetët e majtë gjejnë kohën që të depozitojnë në parlament një projektligj për të bërë ndryshime në Ligjin nr. 8577, date 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Pikërisht në nenin 1 të këtij projektligji propozohet ndryshimi i mëposhtëm:

Në nenin 8, paragrafi 1, shtohet fjalia e dytë me këtë përmbajtje: “Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetutese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”.

Por ky parashikim i propozuar bie në kundërshtim të hapur edhe me një dispozitë të Kushtetutës, e cila rregullon pikërisht mënyrën e emërimit dhe nisjes së detyrës të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht ky nen thotë shprehimisht:

Sipas nenit 129 të Kushtetutës “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.

Po sipas nenit 8, pika 1 të Ligjit nr. Nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Në kuptim të dispozitave më sipër, kusht për fillimin e detyrës është kryerja e betimit nga gjyqtari Kushtetues para Presidentit.

Që betimi të jetë i vlefshëm duhet të përmbushen njëherazi dy kushte: i) shprehja e qartë e vullnetit të gjyqtarit kushtetues që zotohet të përmbushë detyrat sipas formulës së betimit që jepet në kushtetutë ose ligj; ii) dhënia e betimit para organit që parashikon kushtetuta ose ligji.

Qartazi kjo shihet se është një formë për të evituar edhe pengesën që mund t’u çelte Presidenti me mos emërimin e kandidaturave të propozuara nga parlamenti.
Gazeta Shqip.