“Drafti i PD-së nuk premton zgjidhjen e luftës kundër korrupsionit”

539
Sigal

INTERVISTA/Flet  Ilir Bejtja, deputeti i PS-së: “Garancia më e madhe e zgjedhjeve të 2013-s është vota e qytetarëve”

Kompromisi i Reformës Zgjedhore midis PD-PS, edhe pse nga të gjitha partitë e tjera shqiptare u cilësua “pazar” interesash midis dy forcave politike dhe jo një reformë e përfaqësimit, e barazisë së votës së elektoratit shqiptar, deputeti i PS-së, zoti Ilir Bejtja në intervistën për “Telegraf”, nuk e mohon që PS-ja nuk ka interesa partiake në atë proces, por… këtu është thelbi, këto interesa partiake të PS-së, në sistemin zgjedhor  janë interesat e garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Edhe për reformën e heqjes së imunitetit, zoti Bejtja pohon që drafti i PD-së nuk premton zgjidhjen e luftës kundër korrupsionit. Ndërsa, pyetjes përse PS-ja nuk kërkon ndryshimet për zgjedhjen e Presidentit së bashku me ndryshimet që kërkohen të bëhen tani në Kushtetutë, përgjigja është e prerë: Nuk është koha ta diskutojmë.

– Zoti Bejtja, kompromisi i arritur midis PD-PS në Reformën Zgjedhore u konsiderua nga shumë, qoftë partitë e tjera qoftë edhe nga opinioni, më shumë si balancim privilegjesh partiake që u siguron sistemi zgjedhor PD-së dhe PS-së, sesa një reformë e barazisë dhe përfaqësisë së votave.  Ju si mund të reagoni ndaj kësaj kritike?

Nuk jam dakord që është “pazar” për balancim privilegjesh, por një hap i rëndësishëm në garantimin e votës së lirë. Nëse nuk u arrit gjithçka, kërkojmë ose kërkohet për garantim standardesh, por thjesht një hap i rëndësishëm në përmirësimin e tyre, kjo është vetëm për shkak të rezistencës së mazhorancës qeverisëse, në veçanti PD-së ndaj mos pranimit të mungesës së tyre, dhe nga ana tjetër nga kacavjerrja në mundësitë për manovrim në procesin e ardhshëm zgjedhor. Ne mendojmë se me këto rregullime kemi bërë hapa para të rëndësishëm, dhe kjo mbetet për t’u verifikuar, por e dimë edhe që nuk kemi arritur gjithçka kërkohet. Pjesa tjetër e garancive unë mendoj se do të vijë nga vullneti dhe rigoroziteti i zgjedhësve për të votuar dhe për të ruajtur votën e tyre.

– Duke marrë shkas nga kompromisi që dha  PS-ja në reformën zgjedhore, duke parë pak më tej, autokritikën e PS-së për ndryshimet kushtetuese në 2008-n, a nuk ndihmon edhe PS-ja vetë që të perceptohet, formohet opinioni që edhe PS-ja si opozitë,  më shumë i intereson si të përfitojë më shume interesa partiake, sesa interesimi që ndryshimet të jenë promotorë të zhvillimeve shoqërore?

– Së pari askush nga PS nuk ka thënë se ne nuk kemi interesa partiake në këtë proces. Përderisa ai lidhet me ndërrimin e pushtetit dhe ne jemi forca kryesore dhe me e madhe në vend që e aspirojmë këtë, padyshim që kemi interesa partiake në garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Por këto interesa për fatin e mirë, ndryshe nga ato të PD, janë të njëjta me interesat e të gjithë zgjedhësve shqiptarë dhe të shoqërisë shqiptare.

– Ju si e shpjegoni moskërkesën e PS-së për të ndryshuar zgjedhjen e Presidentit, që të bashkëshoqërohet me ndryshimet në Kushtetutë për heqjen e imunitetit?

– Nuk është moment i diskutimeve për presidentin e pas pesë vjetëve.

– Besoni që edhe po të plotësohen kërkesat e PS-së, për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të asaj Kushtetuese dhe kryeprokurori me 84 vota, do të ketë garanci për opozitën heqja e imunitetit?

Po, sepse garantohet një pavarësi më e madhe nga politika e drejtësisë në Shqipëri.

– Në aktualitetin politik , kur tashmë kontrolli i të gjitha pushteteve është në duart e Kryeministrit, kur organet e akuzës, kur Gjyqësori janë të politizuara, a mundet heqja e imunitetit të funksionojë kundër korrupsionit e krimit të organizuar?

– Nëse pranohet variant i paraqitur nga PS, dhe duke besuar në “integritetin” e pushteteve, relativisht arrijmë të plotësojmë një nga kërkesat e BE dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe njëkohësisht heqim mitin e kaq përfolur të “imunitetit”.

– Pranohet nga të gjithë që korrupsioni ushqehet e frymëzohet nga mungesa e vullnetit politik që ta luftojë. Cilat do të jenë rrugët e ribesimit të vullnetit politik që të luftohet korrupsioni? Me hartimin e reformave qoftë për heqjen e imunitetit, qoftë edhe ndryshimet e pjesshme në Kushtetutë?

Kaq është vetëm një fillim i mirë. Ne duhet dhe do të bëjmë një reformë të plotë administrative, por edhe një luftë jo demagogjike ndaj sëmundjes së korrupsionit. Ana tjetër e medaljes lidhet edhe me luftën që vetë shoqëria shqiptare duhet t’i bëjë këtij fenomeni, duke mos e pranuar në asnjë dimension. Duket sikur vetë shqiptaret nuk e konceptojnë dot shtetin pa “pak vaj korrupsioni”, dhe kjo është një e keqe sociale që nuk mund të luftohet vetëm nga PS, por nga të gjithë, duke filluar nga çrrënjosja e tij pa kompromis dhe në mënyrë të egër nga institucionet deri tek refuzimi i pranimit të tij nga shoqëria si e tërë.

– A mund të jetë bindëse oponenca  e PS-së kundër kësaj qeverisjeje,  vetëm kur  thekson, “më e korruptuara”? Mos vallë PS shtron alternativën politike: Na zgjidhni neve që jemi më pak të korruptuar?

Nuk do e shtroja kështu pyetjen, por po ju them përgjigjen pse. Duhet të votojmë PS, sepse është alternativë që qëndron me pranë të gjithë shqiptarëve si lidhur me përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre nëpërmjet një sistemi fiskal të ndershëm dhe transparent që garanton barazinë ndaj ligjit, nëpërmjet alternativave për zhvillimin parësor të sektorëve të ekonomisë që rrisin produktivitetin e saj dhe garantojnë zhvillim të qëndrueshme, si turizmi, bujqësia dhe blegtoria, industritë përpunuese ushqimore e të lehta, dhe përmirësimi i gjendjes së industrive të tjera, se edhe duke përmirësuar si infrastrukturën nga pikëpamja e shpërndarjes së saj për çdo kategori edhe nga ana e standardeve që nuk kanë qenë në asnjë rast prioritet i qeverisjes së PD – prioritet e qeverisjes se PD ka qenë të mbushë xhepat e një kaste që është pranë dhe brenda saj dhe të rrënojë shqiptarët në atë pikë sa t’iu mërzitet Shqipëria. Alternativa jonë është ajo që bashkon interesat e gjithë shqiptarëve.

– Si mund të jetë bindëse që opozita sot  e PS-së, ka tjetër filozofi politike nga PS-ja qeverisëse e para 7 vjetëve, e cila u akuzua jo pak si pjesë e korrupsionit?

Së pari, shumë akuza kanë qenë të pabazuara dhe të tilla mbeten, të pavërtetuara, Së dyti, sot pas 7 vjetësh ne jemi një trupë e re udhëheqëse në PS dhe brenda saj kanë ndodhur shumë zhvillime që premtojnë një të ardhme shume te ndryshme. Jemi shumë profesionistë, me gjak të ri dhe me shumë dëshirë për të punuar, kemi mes nesh njerëz me integritet të lartë, jemi partia me moshën më të re në politikë në përbërje të anëtarësisë.

– Muaj të tërë edhe PS-ja kontribuoi në tensionimin e ngërçit të Reformës Zgjedhore, dhe në fund u mjaftua me një kompromis që është i papranueshëm nga shumica e shoqërisë. Pardje, në Kukës u zhvillua një protestë për mungesën e ujit, por nga opozita mungoi vëmendja dhe përkrahja, sikurse edhe në shumë shqetësime sociale. Opozita sot, e luan rolin e përfaqësueses të oponencës të shoqërisë përballë qeverisjes, apo thjesht reduktohet në oponencën politike për marrjen e pushtetit,si qëllimin e vetëm të saj?

Nuk di çfarë t’u them për protestën në Kukës, por duhet të mësohemi që jo gjithnjë aksioni qytetar duhet të udhëhiqet nga opozita. Pa diskutim që ne si PS mbështesim protestat e tyre dhe të gjithë shoqërisë, por do të ketë mjaft aksione që nuk do të lidhen pazgjidhshmërisht me udhëheqjen e saj. Ne kemi një rol udhëheqës në betejën për shtetin e së drejtës dhe për shtetin ku jetojmë e do të jetojnë shqiptaret. Por më vjen shumë mirë që ky rol nuk është vetëm i yni, dhe lëvizjet shoqërore e qytetare që ju përmendni, si edhe lëvizjet e sindikatave të cilat janë mjaft në heshtje këto kohët e fundit, luajnë dhe do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ndryshimet e domosdoshme në vend.

– Perceptimi i opinionit publik për opozitën është se ajo është një sikurse mazhoranca, e udhëhiqet në oponencën e saj me filozofinë  e partisë qeverisëse, pa u munduar të mbartë përgjegjësinë dhe koston e përfaqësimit të interesave të shoqërisë. A keni ndjesinë që ky shqetësim ndihet në PS?

Mendoj se ky është perceptim i gabuar i juaji dhe jo i qytetarëve. Ne ndjejmë dhe mbajmë të gjithë përgjegjësitë lidhur me zhvillimin e vendit dhe me progresin e tij drejt familjes europiane.

 – Përse udhëheqja e PS-së ka frikën e debatit për listën e kandidatëve për deputetë?

Nuk kemi filluar një diskutim të tillë. Zgjedhja e tyre jam i bindur që do të bëhet sipas statutit dhe duke respektuar të gjithë mendimin e anëtarësisë socialistëve, simpatizantëve të saj, por dhe opinionin publik.

Ja garancia e PS-së për  zgjedhjet e 2013-s

Një garanci janë dy projektet pilot, Tirana dhe Fieri, respektivisht me verifikimin elektronik të kartave të identitetit dhe numërimin elektronik të votave. Këto dy qarqe zgjedhin më shumë se 1/3 e deputetëve. Një garanci tjetër është riformatimi dhe rregullimi i pjesës së Kodit që rregullon punën e KQZ-së, ku dy anëtarë të tij në prani të provave për manipulim rezultati, mund të hapin çdo kuti. Moment tjetër i rëndësishëm është edhe aksesi e monitorimi i plotë i listës së zgjedhësve nga ana e opozitës në këto zgjedhje që vijnë. Ne kompleks të gjithë rregullimet e bëra rrisin garancitë, por nuk i maksimizojnë ato. Mekanizmi vendimtar do të jenë vetë qytetarët

.– Faleminderit!