Dr. Qemal Lame: Bisedime për zgjidhjen e krizës pozitë-opozitë

484
Sigal

Protestat e opozitës dhe heqja dorë masivisht nga mandati i deputetit, më 21 shkurt 2019, ka shkaktuar realisht krizën më të rëndë e më të rrezikshme, pas vitit 1990, kur u pranua pluralizimi politike, ndryshoi sistemi politike, u vendos demokracia dhe filloi procesi i transformimit ekonomik e shoqëror kapitalist, integrimi euroatlantik. Shqiptarët donin dhe realizuan ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si Evropa, dëshmuan miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u integruan në NATO dhe janë në prag të hapjes së bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në vitin 1990 e në vazhdim patëm dhe kemi mbështetjen e fuqishme amerikane dhe evropiane. Protestat e zhvilluara aktualisht, më 16 dhe 21 shkurt 2019, rikthejnë në skenën politike tensionimin e politikës, qëllimin për të paralizuar institucionet shtetërore dhe imponimin e njëanshëm të zgjidhjeve nga interesa të caktuara politike për ardhjes në pushtet. Në vitin 1990 merituam ndryshimin dhe arritëm transformimin politik, ekonomik e shoqëror me mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Protestat e tanishme më 2019, vlerësohen si e drejtë e opozitës, por zgjidhjet kërkohen nga institucionet e ligjshme, Kuvendi e Qeveria, duke respektuar parimet e demokracisë funksionale dhe shtetin ligjor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, na këshillojnë dhe rekomandojnë dialogun e zgjidhjen e krizës politike në rrugë institucionale, jo me imponime publike politike në protestat në sheshet, që tronditin jetën e vendit dhe shkaktojnë pasiguri politike e frenim të proceseve integruese dhe reformimit të drejtësisë. Mendoj se është e drejtë dhe mënyra më e mirë për zgjidhjen e kësaj krize të rëndë me bisedime dhe përgjegjësi politike kombëtare midis maxhorancës qeverisës dhe opozitës së revoltuar. Bisedoni me sinqeritet! Mos vazhdoni tensionimin e mëtejshëm të situatës politike! Merrni kurajë për bashkëpunim dhe vendosjen e drejtësisë! Parandaloni tragjeditë e përvuajtura me dhimbje e plagë të pashëruara me shkatërrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve! Besoni dhe mbështesni krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, vënien para ligjit të gjithë atyre që kanë shkaktuar tragjeditë dhe i kanë shpëtuar dënimit nga gjykata. Çdo vendim të merret duke dëgjuar zërin dhe vullnetin e vërtetë të gjithë popullit! Kërkesa me masën e nevojshme dhe zgjidhje sipas mundësive, me mirëkuptim dhe konsensus të gjerë politike e shoqëror. Të dëgjohet e respektohet vullneti i popullit, jo imponimi me qëllime politike të marrjes me dhunë apo dhurimit të pushtetit në tavolinën e bisedimeve.