Dr. Majlinda Keta: PS-ja ka vdekur në 2007-n. Rilindja është bashkim interesash dhe klanesh, që i shërbejnë kryemnistrit

1103
Sigal

Dr. Majlinda Keta

Rama është kryeministri që qeveris përmes rrjeteve sociale, por që nuk arriti të qeverisë shqiptarët përmes reformave të pretenduara, duke mundësuar që Shqipëria të renditet e konkurrojë me shtete në zona lufte, sepse shqiptarët emigrojnë me çdo kusht

 

PS-ja ka vdekur në 2007-n. Rilindja është bashkim interesash dhe klanesh që i shërbejnë Ramës

 

Dr. Majlinda Keta, ish-anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” e thotë qartë: PS-ja ka vdekur, ndërsa Rilindja është grupim klanesh dhe interesash, ndërsa qeverisja e saj nuk ka asnjë program të Majtë. Dr. Keta pohon se kryeministri Rama qeveris nëpërmjet rrjeteve sociale, por nuk ka zbatuar asnjë reformë të premtuar. ndërkohë që nismën politike të kryeministrit që të zëvendësojë drejtorët rajonale më drejtoresha e cilëson “Turp!”. Kanabizimi i Shqipërisë, thotë zonja Keta është dështimi i çdo reforme të kryeministrit Rama.

   Jakup B. GJOÇA

 

 

-Zonja Keta, në këto 6 vite, cilën Reformë ka kryer Kryeministri Rama?

 

-Për 6 vitet që ju i referoheni, bilanci është shumë i lehtë për t’u bërë. Kjo, pasi qysh në krye të herës, nën udhëheqësi të z. Rama pretendimi për reformim i shumë sektorëve njëherazi të shpallur publikisht prej tij u kërcënua nga vetë filozofia që ka vet kryeministri.

Së pari, koncepti për të qeverisur me sukses të detyron të përcaktosh prioritete ideologjike programore që në rastin konkret duhet të sillnin ndryshimin që shqiptarët po qeveriseshin nga e majta. Rama i djathtë veshi edhe reforma të qenësishme të së majtës (arsim, shëndetësi, punësim) me ligje dhe vendimmarrje qeverie tipike të së djathtës. Rasti më i pastër është, Ligji për Arsimin e Lartë që po kthen sistemin në një shitore të inkompetencës në plotësimin e kuadrit ligjor me pasoja të rënda mbi studentët dhe stafet akademike; të anti-institucionalizmit mes institucioneve dhe strukturave, rrjedhojë e ligjit, të cilat në vakume dhe cilësi mediokre të tij kanë sjellë ngërçe të funksionalizmit bazuar në lirinë akademike, administrative dhe financiare të universiteteve; të konfliktualitetit studentë pedagogë stafe administrative, të nxitur nga vetë qeveria por dhe dëmtimet që ligji ka dhënë mbi sistem, të cilat edhe në pakte të njëanshme të qeverisë me studentët nuk po vlerësojnë funksionalizmin universitar dhe dijen akademike dhe të kërkimit.

Së dyti, duke rendur pas zë mekurve dhe puthadorëve por edhe për kompromise grupimesh brenda Rilindjes z. Rama nuk ia bashkëngjiti pretendimit të tij gjithë reformues standardin për të vënë në krye të parlamentarizmit rilindës, të qeverisjes personalitete të fushës, të pakapur nga krimi dhe konflikti i interesit, zëplotët dhe kurajozët nga opozitarizmi me qeverisjen e djathtë, programatorët dhe novatorët që frymëzonin sektorët që do përfshiheshin në reformim apo të të zgjidhte intelektualë që mbështetjen për ekspertizën në fushë dhe guximin qytetar do të zgjeronin dhe fuqizonin mbështetjen për reformat, ndërsa vendi për cilësinë e tyre hapte ose mbyllte mundësitë për progresimin në çështjet e integrimit evropian. Z. Rama dëshiroi dhe i mbyti vetë sikurse dhe vijon t’i mbytë mundësitë që 3 pushtetet të vepronin në lirinë dhe pavarësinë e tyre, pasi e pati të lehtë t’i kapte ato në kushtet e lidershipeve sektorialë, profesionalisht anemikë dhe të kapur në CV të inkriminuara, duke prodhuar një autoritarizëm alla diktatorial të vendimmarrjes dhe presionit.

Së treti, Rama asfiksoi mundësitë e krijimit të një administrate publike me standard të depolitizimit, kompetencës, vendimmarrjeve jashtë dhe larg lidhjeve me krimin dhe konfliktin e interesit që në momentet e para kur shpalli dhe ligjëroi me status TND-të (trupa e nivelit të lartë) që më së shumti bashkë me ministrat e linjës ishin pilotët e vdekjes institucionale, në paaftësi për prodhuar dokumente me përmbajtje reformatore, struktura të zhdërvjellëta në zbatim e monitorim, struktura audituese dhe vlerësuese me qëllim të përsosjes së ndërhyrjeve në sektorë. Larg asaj që pritej në këtë fazë të progreseve që priteshin për integrimin evropian, Rama është kryeministri që qeveris dhe qeveriset me shtetasit e vet dhe emigrantët tanë po ashtu përmes rrjeteve sociale, por që nuk arriti të qeverisë shqiptarët përmes reformave të pretenduara duke mundësuar që Shqipëria të renditet e konkurrojë me shtete në zona lufte për nivelin e dëshirës dhe realitetit të popullatës për emigrim me çdo kusht. Nëse shqiptarët do ndjeheshin të përfshirë dhe me besim nën reforma nuk do kishin këtë tendencë emigrimi. Kanabizimi si politikë afatshkurtër e kësaj qeverisjeje (pasi përfshiu të gjithë territorin, në shtratin e të gjithë pushteteve) është dështimi i çdo reforme, i asaj të drejtësisë pikësëpari. Kanabistët dhe oborrtarët e tyre nuk MUND dhe nuk DUHET të pranohen si reformatorët e drejtësisë në vend. Shpreh habinë time si qytetare aktive e këtij vendi, mbi të gjithë ato asistenca të huaja dhe organizata shqiptare që mbeten partnerë ende të kësaj pseudoreforme, mbase në padije mbi secilin protagonist politik qeverisës, autor të kësaj reforme. Kjo është vrasja e dytë e sistemit të drejtësisë shqiptare pas 1990-s. E para ishte strategjia plepiste, e dyta mbetet kjo kanabiste me një tërheqje jashtë logjike të opozitës për të mos u kapur nga diktatura e kanabisit.

-Në këto 2 vite që Kryeministri Rama e ka i vetëm Timonin e qeverisjes, a ka bërë progres Shqipëria?

– Ato çka analizova më sipër, por edhe shumë faktorë dhe tregues të rëndë të statusit socio politikë të shqiptarëve dhe institucionalizmit shqiptar të tjerë si to, nëse do kishin ardhur duke u përmirësuar në këto dy vite do na mundësonin të besonim që shansi që iu dha Timonierit për të gatuar e pjekur një “ushqim” shpresëdhënës dhe për mirënie tonën. Jo vetëm nuk poqi një të tillë, por ka djegur i vetëm tepsinë, ndërsa nuk ka përmirësuar, por ka rënduar treguesit qeverisës, pasi funksionon nën filozofinë e qeverisjes orientale (Krist Maloki) të qelepirxhinjve të pashpirt “që për ta bota (atdheu) asht një burim i pashterrun mjetesh, qejfesh, lezetesh të cilat aj i shfrytëzon me çdo mënyrë e metodë, pa pyet se ku e nget dhe ku e vret”. Timonierin dhe dhe përgjithësisht ekipin e tij të oborrit në këto dy vite do ta karakterizonte mrekullisht sërish po citoj K. Maloki:” Detyrë të ndershme dhe apo sakrifica vetëmohuese karshi botës përanë s’njef kurr jo oriental shqiptar. Përkundrazi, ushunjëza orientale, e pangijshme, I ngjitet trupi kolektiv dhe shoqnor dhe ja thith gjakun pa asnjë droje e skrupull. Dhe në vend që t’u turpnonte për veprën shkatërrimtare të veten, oriental shqiptar bahet edhe ma kryenalt, ma kapadai, ma qejfli…..dhe i bie karadyzenit. Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku dhe llokma”. Ndonëse nuk i referohet filozofisë sot të timonierit me PPP-të dhe koncesionimet e pakriter ato lehtësisht kuptohen mes rreshtash. Pra, kjo lloj qeverisjeje, ka tiparet e një qeverisjeje të 100 viteve më par,ë të analizuara nga këto burra të mençur të kombit. Të cilët po atëherë i kërkuan shqiptarit të orientohej nga oksidentalizma e ta harronin një herë e mirë këtë lloj orientalizme. E meqenëse ngjarja, shkëlqimi e marria qeverisëse vjen veç nga oborri bën që të humbasin dhe dekualifikohen në vlera e kontribute edhe ato nëpunës, zyrtarë, të punësuar në administratë shtetërore që duan dhe kontribuojnë me aq sa munden për shtetbërjen por që asfiksohen në efikasitetin dhe ndikimin e tyre nga fryma orientaliste e oborrtarëve të lartë të timonierit dhe të besuarve argatë të tij, a harruar t’i shtojmë nivelet e rritura të tyre të kapura nga krimi dhe interesat antishqiptare. CV-të e argatëve të përzgjedhur dhe protagonistë të tij në parlament, qeverisje, komisione reformash, komisione hetimore, borde vendimmarrëse, këshilla bashkiakë, paradhoma e këshilltarë tashmë shqiptarët i njohin mirë edhe për faktin se kemi mbetur a nuk jemi 1 milion e gjysmë shqiptarë në mëmëdhe. Demokracia, funksionalizmi demokratik dhe shtetbërja e shqiptarëve është në ditët e veta më të errëta.

Derisa PS qeveris 6 vite, sa i argumentuar është akuza e Rilindjes se “Opozita kërkon të destabilizimin sepse i trembet Reformës në Drejtësi dhe SPAK”?

-Ju lutem, mos ia adresoni socialistëve këtë lloj qeverisje, për më tepër PS-së që ka vdekur në 2007. Pranoni që ai është një bashkim vullnetar interesash dhe grupimesh të vëna në dispozicion të Timonierit. Aty nuk ka as ideal të majtë, as program të majtë politik, nuk funksionon demokracia partiake, aty shitet dhe blihet vota e kongresmenëve, parlamentarëve dhe asambleistëve, nuk ka hierarki merite dhe kontributi, askund nuk ndihet referenca në Statut e jo më Komisioni për mbrojtjen e tij, nuk funksionojnë strukturat dhe forumet e gruas dhe të rinjve nuk ka strategji për partneritete strategjike për koalicione qeverisëse……. PS-ja erdhi dhe ka bërë prodhuar një histori tjetër të demokracisë politike shqiptare. E majta duhet rithemeluar pas dështimit të kësaj qeverisje rilindëse që për një mijë e një arsye u mbështet edhe nga socialist me mendim në 2013-n.

Si e vlerësoni nismën politike të Kryeministrit Rama që të shkarkojë të gjithë drejtorët rajonalë e t’i zëvendësojë me gra sepse ato nuk korruptojnë?

– Të drejtat dhe sigurimi i shanseve të barabarta për gratë nuk kanë të bëjnë fare me këtë lloj instrumenti që deklaroi Timonieri. Më vjen keq që disa zonja të bashkëngjitura me Rilindjen dhe të ardhura nga e ashtuquajtura shoqëri civile nuk arritën ta bindnin për këtë “lapsus” shumë domethënës kryetarin e partisë apo kryeministrin, ndonëse janë parlamentare apo ministër. E pohoj dhe jam e shqetësuar për këtë” nismë politike” këtë pasi shpirti dhe mendimi i një hommo civicus nuk humbet dhe nuk shkon në zero inaktive gjatë kalimeve nga shoqëria civile drejt politikës përkundrazi duhet ta korrektojë atë, nuk duhet ta lejojë të bëjë gabime të tilla. Por në fund të fundit kjo çështje, ky qëndrim, ky lloj aktivizimi dhe protagonizmi politik është i lidhur shumë më identitetin professional dhe karakterin personal, familjar të secilit prej nesh. Burrat e Rilindjes tashmë janë të persekutuar publikisht, të fyer në burrërinë e tyre politike. Dashtë Zoti, kjo lloj bashkësie, sekti politik, që ka huazuar, vjedhur patentën e madhe mendore të shqiptarëve Rilindje, nuk urdhërohen nën këtë frymë edhe për mbarëvajtjet në jetët e tyre familjare Korrupsioni në aftësitë e tij për të gllabëruar humanen dhe shtetin nuk kushtëzohet nga përcaktimi gjinor, kjo është një dije tejet empirike politike dhe menaxheriale. Gjinia femërore nuk mund të jetë alibi për nivelet e korrupsionit në këtë qeverisje, përkundrazi zonjat e përfshira në to janë pjesë e kontributeve për humbjen e shpresës dhe besimit se k vend bëhet dhe qeveriset EDHE suksesshëm për prosperitet të shqiptarëve dhe sovranitet te tre. Më habiti heshtja e organizatave të shoqërisë civile për gratë dhe të drejtat e njeriut apo ato të fokusuara në luftën kundër korrupsionit pas deklarimit të kësaj nisme politike, Por një gjë duhet t’ia pohojmë këtij Timonieri, ai e njeh, është tejet konfident dhe ia luan mirë burgjitë jo pak organizatave të shoqërisë civile shqiptare dhe të huaj që nga vitet 2000-ë kur filloi rrugëtimi i tij për pushtet. Ai është tejet inteligjent në përdorimin e tyre për të progresuar në pushtet sikurse mbahet në pushtet prej tyre dhe jo pak të huajve “misionarë” që hanë paratë e taksapaguesve të vendeve të tyre, daroviten alla shqiptarçe nën këtë kontekst, raportojnë pas të ndjerit të darovitur duke i sjellë një dëm të madh konceptit dhe funksionalizmit demokratik idealit të integrimit evropian të vendit si një përshpejtues i progresimit oksidental të shqiptarëve. Bilanci pas 30 viteve demokraci të pretenduar në Shqipëri, pas rënies së antagonizmit Lindje/Perëndim ka në fakt deficite demokratike edhe këto lloj eksperiencash të këtij lloji të misionarëve të huaj. Demokracia amerikane me vendimmarrjet strategjike për fatet e kombit shqiptar, Bashkimi Evropian si hapësirë vlerash humane në barazi, vëllazëri mes të barabartëve SOT nuk vjen vetëm nga historia e shkruar në libra, por për fatin e keq vjen edhe përmes jo pak “misionarëve vocërrakë” të huaj në 30 vite. NE, shqiptarët, duhet t’ia ngulisim mirë vetes, Presidenti Willson e të tjerë pas tij si ai Klinton apo Bush mbeten “Miku Rrugëzgjidhës i Ditëve të Vështira” për kombin tonë por përgjegjësia për qëndrueshmërinë dhe progresin e tij është e jona, e shqiptarëve.

– Është rastësi që edhe në 30 Qershor shumë Kryebashkiakë socialistë rezultojnë më Rekorde Kriminale?

– Asgjë më shumë e më pak se sa kriminalizimi i institucionalizuar edhe në radhët e Parlamentarëve, drejtuesve në nivele të ndryshme apo nëpunës të thjeshtë që ka kjo qeverisje. Është çështje fryme brenda udhëheqësisë rilindëse që qeveris por edhe në parti të tjera. Këto janë kontingjente dhe instrumente me të cilat blihet dhe merret pushteti, mundësohet pasurimi i tipit oligarkik financiar e politik, sikurse presionohet në kulm për argatizimin e vartësve dhe firmosësve të vendimmarrjeve në dobi të varfërimit të shqiptarëve dhe pasurimit të oborrit dhe antishqiptarizmit në mënyrën se si zgjidhen modelet e zhvillimit siç ishte rasti i kanabizimit të vendit. Kanabizimi i Shqipërisë është dëshmia e paaftësisë për të kontrolluar dhe menaxhuar për zhvillim territorin e vendit. Kjo praktikë qeverisëse me Timonierin në krye është dëshmia më e qartë e dështimit të Rilindjes, kapjes së qeverisjes në konceptin makro nga krimi i organizuar, dorëzimi i pushtetit para shtetbërjes. Pastrimin e kësaj historie të zezë nuk ka raport të huajsh që e bën, pasi pasojat dehumanizuese, antishtet dhe antidemokratike vijojnë t’i vuajnë shqiptarët por edhe pjesa tjetër e shteteve nën siglën “BE” apo “SHBA” pasi krimi i organizuar siç është produkt përmbi 1 shtet ashtu edhe pasojat i mbajmë globalisht. Sot më shumë se kurrë ndërvartësia mes shtetesh ndikon në dëmtimin denigrimin global nga krimi i organizuar. Fitorja e tij në çdo shtet është humbje e shtetbërjes demokratike globale.

– Si e vlerësoni VKM e Qeverisë që të shpërblejë me bursa falas studentët spiunë që do kallëzojnë Korrupsionin në universitete të pedagogëve, dekanëve dhe rektorëve?

Kjo është dëshira e Kryeministrit për filozofinë qeverisëse të universiteteve. Kjo është njëra anë. Ana tjetër janë masa e studentëve që kanë disa hesape me cilësitë e qeverisjes në kuadër të angazhimeve dhe detyrimeve ndaj Paktit për Universitetin pas Protestës Studentore të fundit, minimalisht.

-Ka dështuar reforma në arsimin e lartë dhe ajo e drejtësisë që u kalua në këtë ofertë qeverisëse?

-Keni dëgjuar të shprehet ndonjë grup studentor pro kësaj oferte të marrë?

-Vërtet mendoni se studentët e Universitetit të Tiranës, por jo vetëm, si pasardhës të Studentëve 1990 do kthejnë Sigurimin e Shtetit Studentor se dëshiron Kryeministri timonier?

-Kaq të paformuar i njihni studentët tanë që të mos kuptojnë se kjo kërkesë është një shkelje e hapur e të drejtave të njeriut?

-Si mund të shkoni nëpër mend që studentët e 2019-s, protagonistë të integrimit evropian të vendit, por të humbur shumëplanësh nga mënyra se si qeveriset sot vendi dhe arsimi, të mund të pranojnë politika të tilla të rritjes profesionale, karrierës dhe financiare të tyre?

Ju lutem besoni se ka student shqiptar që nuk e di se çfarë pasojash ka politika dhe zhvillimi në vend nga mbajtja peng nga sigurimsat 80 leksh nga rrëgjimi i kaluar që kanë kapluar parlamentin, qeverisjen, strukturat drejtuese politike dhe vendore?

Studentët më shumë se ne të gjithë vuajnë mënyrën kanabiste që zgjodhën qeveritarët si model i integrimit evropian të vendit pasi paragjykohen kudo që shkojnë përtej këtyre kufijve. Kur të guxosh të vendosësh për politika zhvilluese për studentët dhe institucionin universitar duhet të paraprihesh nga atdhedashuria, shtetbërja dhe mbështetja aktive për të qenit të shqiptarëve të barabartë mes barabartëve me botën demokratike dhe të qytetëruar. Orientalistët qeverisës shqiptarë 2019, nuk kanë fare qasje me to, ndaj le të presin ashtu siç duhet përgjigjen nga studentët dhe familjet e tyre këtë fillimviti akademik, duke filluar nga distancimi publik nga kjo ofertë qeverisëse, ogurzezë për rendin kushtetues dhe demokratik në Shqipëri.

 

  • Faleminderit!