Dr. Kosta Barjaba: Si të thellohet kthesa në punësim

629
Asimetria midis rritjes ekonomike dhe punësimit ka qenë më e dukshme, rreth tre-katër herë më e thellë sesa në nivel global. Prof. Kosta Barjaba, ekspert PhD për politikat e punësimit, thotë se fajin për këtë hendek e ka modeli ekonomik, i cili nuk është i orientuar nga rritja e punësimit. Nëse konsiderojmë papunësinë klasike dhe ciklike, konstatojmë se ajo prodhohet prej faktit se në Shqipëri ka pasur dhe ka më pak vende pune nga sa kërkon forca e punës që është ose që hyn në treg. Shkaku themelor i këtyre dy llojeve të papunësisë janë defektet e modelit, analizon Barjaba. Por nëse analizojmë papunësinë strukturore, konstatojmë se ajo shkaktohet kryesisht prej mungesës së kualifikimeve të forcës së re të punës që kërkon të hyjë në treg. Kjo forcë nuk ka shprehitë profesionale që kërkojnë disa sektorë të rinj të ekonomisë. Sipas tij, kjo është shkaktuar nga mungesa e një sistemi formimi dhe arsimi profesional adekuat me nevojat e tregut të punës.
Sigal

A është papunësia (mbi 17,5% e forcës punëtore dhe 32% ndër të rinj) pasojë e zhvillimit të deformuar të ekonomisë?

Përgjigjja ime është e drejtpërdrejtë: Po. Shqipëria ka ndjekur një model ekonomik që ose nuk ka krijuar vende pune, ose krijimi i vendeve të punës ka qenë në nivele minimale. Asimetria midis rritjes ekonomike dhe punësimit ka qenë më e dukshme, rreth tre-katër herë më e thellë sesa në nivel global. Vendi dhe qeveritë kanë rendur më shumë pas treguesve të rritjes, sesa pas “përkthimit” të rritjes ekonomike në vende pune. Por edhe sektori privat ka përgjegjësitë e veta, në këtë përmasë të dobët punë krijuese të sipërmarrjeve private në Shqipëri. Nga ana tjetër, secila prej mikrondërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla, të cilat përbëjnë shumicën dërmuese të sipërmarrjeve në vend, punësojnë një numër modest punonjësish, mesatarisht 1.5 punëtorë për ndërmarrje. Ky konstatim vjen edhe nga një qasje tjetër: nëse analizojmë sektorin e shërbimeve, si sektorin më të madh të ekonomisë, vërejmë një shpërpjesëtim të madh midis kontributit të tij në PBB (rreth 45%) dhe në punësim (rreth 22%). Nuk është e thënë që këta tregues të jenë të barabartë, por një shpërpjesëtim kaq i thellë tregon se sektori i shërbimeve “noton” në informalitet.
Të paktën nga viti 2012, treguesi i papunësisë ka pësuar rritje me afërsisht 5%. Pse ka ndodhur kjo, kur ekonomia e Shqipërisë ka performuar në rritje?
Por edhe niveli i punësimit, tregojnë statistikat, është rritur mbi 5% prej vitit 2013! Prandaj, më shumë sesa një rritje të papunësisë, unë mendoj se në Shqipëri po ndodh një rritje e papunësisë së regjistruar. Ne kemi pasur një treg pune atipik, do të thosha, dhe një tregues i këtij atipizmi është fakti se papunësia e fshehtë është shumë më e madhe sesa papunësia e regjistruar. Duke konsideruar treguesin e mësipërm të punësimit, unë mendoj se ne po “zbulojmë” gjithnjë e më shumë të papunë, të cilët kanë qenë jashtë sistemit të mirëqenies. Ata aty kanë qenë, por ne nuk i shihnim dhe as i numëronim.
Cilat vlerësoni si shkaqet themelore të papunësisë?
Për të dhënë një përgjigje më adekuate, duhet t’i marrim me radhë secilën prej formave të papunësisë, duke bërë, si të thuash, një diagnozë diferenciale të papunësisë në Shqipëri.
Nëse konsiderojmë papunësinë klasike dhe ciklike, konstatojmë se ajo prodhohet prej faktit se në Shqipëri ka pasur dhe ka më pak vende pune nga sa kërkon forca e punës që është ose që hyn në treg. Shkaku themelor i këtyre dy llojeve të papunësisë janë defektet e modelit. Prirja pas treguesve sasiorë numerikë të rritjes ekonomike, e bëri këtë rritje gati-gati varfëruese për një pjesë në rritje të popullsisë. Por këtu duhet llogaritur edhe informaliteti i lartë i ekonomisë si dhe në tregun e punës.
Por, nëse analizojmë papunësinë strukturore, konstatojmë se ajo shkaktohet kryesisht prej mungesës së kualifikimeve të forcës së re të punës që kërkon të hyjë në treg. Kjo forcë nuk ka shprehitë profesionale që kërkojnë disa sektorë të rinj të ekonomisë. Kjo është shkaktuar nga mungesa e një sistemi formimi dhe arsimi profesional adekuat me nevojat e tregut të punës.
Nëse analizojmë papunësinë friksionale, këtu puna ndryshon. Një pjesë e forcës së re të punës, nuk ka jo vetëm edukimin, aftësitë dhe shprehitë, por as instinktet për t’u sjellë në treg dhe për të kërkuar e për të gjetur punë. Këtu duhet të hyjnë në “lojë” shërbimet publike dhe private të punësimit, për të ndihmuar punëtorët e pakualifikuar dhe punëkërkuesit vulnerabël të gjejnë një punë në një kohë të përshtatshme.
Ndërsa papunësia e fshehtë reduktohet së pari duke u zbuluar dhe duke u identifikuar dhe pastaj duke e kanalizuar mbështetjen sipas formave të secilit prej grupeve të të papunëve të fshehtë.
Çfarë politikash duhet të aplikojë qeveria për të nxitur punësimin?
Sipas formave të papunësisë, duhen aplikuar edhe politikat e punësimit. Papunësia klasike dhe ciklike duhet të imponojë korrigjime të modelit të zhvillimit ekonomik dhe mbështetje prioritare për sektorët që gjenerojnë më shumë vende pune. Papunësia strukturore reduktohet nëpërmjet një sistemi arsimimi dhe formimi profesional modern, që u paraprin nevojave të tregut. Por ky sistem nuk duhet të mbështetet kryesisht në burime financimi publike, por edhe në burime private. Sipërmarrja duhet ta konsiderojë financimin për formimin e fuqisë punëtore jo një barrë, por një investim për vetë sipërmarrjen.
Cilët shihni ju si sektorët me të ardhme në gjenerimin e punësimit dhe çfarë incetivash duhet të ofrojë qeveria për këta sektorë?
Ekspertët flasin për potenciale punëkrijuese të turizmit, teknologjisë së informacionit, marketingut, fasonëve etj. Por, në fakt, për këtë, duhen studime. Përveç praktikave të njohura dhe që kanë filluar të aplikohen, unë do të propozoja: i) eksternalizimin e punësimit, domethënë punësimin në shtëpi për llogari të disa sektorëve, sidomos fasonerisë, zejtarisë etj.; ii) shkurtimin, në disa sektorë, të orëve të punës, sipas parimit, të cilin në librin tim “Kurthet e papunësisë” e kam quajtur “Të ndajmë punën, që të ruajmë punën”; iii) aplikimin e kredive të vogla në grup, sidomos për gratë dhe vajzat, të cilat janë provuar si më inteligjente dhe produktive në treg.
A mendoni se ka nevojë për një integrim më të madh të sistemit arsimor me nevojat e vendit në punësim?
Padyshim. Deri tani, sistemi i arsimit dhe sistemi i edukimit kanë qenë si drejtëza të kithëta.