Dr. Koço Danaj:Shovinizmi primitive grek ushqehet nga shovinizmi “demokratik” i Brukselit

716
Dr. Koço Danaj, kryetari i Platformës “Shqipëria Natyrale:, në intervistën për gazetën “Telegraf” hedh tezat: 
– Shovinizmi i Greqisë është i gjallë ndaj Shqipërisë dhe ushqehet nga dokrina e megallomanisë të 1864.
– Greqia përpiqet të destabilizojë Maqedoninë dhe Ballkanin, për të demonstruar forcën e shovinizmit.
– Shovinizmi primitive grek ushqehet nga shovinizmi “demokratik” i Brukselit. 
– Brukseli përgatit geto të shqiptarëve në Kosovë dhe një “Boshnjë” të dytë, me shovinizmin “demokratik” ndaj shqiptarëve.
– Politikanët shqiptarë në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Ulqin nuk kanë strategji kombëtare
– Ka politikanë shqiptarë të shitur në agjenturat e inteligjencës së shteteve fqinje
– Aleati strategjik i Kombit Shqiptar është SHBA dhe jo Brukseli.
– Brukseli përgatit luftë në Ballkan, duke e izoluar nga Europa. 
– Merkeli dhe Gjermania e diskriminojnë Ballkanin Perëndimor. 
-Zoti Danaj, diplomacia greke tha se qeveria shqiptare vepron si ISIS, për prishjen e haurit në Dhërmi nga INUK. Ku është halli i grekërve?
– Ka një problem që është më i gjerë sesa këto marrëdhënie shqiptaro-greke, që lindën pas prishjes së një kishe, si figuracion, sepse si godinë nuk ishte kishë. Problemi më i madh nuk ka të bëjë thjesht me kishën që u prish në Dhërmi, por ka të bëjë me marrëdhëniet që duhet të krijohen në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, në Europë, të cilat duhet të jenë marrëdhënie të barabarta. Duhet të jenë marrëdhënie jashtë të kaluarës, jashtë reminishencave të doktrinave ndryshme dhe duhet të jenë marrëdhënie të reciprocitetit midis shteteve njëri me tjetrin. Duke që qeveria greke, pavarësisht emërtimeve të qeverive të saj, ndjek të njëjtat politika ndaj Shqipërisë. 
– Duhet të pohojmë që politika greke për çështjet e tyre kombëtare ka një bosht të qëndrueshëm, e nuk variacion nga ngjyrat e qeverisë…
– Pikërisht, në Greqi, politika nuk varet nga qeveritë. Qeveritë atje, venë e vinë, politika vazhdon të mbetet, fatkeqësisht e njëjtë e shtetit grek përballë Shqipërisë. Diplomacia greke, duke e njehësuar si ISIS qeverinë tonë, në fakt shpreh një mllef, është një inat, në fakt është një kthim në reminishencat e 1864, në kohën që u krijua dokrina e megalloidë e Janis Koletis. Çfarëdo lloj qeverie të vijë në Greqi, politika e tyre ndaj Shqipërisë, do jetë një. Siç ishte një, edhe në 1940, kur shpalli gjendjen e luftës me Shqipërinë, megjithëse, shqiptarët asokohe i ndihmuan ushtarët grekë kundër Italisë fashiste, siç ishte një në 1949, në kohën e provokacioneve fashiste të gushtit, siç ishte një në 1967 dhe siç vazhdoi të ishte një edhe gjatë qeverisë afatshkurtër trockiste xhekevariste, neokumuniste të Cipras. Ndaj ka nevojë të hiqen të gjitha dilemat në Shqipëri, nga të gjitha krahët politike. Shovinizmi grek nuk do një Shqipëri të barabartë me Greqinë, sepse një Shqipëri e barabartë me Greqinë do të thotë, që nesër, kjo Shqipëri të marrë Çamërinë. Një Shqipëri e barabartë me Greqinë do të thotë që nga sirtarët e ministrisë së Jashtme greke të nxirret e të digjet doktrina famëkeqe megalloidesë, ligji famëkeq i Luftës, gjë që asnjë qeveri nuk e dëshiron e pranon dhe pikërisht, kur nuk e pranon, kur u ndesh me një veprim, që s’kishte të bënte fare me Greqinë, reagoi, siç ka reaguar edhe në 1864, edhe në 1922, edhe në 1940, e po kështu në vitet e mëpashme. 
– Kërcënimi ndaj kryeministrit shqiptar, nga metropoliti i Konicës, Andreas, që të rrijë urtë, se ndryshe në Himarë ka kapedanë “Spiromilo”, është një rast që i përket një personi të veçantë, apo është dokrinë e shovinizmit grek?
– Për mua, është përsëri një deklarim i njohur. Ndryshon njeriu që e rideklaroi tani, por këtë deklaratë unë e kam të ruajtur, qysh para 40 vjetësh. Se një mitropolit tjetër grek, në 1984, bëri të njëjtën deklaratë kundër qeverisë shqiptare të asaj kohe. Ja pra, fakti që shovinizmi grek është pjesë e politikës greke në marrëdhëniet me Shqipërinë. Shovinizmi grek është pjesë e politikës greke në marrëdhëniet me Brukselin. Shovinizmi grek është pjesë e çdo politike të qeverive greke, që nga të djatha e ultra të djathta, e deri nga të majta e ultra të majta. Ndaj edhe Cipras, në politikën shoviniste ndaj Shqipërisë ishte i njëjti si me Averovin, me Caldaris, i njëjti me Jorgos Ralis, e Miçotaqis e Karamanlis. 
– A nuk është e çuditshme që Kisha Greke, kërkon të mbajë lart flamurin e helinizmit, e lufton për Vorio Epirin, ndërkohë që nuk paguan asnjë lloj taksë shtetit grek për pasurinë e saj përrallore, edhe tani në këtë krizë të thellë?
– Edhe këtu ka një problem të tillë, që ka nevojë që ne të jemi më të qartë. Kisha greke nuk mund të pranojë që në Shqipëri të ketë një Kishë Ortodokse Autoqefale dhe për të mos pranuar këtë, shfrytëzoi dobësinë e politikës dhe të shtetit shqiptar në vitet 1990 dhe dërgoi një ndër njerëzit më të zotë të saj, Janullatos, i cili, deri më sot nuk ka bërë asgjë për konsolidimin e besimit ortodoks, por vetëm është përpjekur të forcojë helenizmin brënda kishës ortodokse autoqefale shqiptare. Ka shumë fakte, por do mjaftojë një fakt. Janullatos nuk kishte arësye që të shkonte e të përqafonte Cipras dhe t’i kërkonte ndihmë për gërmadhat e Dhërmiut, por duhet të takonte kryeministrin shqiptar, te presidenti i Shqipërisë, te shefi i opozitës shqiptare dhe t’u kërkonte ndihmë e sqarime nëse vërtet Janollatosi ndjente shqetësim për ortodoksinë. Por shqetësimi i Janullatosis nuk është për ortodoksinë. Shqetësimi i Janullatosit sot është i njëjtë me shqetësimin e dhespot Fotit në 1908, në Korçë,i cili për të mbrojtur ortodoksinë greke, teorinë e Vorio Epirit, për të luftuar atë pjesë të shqiptarëve që nuk pranuan të vinin fenë mbi kombin, arriti deri aty, sa helmoi edhe Petro Nini Luarasin, e masakroi Papa Kristo Negovanin. Ju kujtoj 4 vargjet lapidare të Petro Nini Luarasit, një nga mendjet më të ndritura të kombit shqiptar, por i lënë në harresë nga qeveritarët tanë, se mos i prishet qejfi Greqisë e Janullatosit. Petro Nini Luarasi e shprehu atdhedashurinë në këto vargje: Edhe Krishti në na dhëntë/ Unë jam grek japni pas meje/ Do t’i themi, pa mblidh mendtë/ Se shqiptari s’vjen pas teje! Pra kemi të bëjmë me një konstante të politikës shoviniste grek, që nuk ka lëvizur përgjatë 1 shekulli. Ka ndryshuar kostumi, ka ndryshuar frazeologjia, por thelbi vazhdon të mbetet e njëjtë, sepse nuk është problem i përdhurnimit, tendencë e mohimit të fesë ortodokse. Këtu problemi është më i thellë. Kjo Greqi, që realisht, është e sëmura e Brukselit, tashmë kërkon të hiqet, kërkon të rezistojë, duke përhapur vatra artificiale konflikesh në rajonin e Ballkanit, për t’i thënë Brukselit, që “ unë vërtet para jush jam vërtet e dobët, por jam shumë i fortë përballë Shqipërisë, përballë Maqedonisë, përballë Kosovës, përballë Malit të Zi. 
-Pse e thoni këtë?
– Krahas me zhurmën për kishën e Dhërmiut, Greqia i çon 5.000 refugjatë Maqedonisë në kufi. S’kishte ndodhur më përpara. Nuk shkuan rastësisht aty emigrantët. Greqia i çoi për të destabilizuar Maqedoninë, duke përfituar edhe nga gabimet e Gruevskit, që në fillim donte të çonte ushtrinë e jo policinë, duke përfituar edhe nga injoranca e tij që e mbylli kufirin, dhe nuk donte t’i linte të kalonin, pra, Greqia u përpoq që të transferonte një konflikt brenda në Maqedoni dhe të krijonte imazhin te Brukseli, që “vërtet jam e dobët përballë jush, por unë kam në dorë që të destabilizoj Ballkanin”. Dhe kjo është fytyra reale e shovinizmit grek. 
– Zoti Danaj, përse politika jonë, edhe në çështjet kombëtare është e parcelizuar partiakisht, derisa u përplasën edhe për gërmadhat e Dhërmiut?
– Ju keni shumë të drejtë të keni një perceptim të tillë, por kjo ndodh me politikanët tanë sepse ne nuk kemi strategji kombëtare, e kur them kombëtare, të kombit shqiptar. Dhe kombi shqiptar nuk është vetëm Shqipëria. Kombi shqiptar është edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, edhe në Preshevë, edhe në Mal të Zi, kombi shqiptar është në Çamëri. Dhe ky është handikapi më i madh i politikës shqiptare. Ne në këtë çështje kaq jetike për kombin tonë, sot në këtë Europë, që zien nga trumbulencat, në këtë gjeopolitikë rajonale që është përkeqësuar, pavarësisht se ç’thonë nëpër samite, sepse kishte një Boshnjë, tanu u bënë 2 “Boshnja”, u krijua edhe një “Bosnjë” në Kosovë. Kishte një vatër destabilizimi në Bosnjë, tashmë diskutohet destabilizimi i Malit të Zi, pas ikjes së Gjukanoviçit, sepse malazezët janë pakicë në Mal të Zi. Po tani çafrë do ndodhë? Kjo është një nga ato problemet që diskutohet në kancelaritë e Europës, në shërbimet secrete europiane e botërore. Kemi një Maqedoni, së cilës nuk i dihet fati. Sot vetë analistët maqedonas flasin për luftë ndëretnike në Maqedoni, nëqoftëse fiton sërish Gruevski. Dhe unë ju siguron se Gruevski, sa hërë do bëhen zgjedhje, kaq herë do të rifitojë. Në këtë gjeopolitikë rajonale, botërore, me kaq trumbulenca, me kaq të papritura, handikapi më i madh i politikës shqiptare në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Preshevë, në Ulqin është se nuk kemi një strategji kombëtare. 
– Si duhet të veprohet? 
– Strategjia e politikanit nuk është strategjia e kombit. Politikani lufton për pushtet. Ne na duhet politikanë të luftojnë për kombin dhe për shtet. 
– Mos vallë parcelizimi partiak i çështjes kombëtare nga politika jonë, është pasojë ngaqë nuk është formuar ndërgjegja kombëtare e politikës tonë, apo në prapaskenën e politikës tonë janë agjenturat dhe interesat e fqinjëve dhe të të tjerëve?
– E para nuk qëndron. Ndërgjegja kombëtare e kombit tonë e ka tejkaluar politikën e politikanëve të tij në çështjen kombëtare.
-Atëhere?
– Mos harroni një gjë. Fatkeqësia e këtyre politikanëve të të gjithë kombit tonë është se këta pandehin se në demokraci nuk ka agjentë të shërbimeve fqinjë. Pra, politikanët tanë pandehin se në Shqipëri nuk ka agjentë të shërbimit sekret grek, serb, malazez, maqedonas e të tjerë. Në fakt në demokraci, ajo që bëhet më imperative, më urgjente, është forcimi i shërbimeve të sigurisë, për të mos lejuar depërtimin e agjenturave të fqinjëve. Nëse ne, me naivitet, diku me padituri, dike edhe me dëshirë, i kemi zbehurorganet tona inteligjence, i kemi kaluar në plan të dytë e të tretë dhe ne sot ndodhemi edhe para një situate të tillë, që shpesh herë, për një gjë shumë të drejtë, për një veprim shumë të saktë, ne tërhiqemi e kalojmë në pozita pasiviteti, duke harruar: Kush na e bën këtë kritikë? Por menjëherë futemi nën guancën e kërmillit. Mos harroni se në këtë liri veprimi e qarkullimi, sot ne njihemi edhe më mirë me njëri-tjetrin, e kështu perceptohet, kullohet edhe më mirë ajo pjesë e jona që nuk janë për këtë ndërgjegje kombëtare, të bien në fund dhe lart të qëndrojë ai “ujë” i pastër i ndërgjegjes kombëtare. Edhe francezët, edhe gjermanët, para se të jenë europianë, janë shtetas francezë e gjermanë. Ndërsa ne tani, flasim broçkulla, që para se të jemi shqiptarë, të jemi europianë. Jo, zotëri! Në Europë nuk mund të shkosh pa indentitet kombëtar! Pse kroatët që kishin një handikap, më të madhin në Ballkan, që kishin shtetin e Ante Paleniçit në Luftën e Dytë Botërore, të shquar për masakrat e mëdha kundër hebrenjve, sot pranohen në Europë?! E ndërsa kombi shqiptar, që rrezikoi veten e tij, për të shpëtuar hebrejtë, sot përfiton më pak se të gjithë të tjetër, 4,5 milionë euro nga Samiti i Vjenës? Atëhere, çfarë është ky shovinizëm demokratik i Brukselit mbi kombin shqiptar? Pse të fshihemi e të mos themi që sot Brukseli është më shumë një klub i krishterë, sesa një bashkësi vlerash, siç e përmendin në propagandë?
– Mos ndoshta Merkel përpiqet më shumë ta ketë Ballkanin Perëndimor nën influencën e gjermanëve, sesa të BE?
– Besoj e mbani mend thënien e komisionerit Hahn: “BE nuk është bankomat”. BE kërkon para. Pra, BE nuk ka politikë të Jashtme. Më lejoni t’ju them, kush është shefe e politikës së Jashtme të BE. Federica Mogherini, nuk dua ta fyej, por nuk merr vesh, jo nga politika e Jashtme e BE, por as nga politika e Jashtme e Italisë. Krahasojeni pastaj me Solanën, kur BE vërtet kishte politikë të Jashtme. As Gjermania nuk ka politikë të Jashtme. As në Ballkan nuk ka politikë të Jashtme. Të gjithëve u intereson vetëm një gjë. A ka euro? Nëse nuk ka euro, nuk ka politikë të Jashtme. Gjermania, nga njëra anë të thotë nuk do azilantë, nga ana tjetër, kërkon emigrantë të kualifikuar. Kjo është politikë destabilizuese. Mund të them që Gjermania luan rolin më destabilizues në Ballkan, sa kohë, që akoma Gjermania nuk ka vendosur se çfarë do bëjë me këtë BE?! Do jetë Shtetet e Bashkuara të Europës, apo do mbetet Bashkimi Europian. Si BE, Gjermania dështoi. Vizitat e koretezisë, deklaratat boshe për historinë, etj këto nuk të japin bukë, nuk të japin zhvillim, nuk të japin investime. Nëse Gjermania do të marrë rolin e lokomotivës të BE, le të na japë cilat janë projektet reale të shnërruara në para në Shqipëri? Në Maqedoni? Në Kosovë? etj. Mirë bën që i jep Greqisë 80 miliardë euro Greqisë, por, 6 vendeve të Ballkanit u premton vetëm 1 miliardë euro. A ka më diskriminim sesa kaq? Ja pra, që Europën në Ballkan e diskriminon Gjermania. Kështu nuk stabilizohet Ballkani, kështu happen korridoret për forcat e tjera jashtë Europës, që të gjejnë terren në Ballkan e të shfrytëzojnë këtë pakënaqësi të popujve të Ballkanit për interesat e tyre. 
-Faleminderit!


Ballkani është në praglufte, e përgatit Brukseli
– Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të vonohen në integrimin e tyre në BE, sa është mundësia që të ketë cikël të ri gjakderdhje?
– E para, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është se ato vonohen dhe nuk është çështja që nuk duan. Është dikush tjetër që sot nuk i pranon. Dhe ky dikushi e ka emrin Bashkimi Europian. Kemi të bëjmë me një fobi të BE ndaj vendeve të Ballkanit. 
– Ku e shikoni ju fobinë e BE ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor?
– Ju them një detaj. Pse duhej që vetëm Serbisë, Samiti i Vjenës t’i hapë derën e bisedimeve për anëtarësim? Pse nuk ia hapi edhe Shqipërisë? E dyta, pse BE duhet t’i hapte dyert Serbisë dhe përse nuk ia liberalizon vizat Kosovës? A e kuptoni se çfarë geto ka krijuar Brukseli në Ballkan? Geto me emrin Kosovë, të cilës jo vetëm që nuk i liberalizoi vizat, por e ndau, sikurse ndau edhe Bosnjën, e cili sot është shteti më jofunksional në Botë. Unë ju them që sot Ballkani është në praglufte. Nuk dua të përmend fjalën “gjakderdhje”. 
– Si mund ta argumentoni që Ballkani është në praglufte?
– Këtë praglufte e përgatit Brukseli. 
– Si ka mundësi?
– Absolutisht, që po! Sepse ky Bruksel pranoi Rumaninë e Bullgarinë në BE, që ishin 10 herë më dobët se sa është sot Shqipëria. Asokohe BE tha që pranon me kritere politike anëtare të BE Rumaninë e Bullgarinë, që të mos binin nën ndikimin rus, edhe pse nuk plotësonin asnjë kusht. Pranoi Slloveninë dhe Kroacinë, sepse janë të bllokut Austro-gjerman. Dhe tani shpiku nocionin “Ballkani Perëndimor”. Kush ia jep të drejtën BE të specifikojë kështu vendet europiane? Sot kanë mbetur pa u pranuar në BE, ato vende, që politikanët e Brukselit e formulojnë si krijimi i Jugosllavisë së re. Minus Slloveninë, plus Shqipërinë. Balkani Perëndimor është Serbi, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri. Komisioneri Fyle hodhi në tezë të tillë, por u pa që shqiptarët, edhe në këtë organizëm do ishin shumicë si numër deputetësh, ishte Daçiç nuk pranoi duke thënë se shqiptarët do na marrin edhe parlamentin, edhe presidencën, në bazë të formulës që serviri Fyle, sepse në gjithë atë Serbi 67 % janë serbë. Është BE që në Ballkanin Perëndimor vendin e shpresën e ka zënë joshpresa. Politikanët shqiptarë nuk i qëndrojnë nocionit “Kush është aleati ynë strategjik”. Nëse themi që aleatu ynë strategjik është SHBA, të mos fillojnë e ta përdredhin me shtete të tjera. Sa kohë që historia e afërt e tregoi që vetëm SHBA rrezikoi dinjitetin e saj, që të shpëtonte kombin tonë me bombadimet mbi Serbinë, atëhere SHBA është i vetmi aletati ynë strategjik. Fatkeqësisht, këtë politika shqiptare në Tiranë, Shkup, Prishtinë, nuk dinë ta bëjnë. 
– Mos vallë në këtë kohë është tërhequr paska SHBA në ndikimin e saj në Ballkan, për ta zënë vendin BE?
– Jo, nuk është tërhequr SHBA, kemi luajtur gabim ne, politika jonë. Interesat afatgjatë të SHBA në Ballkan u puqën me interesat e kombit tonë, ndaj aleanca është trategjike. Por faji është te ne, që duam të luajmë me shumë porta, herë për naivitet, herë për mosdije, herë edhe për qëllime të mbrapshta dhe të dëmshme për kombin shqiptar. 
Sigal