Dr. Koço Danaj: Pa u bashkuar shqiptarët, “Kombi Mëmë” i gjithë Evropës nuk do ketë qetësi. Të njihet shovinizmi serb e grek

1320
Sigal

Kryetar i “Shqipëria Natyrale”

 

Politikanët shqiptarë në mbarë hapësirën e kombit shqiptar më shumë preferojnë të jenë Pashallarë xhonturq të tipit të Mahmud Pashait, apo kajmekamë të sllavizuar. Me qindra shqiptarë në ish-Jugosllavi i kanë shtuar mbiemrit të tyre një “viç” nga pas dhe quhen serbë apo malazezë apo kroatë.  Njësoj, si në Jug, në Greqi kur i shtojnë një “S” mbiemrit dhe quhen grekë.

 

Pa u bashkuar shqiptarët, “kombi mëmë” i gjithë Evropës,  nuk do të ketë qetësi

 

Jakup B. GJOÇA

 

Dr. Koço Danaj, kryetar i “Shqipëria Natyrale” në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se historia e Shqipërisë duhet të korrigjohet, e pastaj të rishkruhet. Pa njohur shovinizmin serb, grek, malazez mbi territoret shqiptare nuk bëhet histori. Zoti Danaj, për shqetësimet e Athinës për tokat në Bregdet shprehet se “Në Himarë si në gjithë Shqipërinë e sakatuar nga të huajt, nuk ka asnjë centimetër tokë greke ashtu si nuk ka asnjë minoritar grek”. Zoti Danaj e quan mashtrim politikën, sipas së cilës shqiptarët do të bashkohen, kur vendet respektive do të pranohen të gjitha në BE, ndërkohë që udhëheqësit shqiptare, zoti Danaj i cilëson “ Pashallarë xhonturq dhe kajmekamë të sllavizuar”.

 

-Zoti Danaj, flitet shumë për të rishkruar Historinë. Çfarë mendimi keni?

– Dua të them se rishkruarja e historisë brenda shqiptare është e nevojshme, por ajo do të ishte pa asnjë lloj përfitimi për kombin shqiptar, në qoftë se nuk njihet dhe nuk korrigjohet edhe historia e shovinizmit fqinj serb, malazez, grek dhe përkrahësve të tyre në Evropë dhe botë mbi kombin dhe territoret shqiptare. Historia duhet të korrigjohet, pastaj të rishkruhet. Për shembull: A e dinë shqiptaret historinë e shovinizmit serbo, greko malazez mbi ata dhe territoret e tyre? Nuk e dinë. Ata nuk e dinë se cili është vendimi që Ulqini iu aneksua Malit të Zi, ata nuk e dinë se ku është vendimi që 29 mije kilometra katrore iu dhanë Serbisë në 1913. Ata nuk e dinë që këtë sipërfaqe, Edwards Grey e konsideroi me përbuzje: Disa fshatra shqiptare. Ata nuk e dinë qe Selaniku në 1913 kishte 75 mijë hebrenj, 25 mijë grekë dhe 12 mijë shqiptare, ata nuk e dinë se si i shfarosi shovinizmi grek, hebrenjtë dhe shqiptarët, ata nuk e dinë që Edwards Grey deklaron në kujtimet e tij se nuk morën asnjë vendim për trojet shqiptare, ata nuk e dinë që Pol Kambon deklaron në kujtimet e tij, në 1913 se Kufijtë e Shqipërisë janë dhe do të mbeten problemi më i madh i pazgjidhur, ata nuk e dinë që Ahmet Zogu nuk u njoh si mbret në vitin 1940 kur shkoi në Londër, sepse zemërohej mbreti i Jugosllavisë Peter dhe ai i Greqisë Jorgo që ishin në Londër së bashku me qeveritë e tyre në mërgim dhe që iu ishte premtuar ndarja e Shqipërisë pas Luftës II Botërore, deri në Shkumbin – Greqia dhe pjesën tjetër – Jugosllavia. Ata nuk e dinë se Lufta e Dytë Botërore filloi, në 7 prill 1939 kur u pushtua Shqipëria dhe jo në 1 shtator 1939 kur u pushtua Polonia. Ata nuk e dinë se në 1938 kryeministrat e 4 vendeve Nevil Camberlen i Anglisë, Eduard Daladier  i Francës, Benito Musolini i Italisë dhe Adolf Hitler  i Gjermanisë u mblodhën në Mynih dhe vendosën që Veriun e Çekosllovakisë t’ia japin Gjermanisë, (Njësoj si disa injorantë shqiptarë që kërkojnë që Veriun e Kosovës t’ia japin Serbisë). Ata nuk e dinë që në Jaltë nuk u diskutua fare për Shqipërinë, sepse ishte vendosur të fshihej nga harta e Evropës. Ata nuk i dinë dy referatet e Çubrilloviçit, të 1937-s dhe 3 nëntor 1944-s mbi shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës qoftë edhe me Ushtri. Ata nuk e dinë se vendimet e Konferencës së Potsdamit e detyrojnë Greqinë të lejojë shqiptarët të kthehen në trojet e tyre në Çamëri. Ata nuk e dinë se çfarë copëtimi barbar i ka bërë Diktatura shoviniste e fqinjëve e mbështetur nga disa fuqi të mëdha evropiane, kombit dhe trojeve shqiptare etj., etj. Por as politikanët e tyre shqiptarë, as akademitë e tyre servile ndaj politikanëve, as profesorët e të drejtës ndërkombëtare po kaq servilë ndaj tyre nuk do tua thonë.

– Pse nuk shkruhen në Historinë e Shqipërisë këto dokumente historike?

– Sepse kanë frikë nga të huajt që sot i kemi aleatë, apo se gjoja na prishet fqinjësia e mirë. Ndërsa të huajt demokratë të pas viteve ’90, i pohojnë vetë këto barbari dhe padrejtësi, siç bëri i madhi Robin Kuk, që deklaroi para deputetëve britanikë, se ne duhet të riparojmë të gjitha padrejtësitë ndaj kombit shqiptar. Dhe riparim do të thotë, do të thotë Shqipëri Natyrale.

– Raporte të ndryshme flasin keq për  kombin shqiptar. Emisione të ndryshme kanë hapur arkivat. Çfarë mendimi keni?

Shumë e thjeshtë. Nuk ka nevojë as për histori. Shqiptarët, ky “komb i ndaluar, por ky komb i pandalur”, shqiptarët, ky komb i pabërë, por ky komb i pavdekur, shqiptarët, ky komb i lashtë, që ka prodhuar aq shumë histori sa u ka dhënë “borxh” edhe fqinjëve pjesë nga historia e tij, pra ata, shqiptarët po bëhen, dhe do të bëhen, më shumë nesër. Prapa «shkurreve dhe drurëve të shëmtuar», jeton një univers i begatë njerëzish të civilizuar, të cilët vetëm 12 vjet pas shkëputjes 500-vjeçare nga perandoria otomane, pranuan si një gjë fare normale të ketë për kryeministër një peshkop ortodoks, siç ishte Fan Noli. (Nuk haset në asnjë vend të Evropës, një shkallë e tillë civilizimi.) Përkundrazi haset Nata e Shën-Bartolomeut, haset djegia në turrën e druve e Xhordano Brunos. Dhe më keq akoma haset periudha e errët e inkuizicionit fetar e barabartë me ISIS-in e sotëm. Ja se çfarë thotë një mendje e ndritur e Francës. Quhet Prosper Merime, shkrimtar, studiues i shquar në vitin 1854 në analizën që i bën librit “Studime Shqiptare” të autorit gjerman George Hahn: “Sistemi i tij mbi origjinën e shqiptarëve mund të shpjegonte atë të shumë kombeve të tjerë, përfshirë dhe korsët. Sipas ideve të dijetarit gjerman, kombi shqiptar është një degë e veçantë e rrënjës së gjerë pellazge, kjo racë e mistershme që ka paraprirë grekët dhe italianët. Pra, çështja është shumë më e gjerë. Historianët grekë pranojnë unanimisht se paraardhësit e tyre i gjetën pellazgët në zotërim të të gjithë vendit që më vonë u quajt Greqi.”

Sa i përket gjykimit tim, gjuha shqipe ka arritur në atë nivel analize të ngjashëm me gjuhët e tjera perëndimore. Sigurisht, kjo nuk dëshmon se në këtë gjuhë nuk ekziston një bazë shumë e vjetër, por kjo shton vështirësinë e gjetjes së origjinës së saj. Duket se gjuha shqipe ka ushtruar një ndikim të dukshëm në gjuhën greke, ndikim, për më tepër, të lehtë për ta shpjeguar, pasi pjesa më e madhe e kombit që flet greqisht sot është racë shqiptare. Kombi shqiptar luajti një rol të rëndësishëm në revolucionin që çoi në krijimin e Mbretërisë së Greqisë, por ky rol mbeti në hije. Grekët dhe turqit u konsideruan si aktorët e vetëm që tërhoqën vëmendjen e publikut evropian. Të mos harrojmë megjithatë, se raca shqiptare u dha kapitenë dhe ushtarë të dyja palëve në luftën e 1821-1830. Suliotët ishin shqiptarë të krishterë, ashtu si marinarët inteligjentë të Hydra dhe Spezzia. Sot pjesa më  e dukshme e popullsisë së mbretërisë së Greqisë nuk i përket racës helene; ajo i përket racës shqiptare. Fatkeqësisht në hapësirën e kombit shqiptar, ka pak intelektualë ose “drejfusarë” siç i quan Noam Çomski duke pasur parasysh shembullin e Emil Zolasë që doli hapur në mbrojtje të Drejfusit në Francë dhe kundër politikës zyrtare franceze.

– Globalizëm apo Trumpizëm?

– Të dyja bashkë.  Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i ideve nga një vend në tjetrin, aq më shumë forcohen identitetet kombëtare, të vendeve të ndryshme. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se qarkullimi i lirë i ideve nuk do të thotë shuarje e identiteteve nacionale, por përkundrazi forcim i tyre. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i mallrave, aq më shumë po bëhen përpjekje për forcimin dhe përkrahjen e asaj që quhet sipërmarrje kombëtare. Globalizëm nuk do të thotë kaos, por rregull, diversitet identitetesh nacionale, që japin e marrin me njëri-tjetrin, pa u tjetërsuar njëri tek tjetri. Njerëzit lëvizin të lirë në gjithë Evropën, por trojet mbeten aty ku janë, shtetet aty ku janë, kombet aty ku janë. Nuk ka shuarje kombesh, por emancipim dhe civilizim të tyre. Dhe elementi i parë i civilizimit të një kombi është e drejta e tij për t’u bashkuar. Aq më tepër tani kur teoria e globalizmit mori një goditje te madhe nga politika e SHBA me nocionin «Amerika e Para » të presidentit Donald Trump.

– Duket sikur nganjëherë të vdekurit komandojnë të gjallët?

–  Është e vërtetë, por të vdekurit, nuk duhet t’i përdorim që të përçajmë të gjallët. Do desha që në të gjitha këto përkujtimore të përmendej profeti i Shqipërisë Natyrale, që quhet Sami Bej Frashëri. Kur në 1898, kolonia shqiptare e Bukureshtit i botoi “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Beu u tha: “Botojeni, por botojeni pa autorësinë time”. Kur e kundërshtuan, Sami beu u përgjigj: “Më mirë pa emrin tim, se kështu do ta pëlqejnë të gjithë, se po të vini emrin, do të dalin ca shqiptarë, që nuk më duan mua, e do thonë: “Nuk jemi dakord”. E dyta, gjatë kësaj kohe nuk u fol asnjë fjalë çfarë na kanë bërë të tjerët neve.

– Kush na copëtoi ne?

– Nuk u fol asnjë fjalë për Londrën e 1913-s. për Londrën e 1915-s. Nuk u fol asnjë fjalë për Konferencën e Jaltës. Nuk u tha asnjë fjalë pse Ahmet Zogu nuk u pranua si mbret në Angli.

– Zoti Danaj, media greke, por edhe ajo shqiptare shkruajnë se kryeministri Rama tërhoqi VKM për shtetëzimin e tokave bujqësore në Bregdet, pas presioneve të kryeministrit grek Cipras, i cili e cilësoi si “grabitje” të pronave të minoritarëve. Cili është mendimi juaj për tërheqjen e VKM nga kryeministri Rama?

– Shumë e thjeshtë për t’iu përgjigjur.

E Para, në Himarë si në gjithë Shqipërinë e sakatuar nga të huajt, nuk ka asnjë centimetër tokë grekë ashtu si nuk ka asnjë minoritar grek.

E dyta, në Himarë në Gjirokastër, në Sarandë etj., ka një pakicë minimale shqiptarësh të grekëzuar. Mos u habitni se e gjithë popullsia e asaj që quhet Greqi nuk është asgjë tjetër veçse shqiptarë të grekëzuar. Vetë trockisti Aleks Cipra është një shqiptar i grekëzuar, njëlloj si Pangallosi  apo Venizellosi etj., etj. Pra është një mashtrim i medias greke. Asgjë tjetër.

– Ish-ministri grek i Jashtëm Kocias ka deklaruar shumë herë se Greqia arriti të marrë hapësirën detare deri në 12 milje nga Shqipëria, në bazë të marrëveshjes me qeverinë e Rilindjes, ndërsa pala jonë asnjëherë nuk e ka përgënjeshtruar, as ka dhënë hollësi. Mund të pranohet një marrëveshje e tillë me Greqinë, nëse japim sipërfaqe detare?

– Përsëri  një mashtrim i nipit të kuislingut Koxias. Shqipëria jo vetëm që nuk ka dhënë det, por së shpejti do të marrë det e tokë bashkë. Mos harroni, Pellazgët dhe Ilirët po zgjohen nga gjumi. Dhe shqiptarët e grekëzuar do t’i dorëzojnë të gjitha

Zgjedhjet e Tuzit shënuan një Histori, sepse për herë të parë partitë politike shqiptare u bashkuan për një qëllim të përbashkët. Përse një bashkim politik i tillë nuk ndodh në Maqedoninë e Veriut, me partitë politike shqiptare, aty ku çështjet e Shqiptarizmit duhet të prevalojnë mbi interesat politike partiake?

Patën sukses partitë politike në Tuz. Dhe duhen përshëndetur për këtë. Por ….4 ditë pas fitores në Tuz krijohet një parti tjetër politike shqiptare që është kundër bashkimit të tre partive shqiptare. Dhe ajo që është më kryesorja ka të bëjë më faktin se partitë shqiptare janë të bashkuara në Tuz, por janë të përçara në Ulqin. Dhe në Ulqin, ku është kryeqendra e shqiptarëve nuk drejtojnë shqiptarët, por shqiptarët e sllavizuar.

– A ka interesa politike  ndërkombëtare, që duan që partitë politike shqiptare të mos arrijnë midis tyre një konsensus, të Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, për të pasur midis tyre Çështjen Shqiptare si qëllim të vetëm? 

-Natyrisht që ka. Ka në Lindje ka dhe për Perëndim. Ju thashë dhe më sipër. Është i vetmi komb që ka edhe nënë dhe atë. Ka edhe mëmëdhe, ka edhe atdhe. Të gjithë të tjerët kanë vetëm nocionin atdhe. Pra janë shterpë, nuk pjellin dot. Është një xhelozi qindra mijëra vjeçare. Por historianët duke e ditur këtë i konsiderojnë shqiptarët si stërnipërit e ilirëve dhe pellazgëve. Kush ishin pellazgët? Një komb luftëtarësh, me gjuhën e tyre-enigmë për filologët dhe me racën e tyre-enigmë për etnografët.

– Është edhe një teori, që shqiptarët do të jenë të bashkuar, kur të gjitha vendet tona, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mal i Zi të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Sa e vërtetë është kjo ide?

– Mashtrim. Ata që e thonë nuk e kanë idenë se çfarë është BE. BE është një bashkim vlerash, BE është një qendër e shpërndarjes dhe rishpërndarjes së burimeve financiare mbi bazën e zonave të influencës. Por BE nuk është një organizëm demokratik.

– Shqipëria Natyrale ose Shqipëria e Madhe, pse nuk pranohet nga ndërkombëtarët?

Më lejoni t’ju korrigjoj në formulimin e pyetjes. Shqipëria Natyrale është e kundërta e Shqipërisë së madhe. E para është një produkt kombëtar që doli nga Kuvendi i Vlorës 1912 dhe e dyta është  një pjellë e bisedimeve Çiano-Ribentrop në Vjenë në 1940, pra një apelacion nazifashist.

– A kemi sot politikë mbarëkombëtare të Çështjes Shqiptare nga udhëheqësit e partive politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi?

– Jo nuk kemi, kemi të kundërtën. Politikanët shqiptarë në mbarë hapësirën e kombit shqiptar më shumë preferojnë të jenë Pashallarë xhonturq të tipit të Mahmud Pashait, apo kajmekamë të sllavizuar. Me qindra shqiptarë në ish Jugosllavi i kanë shtuar mbiemrit të tyre një “viç” nga pas dhe quhen serbe apo malazeze apo kroatë.  Njësoj, si në Jug, në Greqi kur i shtojnë një “s” mbiemrit dhe quhen grekë.

– Para 2 dy muajsh kini botuar njëkohësisht 3 libra? Përse?

– Po është e vërtetë. “Mos e lexoni këtë Libër”, “E burgosura 1244” dhe  „Idealistët- këta tragjikë që bëjnë histori” . Por nuk janë shpërndarë plotësisht akoma. Një pjesë e ideve të tyre janë në këtë intervistë. Ndërsa shumica janë në vetë librat. Kush është i interesuar mund t’i lexojë.

-Ju urojmë suksese librave tuaj të sapo botuar.!