Dr. Halim Kosova: “Mirënjohje e përjetshme për Presidentin Bush dhe SHBA-të!”

1541
Sigal

Dr. Halim Kosova në një status të veçantë dhe të shoqëruar me video, ia kushtonte 10 qershorit 2007 ditën kur Presidenti i SHBA-ve, Xhorx W. Bush vizitoi Tiranën, por edhe Fushë-Krujën që do të cilësohej më vonë nga vetë Presidenti Bush si një ditë e veçantë e jetës së tij. Kjo vizitë historike, duhet kujtuar, nuk duhet harruar kurrë, për ngjarjet po aq të rëndësishme dhe historike që e shoqëruan dhe e pasuan, në favor të kombit shqiptar.
Dy ishin premtimet që Presidenti Bush bëri në Tiranë para shqiptareve; Kosova Shtet i Pavarur dhe Shqipëria në NATO. Shumë shpejt këto dy objektiva madhore u bënë realitet. Kurrë nuk duhen harruar këto vendime historike për Kombin tonë. Po atë ditë bashkëshortja e Presidentit amerikan znj. Laura Bush vizitoi për rreth 60 minuta edhe Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, ku Dr. Kosova ishte drejtor i këtij institucioni  dhe e kishte transformuar nga një ambient mizerabël në një qendër të humanizmit me ambiente dhe teknologji moderne,  falë programeve të ndryshme të financuar nga USAID dhe Ambasada e  ShBA-së në Tiranë. Dr. Kosova deklaron se shqiptarët në të gjithë Ballkanin, por edhe kudo që ndodhen në botë sot dhe përgjithmonë duhet t’i jenë  mirënjohës  këtij miku të madh siç janë  ShBA-ja. Ja statusi i plotë i Dr. Halim Kosova: 

Ditë për të mos u harruar kurrë…

Nga Dr. Halim KOSOVA

10 qershor 2007, dikur një nga ditët e zakonshme të  kalendarit, u kthye në një nga datat, të cilat Kombi shqiptar nuk duhet ta harrojë kurrë. Kosova, Shtet i pavarur dhe Shqipëria në NATO, do të premtonte atë ditë të bekuar për shqiptarët presidenti George W. Bush në Tiranë. Të gjithë jemi dëshmitarë që këto premtime historike dhe vendimtare për kombin tonë u bënë realitet…  Mirënjohje pa fund  ShBA-ve dhe këtij miku të madh të shqiptareve në këtë datë tashmë të shënuar! Dy skulptorë durrsakë, të talentuar; Qazim Kërtusha dhe Ibrahim Reçi, me përkushtim dhe shumë dashuri, realizuan monumentin e Presidentit George W. Bush në Fushë-Krujë, i cili lartësohet në qendrën e saj, duke mbajtur të gjallë në memorien e gjithë secilit atë pritje madhështore dhe shumë miqësore, që ky popull fisnik demonstroi atë ditë, duke bërë krenar të gjithë kombin shqiptar. Në këtë monument është shkruar dedikimi kuptimplotë:

  Presidentit George W. Bush

                            Mik i madh i shqiptarëve

                                10 Qershor 2007

Duke e konsideruar mirënjohjen, si virtytin më të vlefshëm për çdo njërin nga ne, me këtë rast, këtë  monument tre metra të lartë, Argjendari “Pirro”, me mjeshtëri të rrallë e përpunoi atë, duke e adaptuar në dimensione të pranueshme, për ta vendosur në bibliotekën dhe muzeun presidencial George W. Bush në Dallas. Një falënderim të madh edhe për këtë mjeshtër të madh, që çdo ëndërr e kthen në realitet. Kjo punë artistike tashmë e përfunduar pret momentin e përshtatshëm për t’u vendosur në vendin e duhur.