Dr. Asllan DACI/ Ja si grabiten 500 milion euro në vit nga floriri i minierave

781
Sigal

Kompania turke e shfrytëzimit të floririt dhe bakrit  “Ber-Alb” e privilegjuara e ministrit Erion Veliaj

Nga shoqëria turke Ber-Alb Sh.A., masakrohen dy minierat më të mëdha të bakrit në Shqipëri, Munella dhe Lak Roshi të rrethit të Pukës. Nga shfrytëzimi i keq selektiv i mineralit të bakrit dhe shoqëruesve të tij, varrosen njëherë e përgjithmonë në thellësitë e nëntokës 3.5 milionë ton rezerva xeherore bakri me përmbajtje 0.8-1% dhe 1 milion ton rezerva zinku me përmbajtje zinku, ari, argjendi, plumbi etj. Shkurtohet jeta e minierave minimalisht 15-20 vjet, ndërsa qeveria për këtë dëm të madh ekonomik dhe social, gati procedurat për ta “shpërblyer” shoqërinë turke Ber-Alb Sh.A., edhe me katër miniera të tjera në rrethin e Pukës. Sipas ligjit nr. 8761, datë 2.4.2001, midis Qeverisë shqiptare dhe shoqërisë turke “BER-ONER” (sot Ber-Alb Sh.A.), është miratuar marrëveshja koncesionare, tejet favorizuese për palën turke, objekt i së cilës ka qenë marrja në dorëzim  për rehabilitimin, modernizimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e disa vendburimeve dhe objekteve të tjera të industrisë  së bakrit dhe të kromit në rrethet Pukë, Mirditë dhe Kukës (botuar në Fletoren Zyrtare të vitit 2001). Një grup specialistësh të industrisë së bakrit në vitet 2007 dhe 2008, të shqetësuar për shkeljen e marrëveshjes koncesionare dhe shfrytëzimin e keq të mineralit të bakrit, i kanë shkruar dy letra kryeministrit të atëhershëm Berisha, për rishikimin e marrëveshjes, por fatkeqësisht në pritje të një reagimi serioz, specialistët e kësaj industrie, morën si “shpërblim” largimin nga puna. Unë, duke njohur problematikën dhe monitoruar nga larg aktivitetin e kësaj Shoqërie që në fillimet e saj e në vazhdim, konstatoj se shoqëria turke “Ber-Alb” Sh.A., në rrugën e saj 12- vjeçare në Shqipëri, ka shkelur marrëveshjen në shumicën e kërkesave të saj,  por më kryesorja është fakti, se ajo ka keqpërdorur pasurinë e dhënë për zhvillim në dëm të interesave publike të shtetit shqiptar. Shfrytëzimi i keq dhe selektiv i mineralit të bakrit (që do të thotë marrja vetëm e bakrit të pasur) dhe shoqëruesve të tij zink, ar, argjend, plumb etj., në minierat e Munellës dhe të Lak Roshit në rrethin e Pukës nga shoqëria turke Ber-Alb Sh.A., shkurton të paktën 15 deri në 20  vjet jetën e këtyre minierave dhe varros njëherë e përgjithmonë në thellësitë e nëntokës miliona ton rezerva minerale, të zbuluara me mund dhe sakrifica  të shumta për dekada me radhë nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Bazuar në deklarimet e fundit të shoqërisë turke Ber-Alb Sh.A., që shfrytëzon mineralin e bakrit dhe shoqëruesit e tij në rrethin e Pukës rezulton se:

-Në janar të vitit 2014, do të shkurtohen 150 punëtorë në Minierën e Lak Roshit, të Munellës dhe në fabrikën e pasurimit të Fushë- Arrësit.

-Në vendburimin e Munellës do të punohet vetëm edhe për 4 vjet.

-Nuk do të shfrytëzohen rezerva bakri me përmbajtje të “ultë”  0.8-1% Cu.

Duhet të sqaroj se, për një periudhë mbi 30 -vjeçare në Shqipëri, nga minierat e Tuçit dhe  Spaçit janë shfrytëzuar rezerva bakri me përmbajtje në kufijtë 0.8 – 1% bakër, me një rentabilitet ekonomik dhe pasurueshmëri të lartë në fabrikat e pasurimit. Ndërsa sot, kur çmimi i bakrit në tregjet ndërkombëtare është gjithmonë e në rritje, kondicioni i shfrytëzimit të tij shkon gjithnjë më në ulje, drejt vlerave 0.7% Cu e ndoshta dhe më e ultë. Këtu nuk përfshihen zinku dhe elementët e tjerë shoqërues në të, si ari, argjendi, plumbi etj.. Sipas të dhënave të arkivore të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, rezervat e zbuluara në vendburimet e Munellës dhe të Lak Roshit janë :

1. Rezerva bakri 12 milionë ton, me përmbajtje mesatare të bakrit 1.35%, nga të cilat 1.9 milion ton me përmbajtje 4.17% bakër dhe përmbajtje të larta ari, argjendi dhe shoqërues të tjerë.

2. Rezerva zinku 2 milionë ton me përmbajtje zinku 1.44%.

3. Në total, rezerva gjeologjike bakri + zinku janë 14 milionë ton.

Sipas projekteve minerare të shfrytëzimit, rezervat e nxjerrëshme nga këto miniera (të cilat përllogariten në vlerën 50-55% të rezervave gjeologjike), janë 6.5 milion ton rezerva xeherore bakri dhe rreth 1 milion ton rezerva xeherore zinku, që në total bëjnë 7.5 milion ton rezerva xeherore (bakër + zink). Shoqëria Ber-Alb Sh.A., deri në fund të vitit 2013 do të prodhojë në total që nga viti 2005 rreth 2.2 milion ton rezerva xeherore bakri, duke shfrytëzuar kryesisht bakrin e pasur me përmbajtje mbi 2%, ndërsa për sa i përket zinkut, këto rezerva nuk shfrytëzohen fare prej saj, pavarësisht se në marrëveshjen koncesionare është nënshkruar prodhimi i koncentratit të zinkut. Atëherë, nëse sipas deklarimeve të saj, Ber-Alb Sh.A. do të punojë edhe 4 vjet të tjera në minierën e Munellës, duke shfrytëzuar mesatarisht nga 200 mijë ton xeherorë në vit, (ndërkohë që prodhimi mesatar vjetor deri më sot është realizuar rreth 150 mijë ton xeherorë në vit), kjo Shoqëri në total, do të shfrytëzojë 3 milionë ton rezerva bakri në minierat e Munellës dhe të Lak Roshit.

Duke bërë diferencat e rezervave të nxjerrëshme të xeherorëve të bakrit me prodhimin e parashikuar deri në fund të aktivitetit, (6.5 milionë – 3 milionë (prodhimi) = 3.5 milionë ton),  i takon që 3.5 milionë ton rezerva xeherore të bakrit me përmbajtje 0.8-1% Cu, të varrosen përgjithmonë në nëntokë, duke shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm dhe shkurtuar 10-15 vjet jetën e minierës. Por jo vetëm kaq, përgjithmonë do të varrosen dhe 1 milion ton rezerva xeherore zinku. Shtetarët, përpara se sa të shqetësohen për një legjendë urbane të kohëve të fundit, “që gjoja kompania turke e hidrocentralit në Rrëshen paska zbuluar bakër dhe flori në tunelin e hapur dhe që po e transporton jashtë vendit”, duhet të shqetësohen për miliona ton xeherorë bakri dhe shoqëruesit e tij zink. Ar, argjend, plumb etj., që varrosen përgjithmonë në thellësitë e nëntokës nga shfrytëzimi selektiv i kësaj pasurie.

Jo pak probleme ka shoqëria Ber-Alb Sh.A. me komunitetin, ku zhvillon aktivitet minerar, siç është rasti i Fushë- Arrëzit etj.. Problemet mjedisore që ka shkaktuar me ndotjet dhe stoqet e sterileve ka indinjuar thellësisht banorët e qytetit të Fushë -Arrëzit dhe Drejtorinë e Shërbimit Pyjor në këtë qytet. Sikur nuk mjafton kjo masakër që ka bërë Ber-Alb Sh.A. në dy vendburimet më të mëdha të bakrit në Shqipëri, fatkeqësisht janë në procedurë (që nga qeveria “Berisha”) për marrjen dhe të katër minierave të tjera të bakrit në zonën e Pukës. Mendoj se, për të ndalur revanshin e shkatërrimit të mëtejshëm të pasurive kombëtare siç janë mineralet e dobishme, duhet të ndalet procedura e dhënies së katër minierave të tjera shoqërisë Ber-Alb Sh.A., deri sa të bëhet kontroll i plotë nga strukturat e MEI-t, (Shërbimi Gjeologjik Shqiptar  dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) zbatimit të marrëveshjes koncesionare dhe gjithë veprimtarisë minerare të zhvilluar deri më sot, dhe nëse rezulton se është “OK”,  qeveria po të dojë le t’i japë pastaj “të gjithë minierat e bakrit, të kromit, të hekurit, të qymyreve dhe gjithë Shqipërinë turkut”.

Z. Deputet i rrethit të Pukës, duke besuar në seriozitetin e vlerësimit të problemit nga ana e Juaj, shpresoj se do të ndalet masakra e shfrytëzimit të bakrit në minierat e rrethit të Pukës dhe më gjerë dhe njëherazi do ti bëhet një shërbim i çmuar ekonomisë së vendit, dhe në mënyrë të veçantë Pukës dhe popullit të saj, duke mos lejuar nëpërkëmbjen e pasurive të tij minerale të papërsëritshme

 Kol Nikolla (Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë)

 Koncesionarët e “Ber-Albit” ja hodhën sot ministrit Veliaj dhe sipas tyre “Shqipëria punon”. E vërteta është se para disa ditësh hodhën në rrugë mbi 250 punëtor me pushim kolektiv nga puna, kështu ja hodhën dhe Berishës duke e dekoruar 2 javë para zgjedhjeve të 23 Qershorit. Nuk e di a do t’ia hedhin dot Ramës e ministrit Gjiknuri me “vjedhjen e arit”, ku çdo vit i vjedhin shqiptarët me 500 milionë Euro, duke eksportuar mineralin e bakrit bruto të pa përpunuar, kur kontrata koncensionare e detyron ta përpunojë në Shqipëri dhe të ndajë mineralet e rralla bashkëshoqëruese të bakrit. Prandaj të dashur minatorë mos u mërzisni, kjo është Qeveri e fortë dhe e zënë lepurin me qerre!

Ish-ministri Florian Mima gjatë takimit në Fushë – Arrëz me zyrtarët e Fabrikës së Pasurimit të Bakrit, ditën e  martën më 23 prill 2013

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Florian Mima u takua në Fushë – Arrëz me zyrtarët e Fabrikës së Pasurimit të Bakrit. Takimi i zhvilluar kishte në vëmendje gjendjen tërësore të punonjësve, investimet e huaja dhe sigurimin e biznesit në Shqipëri. Z. Mima mirëpriti zotimin e kompanisë koncensionare turke “Ber Alb” për të hapur një fabrikë të re pasurimi të bakrit që thuajse dyfishon numrin e punonjësve. “Ndihem krenar për shifrën që ju dhatë që rreth 530 punëtorë shumë shpejt do të bëhen 1 mijë”,-tha Mima.

Zef Preci ( Ish- ministër i Ekonomisë )

Përshëndetje z. Nikolla! Duke përgëzuar Kryesindikalistin Kol Nikolla për denoncimin e tij kurajoz, bashkohem me të për nevojën e verifikimit të eksportit të mineralit të papërpunuar dhe grabitjen e pasurisë kombëtare (arit dhe mineraleve të tjera shoqëruese). Problemi lidhet me mungesën e kontrollit dhe korrupsionin e institucioneve qeveritare në zbatimin e kontratave koncesionare duke filluar me vlerën e investimeve, numrin e punëtoreve të punësuar, etj.. Po kështu, është një katrahurë e vërtetë dokumentimi, evidencimi dhe ndjekja e transportit dhe eksportit të mineraleve/metaleve përkatësisht sipas kontratave specifike të koncesioneve. Edhe një kontroll i policisë në qeverinë aktuale me këtë objekt nuk është se solli ndonjë rezultat, të paktën publikisht nuk u mor vesh gjë. Gjithsesi, problemi që ngrini meriton vëmendjen e qeverisë për të ndërmarrë reformat e nevojshme, si dhe veprim konkret për ndëshkimin e gjendjes që ju parashtroni në komentin tuaj. Uroj që të mos shërbejë si indicie vetëm për ndonjë “shou” mediatik.

Rreth shoqërisë “Ber-Alb” sh.a.

 Shoqëria “Ber-Alb” SH.A është themeluar me Vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë Nr 25300 datë 26.02.2001 me aktivitet “ Të zhvillojë , konstruktojë e modernizojë industrinë minerare në Shqipëri, të kryejë studime gjeologjike e minerare. Shoqëria Ber-Alb Sh.A në zbatim të marrëveshjes së Koncesionit të miratuar me Ligjin 8761 datë 02.04.2001 ka marrë në koncesion Minierat e Bakrit Munellë dhe Lakrosh, Karma si dhe Fabrikën e Pasurimit të Bakrit Fushë-Arrëz.