Dr. Arian STAROVA/ Ja pse BLD mbështet Sherefedin Shehun

635
Zgjedhjet vendore të parakohshme të 11 shtatorit për kryetar të Bashkisë së Dibrës bartin një rëndësi të veçantë. Ato janë vetëm njëra prej dëshmive më të forta të përçudnimit moral të përfaqësuesve zyrtarë të koalicionit të sotëm qeverisës. Ato përfaqësojnë njëherësh edhe një mundësi të jashtëzakonshme për rikthimin e dinjitetit të mirënjohur dibran në krye të Bashkisë së Dibrës. Në këto zgjedhje do të përballen rishtas dy filozofi krejt të ndryshme politike, ajo e së vërtetës dhe ndershmërisë të përfaqësuara nga e djathta dhe ajo e gënjeshtrës dhe amoralitetit të përfaqësuara nga e majta e politikës shqiptare. Ne liberaldemokratët besojmë se edhe koha e shkuar e qeverisjes që prej qershorit të vitit 2013 ka qenë e mjaftueshme për t’ua rikujtuar shqiptarëve kundërshtinë ndërmjet këtyre dy filozofive politike. 

Tre vitet e shkuar të qeverisjes kombëtare të majtë dhe viti i shkuar i qeverisjes së majtë në krye të Bashkisë së Dibrës kanë treguar me të tepërt se shqiptarët nuk duhet të vonohen më për të filluar ndryshimin e madh që do t’ua kalojë drejtimin e vendit elitave politike të djathta. Zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Dibrës janë një rast i mrekullueshëm si për dibranët edhe për të gjithë shqiptarët për të treguar se ata vlerësojnë gjithnjë udhëheqjen e tyre nga njerëzit e aftë dhe të ndershëm. Dibra ka rastin e bukur që të jetë flamurtare e ndryshimit të madh politik që pritet prej zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga të gjithë shqiptarët dhe aleatët e tyre strategjikë. 

Unë kam kënaqësinë që, në emër të Kryesisë të Bashkimit Liberal Demokrat të shprehim publikisht mbështetjen tonë për kandidatin për Kryetar të Bashkisë së Dibrës, zotin Sherefedin Shehu. Përcaktimi i kësaj kandidature është një prej vendimmarrjeve më të mençura të Partisë Demokratike që respekton qytetarinë e Dibrës dhe vlerat e rëndësishme njerëzore të gjithë shqiptarëve. Zoti Shehu është një prej njerëzve të shumë respektuar ku janë bashkuar në mënyrën më të mirë aftësia e shquar profesionale dhe morali njerëzor më i mirë shqiptar. Edhe vendimi i tij vetjak për të pranuar për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Dibrës është një veprim që meriton respekt dhe mirënjohje nga si nga Partia Demokratike dhe grupimi politik i qendrës së djathtë që ai përfaqëson, ashtu edhe nga qytetarët dibranë. Bashkimi Liberal Demokrat e vështron zotin Sherefedin Shehu si kandidaturën e vet dhe do ta mbështetë me të gjitha mundësitë e veta në përpjekjet e tij drejt fitores së Bashkisë së Dibrës dhe më tej, në drejtimin e kësaj bashkie shumë të rëndësishme. Ne kemi besim të plotë se nën drejtimin e tij Bashkia e Dibrës do të përparojë me shpejtësi dhe do të rifitojë kohën e humbur nga shpërdorimi që i bëri e majta besimit të dibranëve. Rruga e “Arbrit” është më e pakta që Zoti Sherefedin Shehu do të bëjë për Dibrën. Unë do të doja t’u bëj thirrje të gjithë liberal demokratëve të Dibrës, por edhe miqve të shumtë të panumërt që të vlerësojnë dhe të mbështetin këtë kandidaturë shumë të spikatur që do t’i nderojë ata në krye të Bashkisë së Dibrës. 
Sigal