Dr. Alfred Moisiu: “Politikanët tanë i sajojnë konfliktet për t’iu shmangur problemeve reale”

465
Sigal

Intervistë me Dr. Alfred  Moisiu, President i Republikës së Shqipërisë 2002 – 2007

Në këtë intervistë për “Telegraf” ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Alfred Moisiu tregon se si ishte fillimi i shkrimit të kujtimeve të familjes dhe kujtimeve të tij në tre vëllime të mëdha, që janë përpirë nga publiku shqiptar. Presidenti Moisiu analizon situatën politike në vend, pas marrjes së statusit si vend kandidat për në BE, dhe këshillon politikanët shqiptarë që të kenë më pak konflikualitet e më shumë debat konstruktiv në sallën e Kuvendit.

-Lexuesit shqiptarë, por edhe më gjerë, kanë në duar librin tuaj në tre volume “KUJTIME”. Çfarë ju shtyu për të shkruar këtë trilogji voluminoze dhe ç’përmban ai në substancë?

Shkrimi i këtyre kujtimeve pati një fillim krejt të ndryshëm nga kjo që në fakt është arritur. U fillua thjesht, për t’i lënë disa kujtime fëmijëve, të shkruara me përgjegjësi, në mënyrë që brezat e ardhshëm të familjes Moisiu të dinë nga kanë ardhur, gjë që tek ne për fat të keq ende është me mangësi.

Këtë punë e fillova, që në vitin 1987. Përsa i përket të kaluarës të familjes Moisiu, m’u desh të kontaktoj dhe të mbaj shënimet përkatëse nga bisedat që bëra me disa familjarë të moshuar, të cilët tani nuk jetojnë më. Por punën intensive, e fillova në vitin 2000. Disa miq më sugjeruan që këto kujtime t’i formuloj në formë të tillë që mund të shtypeshin si libër. Në fillim nuk rashë dakord me këto sugjerime, por më vonë më bindën dhe shpresoj të mos kem gabuar.

Këto kujtime, pavarësisht se i përkasin një ish-Presidenti, kanë të bëjnë me kujtesën time që nga vitet e fëminisë e në vazhdimësi. Mendoj se mund të jenë interesante, pasi përkojnë me ngjarje të shtrira në disa periudha të rëndësishme historike të vendit tonë, sikurse janë: Periudha e Mbretërisë, ajo e pushtimit dhe e LNÇL, koha e diktaturës, periudha e zhvillimeve demokratike në vendin tonë si dhe koha e ushtrimit të detyrës së Kryetarit të Shtetit, nga ana ime. Praktikisht janë përshkruar zhvillime të ndryshme nga viti 1935 deri në vitin 2007. Në këtë mënyrë tashmë kemi një trilogji të këtyre kujtimeve të kuruar dhe shtypur me shumë kujdes nga Shtëpia botuese TOENA.

Gjatë 100 viteve të ekzistencës së Shtetit Shqiptar, populli ynë ka parë shumë prijës të huaj, presidentë e monarkë shqiptarë, regjime regjence në kohë pushtimi, diktatorë dhe së fundi nga viti 1992 sistem demokratik me President Republike. Të gjitha këto periudha dhe debutime gjenden në shtypin e kohës, në studime dhe analiza historike, në arshiva, por për fat të keq gjithmonë nga duar të dyta ose të treta. Deri tani nuk kemi shumë shënime dhe përshkrime reale, jashtë demagogjisë dhe propagandës të këtyre periudhave të hartuara nga burimi kryesor, nga dora e parë. Pikërisht kjo më ngacmoi dhe vendosa që t’i hedh në letër këto kujtime. Në përshkrimin e tyre, jam përpjekur që t’i qëndroj sa më besnik fakteve dhe ndodhive reale, të cilat në pjesën dërmuese i kam përjetuar personalisht. Sigurisht unë nuk jam historian, por kjo mbase është më mirë. Të më falin historianët, pasi nuk e them këtë për t’i ofenduar, sepse jo gjithnjë, gjithçka është varur prej tyre. Ata kanë qenë të detyruar që këto periudha t’i përshkruajnë më shumë sipas porosive politike të asaj kohe, por edhe të mëvonshme, sesa në përputhje me ngjarjet reale. Në përshkrimin tim i jam përmbajtur ngjarjeve historike me realizëm, i pa ndikuar politikisht. Por edhe ato që nuk i kam përjetuar personalisht, kryesisht janë të marra nga tregimet e dorës së parë. Mendoj që kjo e rrit interesin për t’i lexuar këto tre vëllime. Sigurisht kam përshkruar kryesisht ato ngjarje që janë lidhur me jetën e tim ati ose me mua. Në përshkrimet që janë paraqitur në libra, sipas rastit janë dhënë edhe krahasime ose përqasje të ndryshme midis ngjarjeve të asaj kohe edhe atyre të sotme, duke u përpjekur për të bërë edhe deduksionet e duhura.

Veçanërisht në librin e tretë (ku flitet për kohën e presidencës time), jam përpjekur që të jem sa më i saktë. Në këtë vëllim nuk kam pasur aspak si qëllim denigrimin e figurave politike të vendit as, edhe paraqitjen e tyre në anën më të keqe, përkundrazi jam treguar i kursyer në paraqitjen e shumë veprimeve të politikanëve tanë, duke synuar në përmendjen vetëm të atyre fakteve që më janë dashur për ta ilustruar sa më qartë dhe më mirë fenomenin përkatës, për t’u bërë më i kuptueshëm. Kam synuar që të evidentoj ngjarjet dhe veprimet që na kanë penguar ecjen përpara, duke shpjeguar jo thjesht qëndrimin dhe veprimin tim por edhe atë të politikanëve kryesorë. Sepse në politikë asnjëherë nuk ndodh që të ketë veprime të njëanshme pa kundërveprim.

Këtë e bëra nga respekti i thellë për bashkëqytetarët e mi, për të shpjeguar pse kemi një tranzicion të stërgjatur dhe të lodhshëm. Po ashtu edhe sesi duhej vepruar më mirë për zgjidhjen e problemeve të politikës në vendin tonë. Kuptohet që këto konkluzione nuk mund të dilnin të qarta dhe të plota po të mos lidheshin me defektet e politikanëve tanë kryesorë.

Pra, duke pasur respekt për memorien politike institucionale, vendosa që t’i bëj të njohur publikut shqiptar sesi janë zhvilluar ngjarjet politike në vendin tonë gjatë mandatit tim presidencial. Një politikan i njohur i vendit tonë më këshilloi të mos i botoj kujtimet për periudhën që isha President. Në fakt nuk rashë dakord me të, pasi gjykoj se përvoja e çdo politikani të rëndësishëm nuk mund të jetë dhe të mbetet pronë personale, ajo është pasuri e popullit dhe e shtetit. Po ashtu fakti i shprehur nga disa, që janë shkruar shpejt nuk qëndron, pa qenë nevoja të bëj krahasime me vendet e tjera, mund të them se kujtimet vlejnë, jo thjesht për personin, ose periudhën e caktuar, ato duhet të shërbejnë edhe për t’i bërë gjërat më mirë në të ardhmen. Pastaj të jem i sinqertë, asnjeri aq më tepër unë në moshën time, nuk kemi ndonjë marrëveshje me atë lart, sesa do ta kemi mundësinë ta shijomë këtë jetë…”

Sikurse ju thashë kujtimet janë paraqitur në tre vëllime:

Në vëllimin e parë, përfshihet periudha deri në vitin -1958. Në këtë vëllim përfshihen të dhëna dhe kujtime mbi familjen Moisiu, mbi jetën dhe veprën e Spiro Moisiut. Ngjarjet dhe zhvillimet e kohës së Zogut, të pushtimit fashist, të Luftës NAÇL. Zhvillimet e pasçlirimit, shkollimi im ushtarak në ish BRSS dhe detyrat e para në ushtri.

Në vëllimin e dytë, përfshihet periudha 1958-2002.  Në këtë vëllim përfshihen të dhëna mbi shërbimin tim në ushtri pas kthimit nga studimet në Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë, zhvillimet në Ushtrinë Shqiptare pas daljes të Shqipërisë nga “Traktati i Varshavës”, ngjarjet e të ashtuquajturit “Puç Ushtarak”, mbi fortifikimin, mbi spastrimet në ushtri pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, zhvillimet pas ndryshimeve demokratike në ushtri nga viti 1992 deri 1997, aktiviteti i SHSHA-së e të tjera.

Në vëllimin e tretë, përfshihet periudha 2002-2007 – Në këtë vëllim flitet për zhvillimet kryesore gjatë presidencës time në zbatim të ligjit e kushtetutës, përballjet me zig-zaget e politikës shqiptare, si dhe ngjarjet më të zëshme të asaj kohe me shumë tension dhe keqkuptime, si dhe veprime që disa herë binin ndesh me ligjet dhe kushtetutën e vendit. Përplasjet e mia me Nanon dhe Berishën, në interes të forcimit të shtetit ligjor në vendin tonë.

-A mund të zgjidhen problemet në Shqipëri nëpërmjet konfliktualitetit, apo rruga e mirëkuptimit sipas standardeve europiane, do të ishte ajo efektive për zhvillimin social ekonomik, që kërkon populli dhe marrjen e statusit të kandidatit të Shqipërisë për në BE?

Zgjidhja e problemeve politike nëpërmjet konfliktualitetit është varianti më i keq në politikë. Të mos ngatërrojmë debatin me konfliktualitetin. Debati gjithmonë ndihmon për të gjetur mënyrën më të mirë të zgjidhjes së problemit, por ai i shmanget përplasjeve të pakuptimta dhe thjesht për të mbrojtur interesa të ngushta partiake dhe personale. Shpesh politikanët tanë i sajojnë konfliktet për t’iu shmangur problemeve reale që kërkojnë zgjidhje në interes të vendit, duke drejtuar vëmendjen e opinionit publik në drejtimin e interesave partiake të kohës. Një politikan i njohur i demokracisë europiane përafërsisht ka thënë: “Burrat e Shtetit mendojnë për të ardhmen, politikanët mendojnë për zgjedhjet e radhës”. Nëse politikanët shqiptarë do të kishin vepruar në mënyrën e mësipërme, me siguri ky tranzicioni ynë nuk do të ishte aq i gjatë dhe i vështirë. Marrja e statusit të kandidatit për në BE, shpresojmë që t’i bëjë politikanët shqiptarë më të përgjegjshëm që të mendojnë më shumë për vendin dhe popullin dhe më pak për interesat e ngushta partiake dhe ato të klaneve. Duke na vënë në rresht, shpresoj dhe besoj se Europa do ta rrisë kërkesën ndaj politikanëve shqiptarë, por edhe ata nuk do ta kenë më lirinë e pakufishme të deritanishme. Zgjedhjet e vitit të kaluar treguan se më në fund votuesi shqiptar e ka kuptuar, që nuk duhet votuar sipas “berihajit”, por sipas programeve dhe punës konkrete që bëjnë forcat politike, kur janë në pushtet.

-Ju ishit në Korçë në përurimin e Memorialit në nderim të pjesëmarrësve të misionit amerikan, që ka vepruar në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore. Ç’përshtypje keni për Korçën, çfarë mesazhi e urimi i përcillni popullit të saj?

Po isha në Korçë me 8 maj të këtij viti, në inaugurimin e memorialit kushtuar ushtarakëve amerikanë, të cilët gjatë Luftës ës Dytë Botërore ishin kontribuues në vendin tonë, por që shumica e tyre ishte me origjinë shqiptare. Ishte një vepër që e nderon Korçën, tregon për kulturën dhe traditën e saj patriotike. Por fakti që disa njerëz mendjengushtë dhe të papërgjegjshëm e dëmtuan memorialin pa mbushur muajin, tregon se duhet punuar shumë për të ndërgjegjësuar njerëzit që të vlerësojnë sakrificat e të tjerëve dhe zhvillimet historike. Një veprim i tillë nuk i bën nder traditës korçare, për nivelin e hershëm të kulturës që ajo ka pasur. Bashkia po merr masat e duhura për ta rinovuar memorialin, për çka unë e falënderoj kryetarin. Por njerëzit tanë duhet të tregojnë më shumë kulturë dhe respekt për historinë. Në Korçë nuk kisha qenë prej mese katër vitesh dhe pamja e re më bëri përshtypje pozitive, por duhet treguar më shumë kujdes për të ruajtur pamjen e “Korçës Plakë”, e cila ka qenë një nga qytetet më të bukura dhe karakteristike të vendit tonë.

I uroj popullit punëtor, të kulturuar dhe patriot të Korçës një zhvillim dhe përparim akoma më të madh. Shpresoj që njollat e tranzicionit të gjatë të fshihen sa më parë. Uroj që korçarët t’i ruajnë sa më mirë traditat e tyre, që e dallojnë dhe e veçojnë Korçën nga qytetet e tjera të vendit.

-Ju jini shumë aktiv në jetën publike, lexuesi do të kishte interes të dinte, si e kalon ditën  një ish-president?

Kam kaluar gati 40 vjet me uniformën e ushtarakut, dhe ajo jetë më ka mësuar që të jem racional dhe i organizuar në shpenzimin e kohës. Sigurisht që përditë filloj punën në një orë të caktuar, duke lexuar shtypin, duke u njohur me korrespondencën që më vjen në zyrë dhe duke u marrë me përgatitjen e intervistave, leksioneve dhe kontributeve të tjera që më kërkojnë institucione të ndryshme të vendit dhe të huaja. Pjesë e punës time ditore janë edhe takimet e ndryshme me miq e shokë, si dhe me simpatizantë të mi personal. Përveç angazhimeve të tilla, tre katër herë në javë kryej ecje sportive në parkun e Tiranës rreth 40-50 minuta. Një vëmendje të veçantë i kushtoj punës në “Forumin Civil 2010”, ku përveç meje dhe Presidentit Meidani bëjnë pjesë një sërë juristësh dhe personalitete të ndryshme të vendit. Nëpërmjet këtij forumi përpiqemi që të bëjmë një punë të dobishme me analiza, mendime dhe këshilla konstruktive, për një mbarëvajtje sa më të mirë të zhvillimeve politike në vendin tonë. Personalisht e kam ndarë mendjen, se sa të jem gjallë do të përpiqem të bëj më të mirën për vendin dhe popullin tim.

-Ju faleminderit!

Tre volume “KUJTIME

Këtë punë e fillova, që në vitin 1987. Përsa i përket të kaluarës të familjes Moisiu, m’u desh të kontaktoj dhe të mbaj shënimet përkatëse nga bisedat që bëra me disa familjarë të moshuar, të cilët tani nuk jetojnë më. Por punën intensive, e fillova në vitin 2000. Disa miq më sugjeruan që këto kujtime t’i formuloj në formë të tillë që mund të shtypeshin si libër. Në fillim nuk rashë dakord me këto sugjerime, por më vonë më bindën dhe shpresoj të mos kem gabuar.

Politika shqiptare

Zgjidhja e problemeve politike nëpërmjet konfliktualitetit është varianti më i keq në politikë. Të mos ngatërrojmë debatin me konfliktualitetin. Debati gjithmonë ndihmon për të gjetur mënyrën më të mirë të zgjidhjes së problemit, por ai i shmanget përplasjeve të pakuptimta dhe thjesht për të mbrojtur interesa të ngushta partiake dhe personale. Shpesh politikanët tanë i sajojnë konfliktet për t’iu shmangur problemeve reale që kërkojnë zgjidhje në interes të vendit, duke drejtuar vëmendjen e opinionit publik në drejtimin e interesave partiake të kohës.

Shqipëria në BE

Marrja e statusit të kandidatit për në BE, shpresojmë që t’i bëjë politikanët shqiptarë më të përgjegjshëm që të mendojnë më shumë për vendin dhe popullin dhe më pak për interesat e ngushta partiake dhe ato të klaneve. Duke na vënë në rresht, shpresoj dhe besoj se Europa do ta rrisë kërkesën ndaj politikanëve shqiptarë, por edhe ata nuk do ta kenë më lirinë e pakufishme të deritanishme. Zgjedhjet e vitit të kaluar treguan se më në fund votuesi shqiptar e ka kuptuar, që nuk duhet votuar sipas “berihajit”, por sipas programeve dhe punës konkrete që bëjnë forcat politike, kur janë në pushtet.

Dita e një ish-Presidenti

Përveç angazhimeve të tilla, tre katër herë në javë kryej ecje sportive në parkun e Tiranës rreth 40-50 minuta. Një vëmendje të veçantë i kushtoj punës në “Forumin Civil 2010”, ku përveç meje dhe Presidentit Meidani bëjnë pjesë një sërë juristësh dhe personalitete të ndryshme të vendit. Nëpërmjet këtij forumi përpiqemi që të bëjmë një punë të dobishme me analiza, mendime dhe këshilla konstruktive, për një mbarëvajtje sa më të mirë të zhvillimeve politike në vendin tonë. Personalisht e kam ndarë mendjen, se sa të jem gjallë do të përpiqem të bëj më të mirën për vendin dhe popullin tim.

 Vehbi FURXHI