Dosjet që mbajnë peng politikën

616
Përgjime, fotografi, video, akuza dhe arrestime, janë prej javësh fjalët më të përdorura në fjalorin politik. Për çfarë aferash akuzohen politikanët 
Politika është përfshirë nga debati dhe tensionet pas zbulimit të detajeve të para të atij që po cilësohet si skandali “Tahiri”. Akuzat për ish-ministrin e Brendshëm u zyrtarizuan nga prokuroria, ndërsa opozita nuk nguroi të sulmojë edhe vetë kryeministrin. Po teksa çështja “Tahiri” tashmë ndodhet në duart e organit të akuzës, një seri hijesh lëvizin mbi klasën politike. Materialet e para erdhën nga Italia dhe tashmë prokurorët po vijojnë hetimin, ndërsa Kuvendi nuk ka autorizim për arrestimin e deputetit socialist. Megjithatë dosje, përgjime, akuza dhe arrestime, janë prej javësh fjalët më të përdorura në fjalorin politik. 

Ish-kryeministri Sali Berisha mbetet më aktivi në serinë e akuzave për kryeministrin Rama dhe ministrat e tij. Ai ka përmendur disa anëtarë të kabinetit qeveritar si të përfshirë në korrupsion dhe trafiqe të paligjshme. Nuk u ka shpëtuar këtyre akuzave edhe vetë shefi i qeverisë. “Çdo natë ai në koshmar jeton në galerinë e dosjeve të tij personale dhe familjare, duke filluar nga Surreli tek pallati pesëkatësh në pajë, pa asnjë faturë, nga mega-afera e ÇEZ-it, tek koncesionet e ndrikull Nushit, muratorit, tek çeku një miliard euro dhe ‘Abbi Bank’, nga Xibraka dhe dosjet e aferave të tjera me shullazët, etj etj.”, shprehet Berisha. Ai ka folur edhe për 5 dosje me të cilat Tahiri, sipas Berishës, i bën presion Ramës për ta mbrojtur pas akuzës në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Për dosje dhe fakte të reja ka folur edhe kryetari demokrat, Lulzim Basha, ndonëse nuk ka preferuar të japë detaje. E lidhur me çështjen e trafikut të drogës drejt Italisë mbetet edhe çështja e mosfunksionimit të radarëve, e denoncuar nga media dhe opozita. Në këtë dosje po hetohen disa ish-drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtues të Forcave të Armatosura, ndërsa fakte tronditës dolën edhe nga përgjimet e Antimafias italiane ndaj grupit “Habilaj”. Gjithashtu, krahas ushtrisë, hetime po zhvillohen edhe për drejtues të policisë, të cilët dyshohen të kenë favorizuar mbjelljen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Në mënyrë specifike, përmenden pistat e përdorura edhe nga avionë të vegjël, që janë shfrytëzuar dendur nga grupet kriminale.
Në këtë fushatë nuk ka mbetur prapa edhe media. Gazetarë të njohur kanë folur publikisht për skandale që pritet të shpërthejnë dhe regjistrime që implikojnë politikanë të rëndësishëm. Mes tyre janë përmendur nga media një video ku shfaqen drejtues të qeverisë e Partisë Socialiste në fushatën e zgjedhjeve të qershorit 2017, duke biseduar me njerëz me rekorde kriminale, ndërsa një ministër rezulton, sipas medias, të jetë fotografuar me një nga pjesëtarët e klanit “Habilaj”. Gjithashtu media ka renditur edhe dosje apo përgjime që lidhen me deputetë apo drejtues të pushtetit vendor. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, është shprehur, se brenda pak ditësh do të shpërthejë edhe një skandal i vërtetë që lidhet me pastrimin e parave dhe zhvendosjen e shumave të mëdha jashtë vendit. Nuk mbeten jashtë vëmendjes edhe disa dosje korrupsioni, ku përfshihen ish-ministra, si ato të koncesioneve dhe rrugëve. 
Në kundërpërgjigje të sulmeve të ardhura nga opozita, deputetë e politikanë të shumicës parlamentare kanë rikujtuar edhe një herë dosjet e vjetra. “Gërdeci”, “Rruga Durrës-Kukës” dhe “21 Janari” mbeten në fokusin e akuzave të Partisë Socialiste ndaj drejtuesve të opozitës. Sipas mazhorancës, nisja e Vetingut në sistemin e drejtësisë do të krijojë mundësinë për hetimin dhe zbardhjen e plotë të këtyre ngjarjeve, ndonëse për to nuk priten elementë të rinj për publikun. Pretendimi i shumicës lidhet me rihetimin dhe rigjykimin e tyre. 
Dosjet
Ndihma për trafikun e drogës, hetimi ndaj ish-ministrit Tahiri;
Mbjellja dhe trafiku i drogës, hetime ndaj krerëve të policisë;
Ngritja dhe shfrytëzimi i pistave të avionëve për transport të drogës;
Trafiku i drogës, hetime ndaj drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes e Forcave të Armatosura;
Ndikimi i paligjshëm në zgjedhje, blerja e votave; (video e Vlorës)
Shpërdorimi i detyrës, ndihmë grupeve kriminale; (kryetarë të bashkive)
Pastrimi i parave, transferta të dyshimta;
Koncesionet;
Rrugët;
Xibraka, prodhimi dhe trafikimi i kokainës;
Verifikimi i pasurisë së politikanëve;
Komunikimi telefonik me eksponentë të krimit;
Shitja e CEZ-it;
Gërdeci; 
Rruga Durrës-Kukës;
21 Janari;
Sigal