Dosjet e nxehta në Ministrinë e Brendshme, njerëzit e FBI për çështjen “Tahiri”: Askush nuk është mbi ligjin

59
Vetingu dhe “Forca e Ligjit”, temat e nxehta mes Vlahutin, Xhafajt dhe Lu
Vetingu dhe “Forca e Ligjit” duket se kanë mobilizuar, jo vetëm Ministrin e Brendshëm, por edhe të SHBA dhe BE, të cilët kanë luajtur një rol të nxitës në çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi. 38 dosjet kriminale, të cilat kanë angazhuar dje ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së në vendin tonë të kenë takime të njëpasnjëshme me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. E para ka qenë kryediplomatja e BE-së, Romana Vlahutin, e cila ka zhvilluar një takim 45 minuta me ministrin Xhafaj. Ndërsa menjëherë pas largimit të saj, në Ministrinë e Brendshme ka mbërritur ambasadori Donald Lu, i cili ka zhvilluar një takim të gjatë mbi një orë e gjysmë, ku tema më e nxehtë e diskutimit ka qenë goditja e bandave kriminale. “Forca e Ligjit” dhe Vetingu në Policinë e Shtetit janë dy temat e nxehta që janë diskutuar mes ambasadorëve Lu e Vlahutin dhe ministrit Xhafaj. Pjesë e aksionit “Forca e Ligjit” janë ekspertët më të mirë në vend, por edhe ata të huaj. Është një ekspert i FBI, i cili jep ndihmën e tij në hetimin e grupeve kriminale. Ambasadori Donal Lu: SHBA ofron prokurorë për të hetuar ish-ministrin Saimir Tahirin

Ambasadori Amerikan në Tiranë Donald Lu pas takimit me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, bën një deklaratë të fortë dhe shokuese. Edhe pse ishte akuzuar nga palët politike se i ishte blerë heshtja për të mos komentuar rastin “Tahiri”, emri i të cilit u bë publikë në bandën kriminale “Habilaj”, dje duket se ka thyer heshtjen dhe ka reaguar. I pyetur nga Balkanweb nëse në këtë takim janë diskutuar çështje të korrupsionit të nivelit të lartë, siç është ajo e Saimir Tahirit, Lu komentoi se SHBA-të kanë ofruar mbështetjen e tyre me prokurorë federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara. 
I nderuar Ambasador, gjatë takimit tuaj me Ministrin Xhafaj, a biseduat çështje korrupsioni të nivelit të lartë, si ajo e Saimir Tahirit?
Ambasadori Lu: Çështja e Z. Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor. Ashtu si vetë Z. Tahiri dhe shumë udhëheqës të tjerë shqiptarë e kanë thënë, se kjo çështje duhet zgjidhur në gjykatë, duke shqyrtuar të gjitha faktet. Bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës. Ne kemi ofruar mbështetjen e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës. Ne do donim të shihnim një hetim më aktiv nga prokurorët dhe policia gjyqësore, dhe e kemi përcjellë këtë mesazh. Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin.