Dosjet e Elbasanit, shtohet misteri për fashikujt e zhdukur

502
Prokurorët e Tiranës marrin në dorë hetimet, ndërsa Berisha akuzon Çakon dhe Qaton. Çfarë ndodhej në “sirtarët” e zbrazur
Shtohet misteri rreth zhdukjes së tri dosjeve të rëndësishme në Prokurorinë e Elbasanit, dy për pastrim parash dhe një për abuzim me fondet e një rruge, që ka çuar në dyert e policisë dhe të kolegëve të saj të akuzës, një prokurore të Elbasanit. Burime nga policia thanë se katër ditë më parë, prokurorja Armanda Xhaferri, ka konstatuar se në zyrën e saj mungonin tre fashikuj, që i kishin mbërritur nga Njësia Task Forcë. Një grup hetimor i ngritur enkas për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, ka këqyrur zyrën e prokurores Xhaferri, por nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë. Pak ditë më parë specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit”. Armanda Xhaferri, me detyrë prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në 2 dhjetor 2017, ka bërë kallëzim në policinë e Elbasanit, pasi kur ka shkuar në zyrë ka konstatuar se i kishin humbur 3 fashikuj të procedimeve penale, materiale të Task Forcës për hetimin e korrupsionit. Grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit (zyrës), nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë dhe ka dyshime se janë marrë nga punonjës të kësaj prokurorie, pa dijeninë e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme. Prokurorja Armanda Xhaferri njihet në Elbasan si një nga prokuroret që po heton çështje nga më të rëndësishmet.

Berisha: Çako e Qato zhdukën dosjet në Elbasan
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar drejtorin e policisë, Haki Çako dhe kreun e policisë së Elbasanit, Altin Qato, për të zhdukjen e dosjeve në prokurorinë e këtij qyteti. “Një fitore tjetër e madhe e Noriegës dhe narko-shtetit të tij!”, shkruan Berisha, duke publikuar edhe mesazhin e atij që e cilëson si “oficeri dixhital!”. “Jam një oficer policie, desha t’ju njoftoj se vjedhja e dosjeve të bandave të pushtetit në prokurorinë e Elbasanit, këtu flitet gjerësisht se është urdhëruar nga lart fare. Për këtë akt të pashembullt janë ngarkuar thuhet nga vetë Rama drejtorët Çako dhe Qato, natyrisht janë keqpërdorur në krim nga policia edhe punonjës të prokurorisë. Vjedhja e dosjeve është bërë sipas një skenari të përgatitur me kujdes për zhdukjen e gjurmëve. Qato, i cili vetë është kokë e këmbë i lidhur me aferën Tahiri-Sota, zhdukjen e miliona eurove, por edhe të VIP pasagjerit të Orestit, është marrë direkt me operacionin. Ky është narkoshteti. Disa muaj më parë nga kasaforta më sekrete e Ministrisë së Brendshme u vodhën 12 raportet me sekrete të kësaj ministrie, tani vidhen tre dosjet kryesore të operacionit forca e l.. (më falni për shprehjen). Ky është narkoshteti i Noriegës!”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Berisha.
Komiteti i Helsinkit: Dosjet, të informohet publiku
Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi informimin e publikut rreth njoftimeve në media, se në datën 2 dhjetor 2017, prokurorja e Elbasanit, Armanda Xhaferri, pasi konstatoi se në zyrën e saj mungonin tre dosje penale në hetim, paraqiti denoncimin në organet e policisë po të këtij qyteti. Sipas medias, për arsye të shqyrtimit objektiv të kësaj çështjeve materiali i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Tiranës. KShH deklaroi se nuk paragjykon vërtetësinë ose jo të këtij denoncimi dhe as rrethanat dhe motivet e paraqitjes së tij. “Këtë duhet ta shqyrtojë organi kompetent i ndjekjes penale. Por pavarësisht nga kjo KShH mendon se çështja e denoncuar është e një rëndësie të veçantë, qoftë edhe vetëm për faktin se pretendohet për zhdukjen e tre dosjeve me akuza të rënda. Veç kësaj nëse prokurori do të gjejë elementë të dyshimit të arsyeshëm dhe të bazuar, gjatë hetimeve do të arrijë në përfundime të drejta dhe në kohën e përshtatshme do të informojë edhe opinionin publik, i cili është i interesuar për sqarimin sa më shpejt të çështjes të mësipërme”, theksohet në deklaratë, ku nënvizohet se “kjo ndodh në një organ të rëndësishëm siç është Prokuroria e ngarkuar posaçërisht për sigurimin e materialeve hetimore dhe sekretin hetimor”.
Sigal