Dosja “339”/ Donika Prela justifikohet se “nuk ishte në dijeni për përgjimet”

1563
Sigal

Publikimi i disa përgjimeve të dosjes “339”, si edhe ato që paralajmëron kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga dosja “184”, e kanë vënë në vështirësi drejtuesen e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela.

Ajo nuk po arrin të menaxhojë daljen e dokumentave kompromentues për maxhorancën e Edi Ramës. Përgjimet e dosjes hetimore “339”, në të cilat rezulton se Vangjush Dako komunikon me anëtarë të grupeve kriminale të Shijakut për blerje vote, shërbyen si bazë për opozitën që të djegë mandatet e saj parlamentare.

Edi Rama dhe maxhoranca e tij po mundohen ta përballojnë me propagandë dëmin e madh që u erdhi nga publikimi i këtyre detajeve, të tilla që rrezikojnë seriozisht pushtetin e tij.

Zyrtarët qeveritarë, të gjendur në vështirësi të mëdha, po kërkojnë tek shefja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, përgjegjësinë për publikimin e akteve të përgjimit.

Kjo e fundit, sipas burimeve konfidenciale nga Prokuroria, mësohet të jetë justifikuar se “nuk ka pasur dijeni për këto përgjime”.

Të njëjtat burime deklarojnë se, pas publikimit të përgjimeve tek “Zëri i Amerikës”, shefja e Krimeve të Rënda ka mbledhur menjëherë pjesëtarët e grupit hetimor, prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore, për të kërkuar llogari mbi “dekonspirimin” e hetimit.

Pasi nuk ka arritur të zbulojë gjë nga kontaktet me vartësit e saj, ajo ka urdhëruar që të bëhet referimi pranë Prokurorisë së Tiranës për “nxjerrje të sekretit hetimor”. Ndërkohë, paralelisht, siç raportojnë burimet e “Boldnews.al”, ajo ka deklaruar në biseda të ndryshme se nuk ishte në dijeni të detajeve të dosjes dhe aq më tepër të elementëve që inkriminonin zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Por, përtej këtij qëndrimi, ka një detaj që e nxjerr zbuluar këtë pretendim të supozuar të Donika Prelës. Emri i saj, si edhe i të paktën 10 zyrtarëve të tjerë të drejtësisë që kanë pasur kontakt me dosjen “339”, gjenden në hetimin që ka nisur prej më shumë se një muaji Prokuroria e Tiranës.

Në këtë mënyrë, konfirmohet se Donika Prela ka pasur kontakt me dosjen dhe me përgjimet e publikuara, për sa kohë ajo është një ndër personat e dyshuar dhe nën hetim nga kolegët e saj të prokurorisë së kryeqytetit.