“DOSJA 184” transferohet në Dibër/ Prokuroria e Krimeve të rënda shpall moskompetencën. Opozita: Do hetojë familjari i të akuzuarit kryesor

581
Sigal

Dosjen për bashkëpunimin kriminalo-politik për blerjen e votave në Dibër do ta hetohet nga prokuroria e Dibrës, e cila drejtohet nga gruaja e kushëririt të parë të njërit prej personave kryesorë nën hetim. Para rreth dy muajsh, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ndërprerë hetimin e njohur si “Dosja 184” për mungesë kompetence dhe ia ka kaluar hetimin prokurorisë Dibër. Prokuroria Dibër drejtohet nga Esmeralda Keshi (Cami), kunata e Arben Keshit, drejtorit të Ministrisë së Brendshme, i kapur në përgjimet e prokurorisë si person kyç në skemën e shit-blerjes së votave dhe frikësimit të qytetarëve për të votuar kandidatin socialist, në zgjedhjet vendore, 2016 në Dibër. Lidhjen familjare mes Esmeralda Keshit dhe Arben Keshit e ka raportuar, së pari BoldNews.al, pas një vëzhgimi në regjistrin e gjendjes civile, i cili zbuloi se Arben Keshi është djali i xhaxhait të Gentjan Keshit, bashkëshortit të Esmeralda Keshit. Në përgjimet e bëra publike nga gazeta gjermane “Bild”, Arben Keshi, në atë kohë drejtor në Ministrinë e Brendshme, dëgjohet në disa biseda;

  • me Kryeministrin Rama, të cilit i jep llogari për komisionerët e PS-së në votime;
  • me votuesit ku bën pazare për blerje votash;
  • me drejtorin e arsimit në Dibër, të cilin e urdhëron t’i bëjë presion të gjithë mësuesve se, nëse nuk votojnë për PS-në do të shkarkohen nga detyra;
  • me Sali Skurën, Shef tek Komisariati i Policisë Nr.5 në Kamëz, të cilit i kërkon të ndalojë votuesit e PD-së që jetojnë në Kamëz, por që kanë ende të drejtë vote në Dibër;
  • me ish-ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri, i cili e lajmëron Keshin se po i dërgon tek shtabi disa “tipa problematikë’, që t’i këtë për çdo rast”.

Nga telefonatat e Arben Keshit duket se Partia Socialiste në Dibër kishte ngritur një sistem të organizuar për blerjen e votave me dijeninë e Kryeministrit Edi Rama. Por kalimi i dosjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për hetim në prokurorinë Dibër, ngre pikëpyetje serioze për paanshmërinë dhe seriozitetin e hetimeve.