Dorëzojnë mandatin e deputetit katër ministra të PS

482
Sigal

Dorëzojnë mandatin e deputetit 4 ministra, duke respektuar në këtë mënyrë vendimin që anëtarët e kabinetit qeveritar të mos jenë deputetë.

Ministrat që dorëzuan mandatin janë Saimir Tahiri, Shkëlqim Cani, Damian Gjiknuri dhe Ditmir Bushati, të cilët  ashtu sikundër kolegët e tjerë në Qeveri kanë hequr dorë nga mandati i deputetit qysh në Dhjetor 2013.

Pak kohë më parë Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar 4 anëtarëve të kabinetit qeveritar që të dorëzojnë mandatet e deputetëve ashtu sikundër kanë bërë kolegët e tyre.

Sajmir Tahiri dhe Ditmir Bushati janë deputetë të Qarkut të Tiranës dhe dorëzimi i mandateve të tyre do të sjellë një ndryshim në listën e deputetëve socialistë për këtë Qark.

Referuar listës emërore në vend të ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri hyn në Kuvend Ervin Bushati që renditet i 18, por duke qenë se Partia Socialiste nuk ka respektuar kuotën gjinore prej 30 % të përfaqësimit të grave, atëherë fillimisht mandati i ofrohet Erjeta Allhysës e cila renditet e 27.

Nëse ajo do të refuzojë mandatin e deputetit atëherë në vend të Tahirit në Kuvend do të hyjë Bushati. Ndërsa vendin e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, sipas listës emërore e merr Bledar Doracaj. Në rast se ky i fundit nuk e pranon, atëherë lista zhvendoset me emrat pasardhës.

Ministri Damian Gjiknuri është deputet i Qarkut të Elbasanit, ku edhe këtu Partia Socialiste nuk ka respektuar kuotën gjinore, cka do të thotë se fillimisht mandati i deputetit i kalon Luljeta Arapit e cila renditet e 9. Nëse kjo e fundit refuzon mandatin, atëherë mandati i kalon kandidates së 15 në listën emërore që është Rovena Beqiraj. Nëse edhe ajo refuzon mandatin, atëherë vendin e ministrit Gjiknuri në sallën e Kuvendit e zë Arben Kamami.

Edhe në rastin e ministrit Shkëlqim Cani, i cili është deputet i Qarkut të Dibrës, Partia Socialiste ka problemin e respektimit të kuotës gjinore prej 30 % të përfaqësimit të grave në Kuvend. Në bazë të listës emërore fillimisht mandati i deputetit Cani i kalon kandidates Ezmerina Hoxha, e cila renditet e 6 në listën emërore të Qarkut të Dibrës. Nëse ajo refuzon mandatin, atëherë në Kuvend vendin e ministrit të Financave e zë mjeku Hasan Ceni që renditet i 3-ti në listën emërore të Partisë Socialiste.