Dorëhiqet nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës pas rritjes së çmimit të ujit

435
Pasi forca e saj politike kaloi në opozitë, dorëhiqet nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Brunilda Paskali. Nënkryetarja nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në një deklaratë për mediat nga selia e kësaj force politike tha se heq dorë nga ky funksion pas votimit në këshillin bashkiak, që rriti me 20 lekë çmimin e ujit të pijshëm për qytetarët. Kjo dorëheqje vjen pasi dy këshilltarë të LSI-së dolën kundër vendimit politik të kësaj force politike duke dhënë votën pro rritjes së çmimit të ujit. Ata plotësuan kuorumin e nevojshëm prej 31 votash të mjaftueshme për të kaluar këtë vendim. Paskali tha se vota e tyre ishte në kundërshtim me qëndrimin politikë të LSI, dhe se dorëheqja e saj vjen si dëshmi për seriozitetin ndaj qytetarëve. Ajo ndau një falënderim të veçantë për këshilltarët bashkiakë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke theksuar se në këto dy vjet është përpjekur për të mirën e qytetarëve. “Jam në këtë komunikim publik për t’ju bërë me dije dorëheqjen time nga posti i Nënkryetares së Bashkisë së Tiranës. Ky është një vendim politik i marrë duke reflektuar me përgjegjshmëri pas zhvillimeve më të fundit në Këshillin Bashkiak ku bashkëpunimi institucional i deritanishëm në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe në përmbushje të të gjitha detyrimeve që Bashkia ka ndaj tyre, u zëvendësua me partneritetin individual me dy këshilltarë që kanë vepruar në kundërshtim me qëndrimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Misioni në opozitë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, më obligon aktin e dorëheqjes si dëshmi serioziteti, përkushtimi dhe detyrimi përkrah qytetarëve që me verdiktin e tyre i kanë besuar Lëvizjes Socialiste për Integrim përmbushjen e këtij misioni të rëndësishëm.”, tha Paskali.
Sigal