Sigal

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëherësh këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Ai disa herë ka kundërshtuar idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ka thënë se është alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve, raporton Koha.net. Phillips, është drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias të New Yorkut. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, nën presidencën e Clintonit, Bushit dhe Obamës. Autori i “Liberating Kosovo: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA-së”, Phillips punoi edhe me Ambasadorin Richard C. Holbrooke në Bosnjë dhe Kosovë.

Deklarata e dorëheqjes së Phillipsit:

Unë kam punuar për pavarësinë e Kosovës mbi tridhjetë vjet, si zyrtar amerikan në Capitol Hill, në ‘think-tanks’ si Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë, si dhe studiues në Universitetin Kolumbias. Qeveria e Kosovës së fundmi më ka kërkuar të shërbeja si këshilltar në dialogun Kosovë-Serbi. U pajtova, sepse besoja se mund të arrihej një marrëveshje duke e fuqizuar pushtetin, duke rritur sundimin e ligjit dhe duke rritur presionin nga bashkësia ndërkombëtare në Serbi për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktualë. Por disa në institucionet e Kosovës po ndjekin një rrugë tjetër. Ata pranojnë korrigjimin e kufijve, duke dhënë territor në Serbi. Unë besoj se ndarja apo korrigjimi i kufijve është marrëveshje e keqe, e cila nuk do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë apo do ta vendoste Kosovën në një pozicion për të fituar njohje më të madhe globale. Ithtarët e korrigjimit të kufijve besojnë se mos-njohësit e BE-së do të pranonin një Kosovë të rikonfiguruar dhe se SHBA-ja mund ta bindë Rusinë dhe Kinën që të heqin kundërshtimin e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Nuk ka bazë të njohur për këtë përfundim. Për më tepër, korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit kosovar. Ajo minon parimet demokratike të multi-kulturalizmit dhe pluralizmit politik për të cilin shumë prej tyre kanë vdekur në Ballkanin Perëndimor, transmeton Koha.net. Është potencialisht e rrezikshme, destabilizuese dhe mund të çojë në dhunë dhe fragmentim të përtërirë. Unë nuk mund të marrë pjesë në planin e propozuar të ndarjes që ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e mia. Si parim i kam informuar edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës për synimin tim për të dhënë këtë dorëheqje, që të mos marrë pjesë në ndarje.