Dorëheqja e Visho Ajazi Likës, reagon Basha: Ai ishte halë në sytë e Edi Ramës

570
Pak pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së kryetari Lulzim Basha komentoi dorëheqjen nga detyra e kreut të SHISH-së, të Visho Ajza Lika. Basha shigjetoi kryeministrin Edi Rama se fshihet pas këtij vendimi që ka marrë Visho Ajazi, pasi sipas tij ‘ai ishte halë në sytë e Edi Ramës’.
Basha nuk nguroi ta quante këtë vendim një presion politik.
“Edhe unë kam konstatuar të njëjtën gjë, mundësinë e presioneve ndaj kreut të SHISH. Nuk kam informacione konkrete, por një gjë është e sigurt që një SHISH që harton informacione për përfshirjen të policisë, krerëve të policisë në kultivimin dhe trafikun e drogës, siç ka bërë SHISH në këto dy vite, është halë e narko-shtetit dhe të Edi Ramës. Ndaj nuk mund të kem konkluzione tjetër, përveçse presion politik. Kjo tregon që narko-shteti është në panik total dhe po bën gjithçka për të mbyllur aferën e Saimir Tahirit. Por kjo nuk do mbyllet me kaq, pasi Saimir Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Bota perëndimore nuk do e lërë Shqipërinë vetëm në këtë betejë jetike për të përmbysur kupolën mafioze në pushtet. Nuk do të lejojë që Shqipëria në zemër të Evropës të kthehet në një narko-shtet, në një shtet të dështuar të drejtuar dhe sunduar nga bandat që lidhen me kryeministrin dhe politikanët e tjerë të korruptuar. Ndaj jo vetëm që kjo çështje nuk do të mbyllet, por të tjera do të dalin në dritë.”, tha Basha.
Mes të tjerash Basha bëri sërish thirrje që ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të arrestohet. “Folëm për skandalin Rama-Habilaj. Qëndrimet që ne nuk patëm mundësi që ti mbanim javën e kaluar do vazhdojnë të shpalosen, në çdo seancë. Kërkesa jonë ka mbështetjen të gjithë botës perëndimore, që Edi Rama mos të ushtrojë presion dhe mos të përdor imunitetin parlamentar të Saimir Tahirit. Saimir Tahiri duhet të arrestohet. Përdorimi i imunitetit të Tahirit, bëhet vetëm për të mbrojtur atë dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë Edi Ramën.”, pohoi ai.
Sigal