Dorëheqja e Ramës nuk është një tabu!

564
Sigal

Qeveria gjermane sjell mesazhin e dytë dhe të drejtpërdrejtë për qeverinë e Tiranës: Nuk pranojmë zgjedhje pa opozitën. Shtyrja e datës së zgjedhjeve dhe dorëheqja e kryeministrit do të qetësojë situatën dhe do t’i hapë [erspektivën evropiane Shqipërisë. Shefja e ODIHR; Nuk kam vëzhguar kurrë zgjedhje pa opozitë

Vjen mesazhi i dytë nga qeveria gjermane: Nuk pranojmë zgjedhje pa opozitën.

Dorëheqja e Ramës nuk është një tabu!

Krerët e grupit parlamentar të partisë së kancelares gjermane Merkel, tashmë e thonë hapur: Dorëheqja e kryeministrit Rama nuk është më një tabu, për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri. Një ditë më parë, deputetët gjermanë i bënë një apel kryeministrit Rama që të shikonte mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, për t’i dhënë mundësi opozitës që të marrë pjesë ne zgjedhje.

Dialogu fillon me shtyrjen e datës së zgjedhjeve

Në një deklaratë të përbashkët për Deutsche Wellen, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër Federal, e kanë përsëritur kërkesën e tyre për dialog pa kushte ndaj qeverisë dhe opozitës, por kanë sugjeruar edhe si opsion shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Kërkesa e dytë e deputetëve gjermanë: Dorëheqje e Ramës

Anila Shuka, korrespondentja e Dojçe Welle nga Berlini thotë:

Ishte hera e dytë brenda 10 ditësh që të njëjtët deputetë kanë bërë një deklaratë të tillë dhe në deklaratën e parë kanë përsëritur të njëjtën kërkesë që dialogu të bëhet pa kushte. Por kanë shtuar edhe dy detaje: kanë shtuar edhe një detaj që është se çfarë nënkuptohet me këto kushte. Është thënë se nuk mund të ketë tabu. Këtu hyn si shtyrja e datës së zgjedhjeve, siç thuhet në deklaratë, por ashtu edhe dorëheqja e kryeministrit, siç dëgjova sot (dje) nga qarqet e Unionit kristian-demokrat dhe kristian-social. Këto as nuk duhen vënë si parakushte për të hyrë në dialog, mes qeverisë dhe opozitës, por as nuk duhen përjashtuar si opsione.

 Mesazhi i 2 deputetët gjermanë

Ata nuk do të jenë të gatshëm ta pranojnë zgjedhjet lokale siç po zhvillohen tani pa pjesëmarrjen e opozitës, por edhe se nuk do të jenë të gatshëm se pa u zgjidhur kriza e brendshme në Shqipëri të japin një ‘OK’ të tyre për çeljen e negociatave me BE-në. Schilling është një shpirt i lirë dhe i thotë gjërat siç i mendon. Ai mendon se ndërmjetësimi do të ketë sukses vetëm nëse të dyja palët kanë dëshirë që të pajtohen. Sipas tij, ai ka përshtypjen se opozita nuk ka dëshirë që të pajtohet, por thjesht po përpiqet që të rrëzojë qeverinë. Ai kritikon Bashën dhe ish-kryeministrin Berisha, me parullat që përdorin ata. Siç i quan ai, revolucionare. Pa dashur të komentoj, ky perceptim që ka ky njohës i Ballkanit, përkon me perceptimin që kanë shumë përfaqësues të qeverisë gjermane. Ata e shohin qeverinë shqiptare në kontekstin rajonal, e në krahasim me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, ata e vlerësojnë Ramën dhe qeverinë e tij. Nëse do t’u besojmë anketimeve të deritanishme pritet që mazhoranca gjermane të pësojë humbje të mëdha. Spekulohet se në rast të një humbje shumë të thellë të Socialdemokratëve, mund të dalin nga koalicioni dhe Gjermania të përballet nga zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat pritet të zhvillohen në tetor. Ky është skenari më i mundshëm, por kjo nuk do të ketë asnjë efekt në votën e Parlamentit gjerman për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi data është caktuar dhe ajo është në shtator.

Shefja e ODIHR, Glover: S’kam vëzhguar kurrë votime pa pakicën

Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it, Adry Glover gjatë prezantimit të ekspertëve që do të mbikëqyrin procesin elektoral të 30 qershorit, ka deklaruar se nuk i ka rastisur asnjëherë në karrierën e saj që të vëzhgojë një proces elektoral si në Shqipëri, ku nuk ka marrë pjesë opozita. Glover është pyetur nga gazetarët nëse rasti i Shqipërisë është unik dhe nëse e ka hasur atë më parë. “Nuk kam marrë kurrë pjesë në vëzhgim të zgjedhjeve ku opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhje…”, ka thënë ajo. Shefja e Misionit të ODIHR e pyetur nëse do t’i certifikojë këto zgjedhje dhe si do të quhet ky proces elektorale, Glover ka thënë se: “Unë do raportoj se çfarë kemi parë në këto zgjedhje siç kemi bërë gjithnjë, ne reflektojmë në çdo gjë që shohim dhe më pas nxjerrim raportin”. Shefja e ODIHR është pyetur disa herë për mospjesëmarrjen e opozitës, por ajo ka thënë se kjo është një çështje që nuk i takon këtij misioni, ndaj ajo ka thënë se nuk do të ndërhyjnë. “Në fakt nuk është puna jonë të ndërhyjmë duke bërë sugjerime, ne jemi këtu për të vëzhguar zgjedhjet në mënyrë të paanshme, nuk na takon ne të ndërhyjmë apo të prononcohemi për këtë”, ka thënë ajo. Ndërkohë që Adry Glover nuk ka komentuar vendimin e djeshëm të KQZ-së për të mos regjistruar anëtarët e PD dhe LSI në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. “Tani nuk mund të themi asgjë, siç thash ne do të vëzhgojmë dhe do të raportojmë çfarë shohim”, – tha Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it, Adry Glover.